Vështirësitë që i dalin përpara së djathtës në kodifikimin e armiqësisë ndaj myslimanëve
Debati është zhvilluar në vijën vijuese, ashtu siç e përshkruan Suzel Ramashoti (Suzel Ramaciotti), profesoreshë në Universitetin e Ruanit (Rouen) në Francë, në një studim të shkurtër të saj me titull: “Vëllazëria Myslimane dhe infiltrimi islamik… ide të shumta juridikisht të brishta”, të botuar nga Klubi i Avokatëve Francezë në muajin maj të vitit të kaluar:
Në dritën e elementeve të raportit të titulluar: “Vëllazëria Myslimane dhe Islami politik në Francë”, të cilin e bëri publik qeveria, nuk duket se kjo “lëvizje” është e organizuar si shoqatë, por përbën një ideologji të përbashkët për një numër të madh shoqatash islame (flitet për “280 shoqata të lidhura me lëvizjen, që veprojnë në sektorë të ndryshëm të jetës së myslimanëve: fetarë, bamirës, arsimorë, profesionalë, rinorë dhe financiarë”).
Dilema e parë për Ramashotin është se “ideologjia nuk luftohet me ligj”; sepse, në parim, liria e mendimit nuk lejon që ndonjë ideologji, sado “përçarëse” ose “destabilizuese”, të konsiderohet thjesht si mendim i kundërt. Kufizimet e vetme të lejuara ligjërisht janë ato që justifikohen me rendin publik, si për shembull: “vepra penale e thirrjes për terrorizëm”, të cilën e sanksionon neni 421-2-5 i Kodit Penal.
Ramashoti shkon deri aty sa të thotë se zgjidhja qëndron në atë që legjislatori francez mund ta shndërrojë atë ideologji në “thirrje për terrorizëm”; por ajo, pastaj, kujtohet se e frenon Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, pasi kjo gjykatë e konsideron se “liria e shprehjes zbatohet edhe për përhapjen e ideve që e fyejnë shtetin, që bien ndesh me të ose e shqetësojnë atë”.
Dilema e dytë, të cilën e diskutojnë “elitat” politike dhe juridike në Francë, është se “nëse legjislatori vendos ta ndalojë mbajtjen e shamisë (hixhabit) nga të miturat nën moshën pesëmbëdhjetë vjeç, do t’i duhet patjetër t’ia justifikojë këtë qëndrim Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”; pra: si do t’i pajtojë ligji lirinë e vajzës për të veshur hixhabin me lirinë e saj për të mos e veshur atë?
(Siç shihet qartë, kjo çështje nuk ka asnjë lidhje reale me Vëllazërinë Myslimane; përkundrazi, ajo godet në zemër të dëshirës së vetë vajzës për të mbajtur hixhab, dhe përpiqet të gjejë mënyra për të anashkaluar Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në këtë pikë – derisa të vijë koha që edhe ajo gjykatë të devijojë dhe të kufizojë të drejtat e vajzave për të mbajtur hixhab, pasi tashmë i ka lejuar Francës ta kufizojë mbajtjen e nikabit.)
Zgjidhja, sipas kësaj “elite”, është rritja e rasteve në të cilat ndalohet mbajtja e hixhabit, pa e ndaluar atë tërësisht, në mënyrë që ndalesa të mos kufizohet vetëm në shkolla e institucione të përafërta – kështu ligji francez do të arrijë të anashkalojë ligjet evropiane mbizotëruese.
Po ashtu, ka edhe një dilemë të tretë, çështjen e identitetit në përgjithësi; disa politikanë dhe juristë kërkojnë të ringjallin projektligjin kushtetues të vitit 2020, ku ideja e ndryshimit të kushtetutës ishte shtimi i një paragrafi në nenin e parë, i formuluar kështu:
“Asnjë individ ose grup nuk ka të drejtë të thirret në prejardhjen apo fenë e tij për të përjashtuar veten nga respektimi i rregullit të përgjithshëm.”
Dilema e katërt: racizmi
Për Kristian Riu (Christian Riou)[1], “vështirësia tejet e madhe në luftimin e ‘Vëllazërisë’ (në shembuj, në fakt nënkuptohen vetë ritet e Islamit) buron nga fakti se shoqëria demokratike respekton të drejtat individuale, dhe është bërë shumë e ndjeshme ndaj çdo akuze për racizëm ose islamofobi; dhe pikërisht këtë e shfrytëzojnë këta ekstremistë qëllimisht, për të penguar çfarëdo kritike, qoftë edhe minimale, ndaj Islamit.
Ky është një transformim i çuditshëm, në të cilin, me ndihmën e një rryme të caktuar të majtë, organizatat më të ‘paditura’ janë bërë sot ato që i akuzojnë shoqëritë demokratike për racizëm.”
Domethënë, sipas këtij këndvështrimi, këta “ekstremistë” nuk kanë të drejtë të akuzojnë të tjerët për racizëm, përderisa ata vetë qenkan të zhytur në “xhahilijje”!
Dilema e pestë: vetë Islami!
Qeveria franceze ka zgjedhur organin që përfaqëson myslimanët – dhe në krye të tij është “Delil Abu Bekr” (Dalil Abou Bakr), imami i Xhamisë së Parisit, i njohur për pikëpamjet e tij të çuditshme mbi “Islamin francez” dhe nënshtrimin e Islamit për t’u bërë “francez”.
