Ditarë nga Lufta e Gazës [100]
Artikulli i fundit
“Vërtet Allahu e çon deri në fund urdhrin e Tij”
Ky artikull është shkruar në ditët e fundme të luftës, në ditët më të rënda dhe më të dhimbshme të saj, dhe nuk u bë e mundur botimi i tij atëherë
Më kujtohet artikulli i parë që shkrova nga kjo seri, gati një vit e katër muaj më parë, në çastin e parë kur na u krijua mundësia të shkruanim. Nuk e kam menduar se do të arrinte numrin njëqind, por falënderimi i qoftë Allahut në çdo gjendje.
Kjo luftë është diçka e jashtëzakonshme, diçka aq e madhe dhe e rëndë, sa nuk kam menduar se do të jetonim për ta parë – apo për të parë diçka që i afrohet.
U linda në kohën e intifadës që njerëzit e quajnë “e para”, e përjetova atë; u rrita dhe hyra në universitet në prag të Intifadës së Aksasë; dhe më pas kam parë luftëra dhe ngjarje të shumta e të ndryshme. Por, për Zotin, sytë e mi nuk kanë parë kurrë si kjo; dhe askush në Gaza, sado e gjatë të jetë jeta e tij, nuk ka parë të ngjashme me të.
Unë kam përshkruar shumë nga ajo që kam parë e kam dëgjuar në artikujt e mëparshëm. Çdo herë mundohem ta tejkaloj, ta harroj, por nuk mundem. Si ta harroj, kur ai më ndjek në zgjim e në gjumë, ditë e natë, në çdo çast, sikur të ishte i përbashkët me mua, i ngjitur pas meje, pa më lënë të qetë?
Asgjë nuk e lehtëson dhimbjen tonë veç faktit se kjo është për hir të Allahut; dhe ne shpresojmë në shpërblimin e Tij, siç thotë Allahu:
“Ju shpresoni prej Allahut atë që ata nuk e shpresojnë.” (En-Nisa, 104)
Asgjë tjetër nuk na forcon e nuk na mban të palëkundur, veç mbetja e një grimce besimi, durimi dhe mendimi të mirë për Zotin tonë të Madhëruar:
“Dhe ata nuk u ligështuan për çfarë i goditi në rrugën e Allahut, nuk u dobësuan as nuk u nënshtruan, dhe Allahu i do durimtarët.” (Ali Imran, 146)
Poeti thotë:
“Tek ti e drejt te Ti udhëtojnë karvanët;
dhe prej Teje e vetëm prej Teje ka shpresë kërkuesi;
me Ty, e vetëm me Ty, dashuria merr kuptim;
larg Teje çdo fjalë është e rreme.”
Dhe nuk ka gjë që na lëndon më shumë e na përvëlon zemrën si ky tradhtim i madh nga këto regjime e qeveri të nënshtruara, të poshtra, të pabesa.
Mallkuar qofshin, lajthitshin rrugën dhe larg tyre qoftë çdo e mirë!
Sikur në zemrat e tyre të kishte qoftë edhe një grimcë besimi apo burrërie, nuk do të heshtnin për këtë, as nuk do të pajtoheshit me të. Por e zgjodhën jetën e kësaj bote mbi Ahiretin, ndërkohë që jeta e kësaj bote nuk është asgjë më shumë se mashtrim e zhgënjim.
Lufta do të mbarojë nesër… pastaj mbaron kjo botë… pastaj çfarë?
Pastaj vjen Ahireti. Sikur të mos kishte Ahiret, zemrat e besimtarëve do të ishin shkatërruar e copëtuar prej dhimbjes.
Poeti thotë:
“Çdo frymë e kësaj jete, sado e gjatë,
humbet në krahasim me jetën e dytë, atë të përjetshmen.”
Më rëndon shpirtërisht të shoh këta luanë trima të braktisur; dhe më dhemb të shoh këtë popull t’i dorëzohet si pre e ujqërve.
Çfarëdo që të mendosh – të jesh pro ose kundër kësaj lufte – ajo është një ngjarje ndarëse në historinë e vendit tonë, madje në historinë e umetit tonë. Ajo ka përshpejtuar faza, ka djegur vite të tëra të konfliktit dhe përplasjes mes nesh dhe armikut tonë; dhe nuk duhet assesi të jemi pas luftës ashtu si ishim para saj.
Ishte një luftë tepër e ashpër, dhe na mësoi mësime të mëdha – dhe të dhimbshme. Na zbuloi përpara vetes, na zbuloi njerëzit, botën, jetën dhe të vërtetën.
Kurrë më parë nuk i kemi parë gjërat siç i kemi parë në këto ditë; kurrë më parë të vërtetat nuk na janë bërë kaq të qarta; dhe kurrë më parë bota, njerëzit dhe lidhjet nuk na janë zvogëluar kaq shumë në shpirt.
Çdo ditë që kam jetuar kam pritur vdekjen time në çdo çast dhe kam pritur lajmin e humbjes së më të dashurve të mi në çdo çast.
Nuk kam menduar ndonjëherë se kaq shumë prova e sprova mund të mblidheshin mbi një popull, e megjithatë të kishte prej tyre të atillë që durojnë me këtë durim, që luftojnë me këtë luftë, dhe që qëndrojnë kështu!
