Kam mbi 20 vjet që përpiqem të ndërgjegjësoj kë mundem, ndër shqiptarët e thjeshtë dhe jo vetëm, lidhur me metodat që përdoren për de-islamizimin e trojeve shqiptare.
Kam vënë re se ndërgjegjësimi është i ngadalshëm, por ka filluar.
Jo për faktin se muslimanët shqiptarë kanë mbrojtur të drejtën e tyre apo kanë luftuar islamofobinë, por sepse vetë Islami po i çon shqiptarët drejt zgjedhjes së duhur. Ata janë vënë përballë murit për të zgjedhur ndërmjet vlerës dhe antivlerës, ndërmjet nderit dhe çnderimit, ndërmjet familjes dhe antifamiljes.
Dihet se nderi, dinjiteti, familja, etika dhe besa janë virtyte të Islamit fisnik dhe, rrjedhimisht, kanë qenë edhe virtyte të gjyshërve tanë fisnikë.
Për të de-islamizuar trojet shqiptare përdoren këto metoda:
1) Qëllimisht krijohet mungesë perspektive për jetë në trojet e tyre. Nëpërmjet varfërisë u imponohet largimi/emigrimi. Dihet se kush emigron, rrallë kthehet më në vendin e vet; shqiptari gradualisht asimilohet ose integrohet atje ku ka emigruar.
2) Qëllimisht nxisin shqiptarët të kenë turp nga të qenurit musliman dhe ua ushqejnë komplekset e inferioritetit.
3) Qëllimisht u promovohet katolicizmi si fe e pranueshme ndër shqiptarë dhe, njëkohësisht, u ushqehen figura kontroverse në emër të “shqiptarisë”, të cilat në realitet nuk janë figura kombëtare, sepse askush nuk ka luftuar për kombin në Mesjetë. Pra, promovohen fe dhe figura të caktuara në trevat shqiptare.
4) Qëllimisht u mbahet e manipuluar historia, sidomos historia e 500 viteve të fundit, që shqiptarët të kenë turp nga vetvetja, edhe pse këta ishin shekujt më të lavdishëm të shqiptarëve, kur ata u bënë të njohur nëpër botë. Nëpërmjet këtij manipulimi historiografik ushqehen komplekset e inferioritetit dhe, si rrjedhojë, de-islamizimi.
5) Qëllimisht përbuzet dhe përqeshet hapur çdo person që identifikohet si musliman, qoftë në veshje apo në besim.
6) Qëllimisht intimidohen muslimanët shqiptarë që të kenë frikë nga identifikimi si muslimanë, si në punë ashtu edhe në shkolla.
7) Qëllimisht, për t’i de-islamizuar, u ushqehen antivlerat antifamiljare nëpërmjet mediave vizive, duke filluar nga bashkëjetesa pa martesë e deri te programet si Big Brother, Përputhen, Love Island etj.
Këto metoda, të orkestruara nga qarqe të caktuara brenda dhe jashtë trevave shqiptare, janë antishqiptare dhe synojnë hapur de-islamizimin e rreth 80% të kombit tonë.
Por ata (antimuslimanët) nuk mund të përdorin dhunë fizike për konvertimin apo dëbimin e shqiptarëve, sepse vetë kombi shqiptar do të shkrihej nga një lëvizje e tillë. Muslimanët shqiptarë janë baza kryesore e kombit; pa ta nuk do të ekzistonte më komb shqiptar.
Në këto 30 vitet e fundit, në trevat shqiptare ka pasur dhe vazhdon të ketë diskriminim dhe islamofobi të theksuar. Kjo do të vazhdojë përderisa shqiptarët muslimanë e durojnë dhe e injorojnë atë.
U mbetet muslimanëve shqiptarë, pra shumicës së kombit, që të sensibilizohen, të mbrojnë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre.
Azem Kovaçi
Dhjetor 2025