Nga ana e tij, Këshilli Islamik Francez, i kryesuar nga Dalil Abu Bekr, zgjodhi në vitin 2006 imam Abdelkader Arabi si imamin e parë në historinë e Francës në ushtrinë franceze. Babai i “Arabit” kishte shërbyer po ashtu në ushtrinë franceze para tij. Mirëpo, sapo “Arabi”[2] botoi një artikull në revistën ushtarake “Inflections”[3], me titull: “Xhihadi, një luftë ‘e drejtë’”, ku ai përmendte se Islami ka vendosur etikë të luftës shumë kohë përpara Konventave të Gjenevës dhe se e drejta islame i ka paraprirë së drejtës ndërkombëtare – si për shembull detyrimi për trajtimin njerëzor të armikut – dhe e konsideronte xhihadin si një parim human, larg terrorizmit;
E gjithë kjo e shtyu gazetaren e tërbuar An Sofi Nuzharje (Anne-Sophie Nogaret) të deklarojë se, përmes udhëzimit të Arabit për “moralin ushtarak islam”, ideologjia e Vëllazërisë Myslimane është “infiltruar” në një raport që kishte për qëllim ta denonconte atë! – sipas formulimit të saj në raportin e titulluar: “Infiltrimi islamik: rekomandime që i ngjajnë shumë projektit të Vëllazërisë Myslimane”.
Nuzharje dënon gjithashtu në raportin e saj konceptin e “ummetit” tek myslimanët, pasi ai bie ndesh me konceptet republikane; kjo e bën, sipas saj, myslimanin e “radikalizuar” (dhe jo vetëm atë!) të papërshtatshëm për t’u integruar në shoqërinë franceze.
…
Vërejmë se fushata nxitëse e majit të kaluar në mediat franceze, e cila i parapriu me disa javë mbledhjes së Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare, madje kjo fushatë propagandistike e filluar fuqishëm që nga dekada e kaluar, ia doli të formësojë një opinion publik mbi të cilin u mbështet raporti i fundit mbi Vëllazërinë Myslimane në korrikun e kaluar. Kjo, nga ana e vet, çoi në vendimin e Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare, në mbledhjen e mbajtur më 7 korrik të kaluar, nën kryesinë e Emmanuel Macron-it, për të miratuar “parimin e ashpërsimit të masave të mbikëqyrjes dhe ngrirjes së aseteve, si edhe vendosjen e sanksioneve ndaj shoqatave që konsiderohen sektare ose islamike”; kështu filloi procesi i vënies së dorës së republikës franceze mbi asetet e shoqatave të dyshuara, për të përfunduar – pa prova – në konkluzionin se ato i përkasin Vëllazërisë Myslimane.
E megjithatë, bëhet fjalë për një organizatë për të cilën më shumë se një raport i sigurisë franceze pohon se anëtarët e saj variojnë mes 400 dhe 1000 vetash, ndërkohë që – për shkak të “infiltrimit të supozuar” në shoqërinë franceze – janë dënuar në praktikë më shumë se tetë milionë myslimanë. Thuhet se shumë prej tyre preferojnë shkollat e shoqatave islame, që dyshohet të jenë të lidhura me këtë organizatë – pa asnjë provë të mirëfilltë.
Macron nuk u mjaftua me kaq, por kërkoi ndërmarrjen e masave “më ambicioze”, duke i konsideruar propozimet e qeverisë së mëparshme “të pamjaftueshme”.
Ai përgëzoi gjithashtu shumë media për “punën e shkëlqyer që kryen” (në nxitjen kundër myslimanëve), dhe shpalli zgjerimin e fushës së procedurave të shpërbërjes administrative të organizatave, e cila deri atëherë ishte e kufizuar vetëm në entitete juridike, por tani do të prekte edhe fondet e vakëfeve.
(Këto masa janë thuajse identike me ato që po zbaton kryeministri indian i ekstremit të djathtë, Narendra Modi, i cili e ka vënë dorën mbi vakëfet e myslimanëve në Indi përpara se ta bënte këtë Macron.)
Për më tepër, u shtua edhe një masë tjetër: “një sistem i detyruar për likuidimin e aseteve të organizatave të shpërbëra”, sipas të cilit gjykata kompetente – sapo njoftohet nga administrata – cakton një kujdestar (likuidues) për t’u marrë me procesin e likuidimit (një proces “ligjor” grabitjeje dhe plaçkitjeje të pasurisë së myslimanëve)[4].
Këshilli i Mbrojtjes vendosi gjithashtu “forcimin e trajnimit të imamëve në vendin tonë”, në mënyrë që “të çlirohemi realisht nga varësia e tepruar prej vendeve të tyre të origjinës” (një fe “krejtësisht franceze”!).
Edhe pse ka edhe zëra të tjerë që kundërshtojnë këtë racizëm dhe këtë frymë të kryqëzatave në Francë – sidomos në radhët e së majtës – megjithatë këta zëra nuk kanë ndikim të madh në uljen e gjendjes së tërbimit dhe histerisë qeveritare e parlamentare, të cilat ushqehen nga një mbështetje popullore që vjen nga vetë zemra e vendit të kryqëzatave historike.
Dhe biseda vazhdon…
[1] Në gazetën Le Devoir, 23/5/2025
[2] Allahu e ka marrë në mëshirën e Tij vite më parë, Allahu e mëshiroftë.
[3] Inflections, shkurt 2008.
[4] Gazeta Le Monde, 7/7/2025