O banorë të Gazës, nuk do të humbasë tek Allahu durimi juaj dhe qëndrueshmëria juaj. Shumë ka kaluar – pak ka mbetur.
Poeti thotë:
“Kur të agojë mëngjesi, lavdërohet ai që natën udhëtoi,
Atëherë kur mjegulla e gjumit largohet nga ta.”
Ju sot jeni nyja e bukurisë së umetit. Allahu ju ka zgjedhur për këtë nder, ju ka përzgjedhur për xhihad, për mbrojtje dhe përballje me njerëzit më të pabesë e më të egër.
I gjithë umeti shpreson tek ju, ju nderon, ju madhëron për sakrificat dhe qëndresën tuaj. Prandaj, bëhuni të devotshëm ndaj fesë, vendit dhe umetit tuaj.
Sa për këto artikuj: unë jam përpjekur që nga dita e parë të jem një zë i vendit tim, i familjes sime, i vëllezërve të mi – dhe jo kundër tyre. Të jem këshillues, jo mashtrues; ngushëllues dhe përforcues, jo dekurajues apo përhapës paniku.
Kam kërkuar udhëzim nga Allahu dhe jam konsultuar me njerëzit e besueshëm për shumë prej atyre që kam shkruar, me frikën se mos fjala bie në vend të gabuar apo sjell rezultat tjetër nga ai i synuari.
Allahu e di se nuk kam shkruar asnjë shkronjë për t’u treguar servil ndaj dikujt, e as për të fituar kënaqësinë e ndonjë njeriu. Dhe megjithatë nuk pretendoj për veten përsosmëri të sinqeritetit – kjo është e rrallë – por e shpresoj dhe ia kërkoj Allahut që të ma dhurojë, sepse Ai është më i miri për t’u lutur dhe më i miri ndihmues.
Më kanë ardhur shumë falënderime, lavdërime dhe gëzime për këto artikuj – nga dijetarë, të dashur dhe vëllezër në shumë vende – dhe unë e falënderoj Allahun për këtë dhe ia atribuoj vetëm Atij çdo të mirë, sepse Ai është garantuesi i çdo bukurie. Ai na mjafton dhe është mbrojtësi më i mirë.
Kam ecur në këtë rrugë me bekimin e Allahut, dhe nuk e kisha menduar ta kufizoja këtë seri në një numër të caktuar. Por kur arriti në njëqind, ndjeva nevojën të ndalem, megjithëse në shpirt kanë mbetur çështje dhe tema të tjera, të cilat shpresoj Allahu të më ndihmojë t’i shkruaj; nëse ndodh kjo, do t’i botoj të ndara, ose do t’i bashkoj me të mëparshmet, inshAllah.
Kam përfunduar gjithashtu serinë “Nga leximet e luftës”, e cila u botua e shpërndarë në rreth shtatëdhjetë artikuj që përfshijnë tetëdhjetë libra. E kam rishikuar ditët e fundit, e kam përpunuar, e kam indeksuar, dhe i kam shkruar një parathënie të përshtatshme. Ajo tani është gati për botim të përmbledhur – dhe shpresoj të jetë së shpejti, inshAllah.
Njësoj kam bërë edhe me këtë seri shënimes ditari dhe vëzhgimesh: e kam rishikuar, përmirësuar, shtuar, dhe kam korrigjuar gabimet në numërim; i kam shkruar parathënien, dhe shpresoj të dalë në dritë së shpejti, me vullnetin e Allahut.
Dhe nijet e vendim kam, inshAllah, të punoj për dy seri të tjera:
Një seri me biografi të disa prej atyre që kam njohur dhe që kanë rënë në këtë luftë – në të njëjtin stil siç bëra me disa prej tyre në “Ditari dhe vëzhgimet”. T’i bashkoj ata që shpresoj se në jetët e tyre ka mësime e shembuj, Allahu i pranoftë dhe na bashkoftë me ta në Xhenetet e begata.
Një seri për fitnet, shenjat e Kiametit dhe ngjarjet e fundit në vendet e Shamit. Për këtë kam shkruar një libër që u botua nga “Qendra e Studimeve Dokumentare Bejt el-Makdis” më shumë se dhjetë vjet më parë; puna ime tani do të jetë ta përmbledh, ta publikoj me kapituj, me përmirësime dhe shtesa që i përshtaten realitetit tonë aktual, inshAllah.
Dhe një tjetër seri me pyetjet e luftës, të cilat njerëzit i drejtojnë shpesh dhe kanë nevojë për përgjigje me sqarime dhe detaje. Kam mbledhur një pjesë të mirë të tyre dhe jam përgjigjur për disa në “Ditari dhe vëzhgimet”, si: pyetja e sprovës, pyetja e së keqes, pyetja e duasë, e të tjera.
Allahun e lus për ndihmë, lehtësi, drejtim e sinqeritet; dhe e lus Atë të na sjellë shpejt çlirimin për ne dhe për të gjithë myslimanët e shtypur nëpër vendet e Islamit; të na bëjë dëshmitarë të lavdisë së Islamit dhe myslimanëve; dhe të mos na marrë shpirtrat derisa Ai të ketë shëruar zemrat tona prej atyre që na kanë dhunuar, na kanë tradhtuar dhe kanë ushtruar padrejtësi ndaj nesh.
O Allah, Amin, Amin.
Bessam ibën Halil Es-Safadi
E premte, 3 Rebiul-Evvel 1447 h.
