-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Ç’duhet të dimë për veshët?

Më të lexuarat

Veshi është një organ i çmuar dhe shumë delikat që na lejon të dëgjojmë zhurmat dhe tingujt e ndryshëm. Funksioni i tij është mbledhja, përpunimi dhe përcjellja e sinjaleve akustike, zërave, zhurmave etj, drejt organeve të tjera të aparatit dëgjimor.

Në fakt, shumë njerëz me kalimin e moshës mund të hasin probleme me dëgjimin si psh: kanë probleme gjatë një bisede telefonike, nuk dëgjojnë qartë fjalët e bashkëbiseduesit apo dëgjojnë radio me zë të lartë etj.

Testi i dëgjimit në këto raste është i domosdoshëm ashtu si dhe çdo test tjetër.

Informacioni dëgjimor përcillet nga veshët, përmes nervave dëgjimore në tru, ku interpretohet. Çdo vesh është i lidhur me trurin nëpërmjet një nervi të veçantë dëgjimor. Kështu tingulli i kapur vetëm nga veshi i majtë, dërgohet vetëm në anën e majtë të trurit. tingulli që kapet vetëm nga njëri vesh quhet monofonik.

Qendrat dëgjimore më të larta të trurit shërbejnë për të përpunuar informacionin bifonik që kapet nga të dy veshët. Ne i përdorim sinjalet bifonike për të vlerësuar vendndodhjen e burimit të tingullit. Tingulli që arrin në njërin vesh paksa më parë se në veshin tjetër, shërben si sinjal për vendndodhjen e tingullit.

P.sh., nëse një mik që rri në të majtën tuaj ju thërret emrin, se pari do ta dëgjoni me veshin e majtë dhe pastaj me të djathtin. Për më tepër, zëri i shokut tuaj do të duket paksa më i lartë në veshin e majtë, duke dhënë një tjetër sinjal bifonik për vendndodhjen. Shpesh ne nuk e kuptojmë se ka një ndryshim, por reagojmë në mënyrën e duhur duke u kthyer në drejtim të burimit të tingullit.

Dëgjimi është shumë i rëndësishëm jo vetëm për përpunimin e tingujve. Një fjalë e urtë thotë “ndër 10 të shurdhër, 9 janë memecë”. Në fakt, të shurdhërit nuk humbasin aftësinë e të folurit, por kur një person nuk merr informacione nga jashtë nëpërmjet dëgjimit, ai nuk komunikon me të tjerët. Me kalimin e kohës, i shurdhri harron fjalë dhe si rezultat, shurdhëria shkakton memecëri.

Ulja e dëgjimit vjen nga disa arsye.

Një nga to është futja e sendeve të ndryshme në vesh. Ky veprim mund të shkaktojë gjakderdhje dhe mund të çojë në dëmtimin e dëgjimit. Nëse ndodh kjo atëherë duhet të shkoni për vizitë tek mjeku. Gjithashtu dhe uji mund të shkaktojë infeksion në vesh.

Me kunjat e zakonshme dhe tradicionale të veshit jo vetëm që e shtyni më thellë dyllin, por mund ta dëmtoni edhe kanalin e veshit. Specialistët këshillojnë të përdoren metodat e duhura. Në qoftë se nuk mund t’i pastroni vetë, drejtojuni mjekut specialist.

Disa persona përdorin sende të ndryshme për pastrimin e veshëve. Në fakt, kjo gjë është e panevojshme pasi veshi ka aftësinë për t’u vetëpastruar.

Veshi ka një sistem vetëpastrimi: gjendrat e pranishme në kanalin e jashtëm të dëgjimit prodhojnë një substancë të trashë që e mbron nga grimcat e huaja dhe mban konstante karakteristikat e membranës së daulles së veshit. Kështu dylli luan një veprim mbrojtës, antibakterial, antimykotik dhe zbutës për kanalin e veshit, duke ruajtur në të njëjtën kohë edhe ekuilibrin delikat fiziologjik. Duke dalë spontanisht jashtë, kjo substancë eliminon papastërtitë që futen çdo ditë në vesh, duke e mbajtur atë të pastër dhe duke e mbrojtur nga agjentët e jashtëm

Ata mbrojnë lëkurën delikate të veshit dhe ngjisin materiale të jashtme(si pluhur, insekte të vogla fluturuese).

Dylli i veshit mund të duket si një sekrecion i verdhë i panevojshëm me emrin “cerumen”.

Në vijim do t’ju prezentojmë disa sugjerime për të mbrojtur dëgjimin tuaj.

Së pari, ata që punojnë në ambiente me zhurma, duhet të pajisen me tapa veshësh, për të pakësuar dëmtimin e dëgjimit si pasojë e tingujve apo zhurmës së madhe.

Së dyti, përpiquni mos të mbani kufje për një kohë të gjatë dhe mos dëgjoni muzikë me volum të lartë.

Së treti, përpiquni të mos qëndroni pranë fishekzjarreve ku zhurmat janë tepër të larta.

Së katërti, kur nuk dëgjoni mirë nga njëri vesh, atëherë drejtohuni tek mjeku specialist.

Së pesti, nëse veshi ka shumë dyllë këshillohet që të pastrohet nga otorinologu.

 

Këshilla për kujdes të shtuar gjatë aktiviteteve rutinë

Së pari, gjatë larjes së flokëve apo fytyrës, kini kujdes që uji të mos hyjë në vesh, pasi kjo mund të shkaktojë infeksion.

Së dyti, duhet të bëni një kontroll mjekësor para se të shkoni për pushime në bregdet, pasi nëse keni infeksion në vesh mirë është të mos hyni në det para se të shëroheni plotësisht.

Së treti, mos pini alkool ose duhan, pasi ato dëmtojnë nervat e dëgjimit brenda veshit.

Së katërti, hunda është e lidhur me veshin kështu që duhet të tregoni kujdes të madh për higjenën e saj.

Së pesti, nëse jeni i ftohur apo me grip, si pasojë e infeksionit në sistemin e frymëmarrjes nuk duhet të udhëtoni me avion, për shkak se presioni i madh i ajrit gjatë fluturimit mund të shkaktojë infeksion në vesh, dhimbje dhe ulje të dëgjimit.

Së gjashti, kujdes i madh duhet të tregohet edhe me bebet. Për ato foshnja që kanë probleme me dëgjimin, duhet të merren menjëherë masa, pasi kjo do t’i ndikojë edhe për të folurin.

Së shtati, shurdhimi dhe ulja e dëgjimit në moshën e madhe, janë shenjat e plakjes. Kjo mund të lidhet edhe me trashëgiminë apo me sëmundje të tjera të kaluara gjatë jetës. .

Tek veshët ndodhen shumë pika të rëndësishme të akupunkturës. Prandaj, masazhet e duhura të veshit sjellin shumë favore për organizmin në tërësi.

Metodat e masazhimit të veshëve janë shumë të thjeshta: masazhoni veshët me gishtin e madh dhe atë tregues në majën dhe llapën e veshit. Duhet të bëni masazh të lehtë, pa ushtruar forcë. Ky masazh nuk kërkon shumë kohë, 5 minuta janë të mjaftueshme.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit