Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Atij që na ftoi në namaz jo për nevojë, por për mëshirë. Paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguemin e Tij, Muhamedin(alejhi selatu ue selam), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.
O besimtarë!
A ju ka shkue ndonjëherë mendja, mbas përfundimit t’ndonjanit prej pesë namazeve t’ditës, me u ndalë për një çast e me pyet veten:
Sa kam përfitue sot prej këtij namazi?
A keni provue ndonjëherë me e matë qoftë edhe përafërsisht, sa çaste keni ndie se po flisnit me Allahun?
Sa herë zemra ju ka dridhë përbrenda?
Qoftë edhe për një sekondë, apo për një pjesë sekonde?
Sepse, o vëllezën, namazi nuk asht veç lëvizje trupi, por takim zemrash. Nuk asht veç recitim gjuhe, por komunikim shpirti.
Dëgjoni fjalën e të Dërguemit të Allahut(alejhi selatu ue selam) , që na e transmeton Ammar ibn Jasiri:
“Disa njerëz dalin prej namazit me vetëm një të dhjetën, një të nëntën, një të tetën, një të shtatën, një të gjashtën, një të pestën, një të katërtën, një të tretën ose një të dytën e asaj që u asht shënue në dobi të tyne.”
O besimtarë!
Namazi i njëjtë… koha e njëjtë… lëvizjet e njëjta…
Por fitimet? Krejt të ndryshme.
Prandaj, mos e përfundoni as edhe një namaz të vetëm pa u përpjekë me e përjetue qoftë edhe një çast të vërtetë lidhjeje me Allahun.
Nëse nuk e gjeni në rekatin e parë, kërkojeni në të dytin.
Nëse nuk e gjeni në të dytin, mos u dorëzoni, kërkojeni në të tretin e në të katërtin.
Nëse s’ia dilni gjatë farzeve, kërkojeni në sunete.
Nëse s’ia dilni në sabah, kërkojeni në drekë.
Nëse jo në drekë, atëherë në ikindi.
Nëse jo në ikindi, në aksham.
Nëse jo në aksham, në jaci.
Mos e lini as edhe një ditë me kalu pa u lagë sytë nga loti në njanin prej namazeve.
Mos e lini as edhe një ditë pa u dridhë zemra, qoftë edhe për një çast të shkurtë.
Mos e lini as edhe një ditë pa e shiju gëzimin e afrimit me Zotin e Plotfuqishëm.
Kjo, o besimtarë, asht minimumi i besimit të gjallë.
E nëse Allahu ju dhuron ma shumë se kaq, atëherë gëzohuni sepse po shtoni thesar në magazinën qiellore.
O vëllezën!
Shikoni si vepron bota:
Supermarketet organizojnë lojëra shpërblyese, vetëm për me i nxjerrë njerëzit me ble ma shumë. Një biletë, një shpresë, një fitore e pasigurt.
Por namazi…
Namazi nuk asht lojë fati. Namazi asht depo hyjnore.
Kur hyni në namaz, jeni tue hy në një depo ku plotësoni bileta të panumërta.
Çdo rekat, një biletë.
Çdo përulje, një biletë.
Çdo lot, një biletë.
E dallimi?
Këtu nuk ka humbës.
Nëse i plotësoni si duhet, nuk fitoni vetëm një shpërblim, por të gjitha shpërblimet.
Kur faleni, në të vërtetë po hyni në ndërmarrjen ma fitimprurëse që ka pa ndonjëherë kjo botë.
Me koston ma të ulët, e me fitimin ma të madh.
Zekati kërkon pasuni.
Haxhi kërkon buxhet.
Agjërimi kërkon sakrificë fizike e materiale.
Por namazi?
Pak ujë për abdes, pak kohë, asnjë taksë, asnjë tarifë…
E në këmbim, fitime që regjistrohen menjëherë në llogarinë shpirtërore.
Madje disa prej tyne i ndieni ende pa dalë prej sexhdes:
-
Qetësi në zemër
-
Paqe në mendje
-
Kthjelltësi në shpirt
-
Shëndet
-
Ripërtëritje
E disa fitime tjera ruhen për ma vonë:
-
Bekime në këtë botë
-
Përgjigje në lutje
-
Sukses e mirëqenie
-
E në botën tjetër: falje mëkatesh dhe male me vepra të mira
O besimtarë!
A nuk e meriton kjo ndërmarrje që me i mbajtë llogaritë mirë?
A nuk e meriton që me pyet veten:
-
Çka fitova sot?
-
Çka humba sot?
E humbjet këtu nuk janë humbje kapitali, por humbje mundësish. Humbje fitimesh që kishin mujtë me u shtue, po që u lanë me ikë për shkak të shpërqendrimit, pakujdesisë dhe zemrës së ftohtë.
Kapitali, namazi, dhe mbetet.
Por rritja… varet prej sinqeritetit.
Prandaj, o vëllezën e motra, filloni me i mbyllë ditët tuaja me një pyetje të thjeshtë:
Sa kam përfitue sot prej namazit tem?
E sa kam humbë, pse zemra m’ishte diku tjetër?
Allahu na e baftë namazin dritë për zemrat tona,
qetësi për shpirtrat tanë dhe thesar për jetën tjetër.
