Shpërfillja e interesave personale për hir të sinqeritetit (Një qasje pak më ndryshe mbi nijetin dhe sinqeritetin)

Më të lexuarat

Në librat e dijetarëve është përhapur e bërë e zakonshme thënia se:
“Sinqeriteti nuk është i vlefshëm veçse me shkëputje të plotë”, domethënë: me largimin e çdo qëllimi tjetër përveç kërkimit të Fytyrës së Allahut të Lartësuar, duke u pastruar krejtësisht nga çdo pjesë e vetes.

Mirëpo kjo është një thënie e çuditshme si nga pikëpamja fetare, ashtu edhe nga ajo mendore; sepse ligji fetar nuk ka urdhëruar një shkëputje të tillë. Përkundrazi, ai ka nxitur në xhihad dhe ka premtuar fitim: “Allahu ju ka premtuar gjah të shumtë, prej të cilit do të përfitoni.”

Profeti (Alejhi selatu ue selam) ka thënë: “Kush vret një njeri në luftë dhe e vërteton këtë, ai e gëzon plaçkën e tij.”

Kështu, kërkimi i shpërblimit të kësaj bote nuk e kundërshton sinqeritetin në vetvete, përveç nëse e kalon masën. Njeriu ka nevoja nga të mirat e kësaj bote, të cilat Allahu i ka lejuar, që njeriu të forcohet për bindjen ndaj Tij. Bota është mjeti drejt botës tjetër, dhe nuk është e mundur të braktiset plotësisht ajo, përveçse në një asketizëm të shpikur, që prish si fenë, ashtu edhe botën.

Si do të ngrihej feja, po të mos ishte ndihma e të mirave të kësaj bote?

Ajo që i joshi disa në këtë thënie ishin disa rryma sufiste, të cilat tejkaluan kufijtë dhe shkuan edhe më larg, duke mohuar edhe kërkimin e shpërblimeve të botës tjetër, nga kënaqësitë e ndjeshme të xhenetit. Ata e konsideruan këtë si dobësi në sinqeritet. Disa prej tyre lexuan fjalën e Allahut:

“Disa prej jush dëshirojnë botën, e disa dëshirojnë botën tjetër.” e pastaj bërtiti duke thënë:
“Po ku është ai që dëshiron Allahun?”

Në këtë kuadër vjen edhe thënia e tyre e famshme:
“Të adhuroj për Ty, jo për xhenet e as për zjarr.”

Disa prej këtyre ideve sufiste u përhapën te disa dijetarë të sunetit, të cilët e panë të bukur shkëputjen nga interesat e vetes, si pasuria apo pozita, megjithëse kërkimi i këtyre interesave, nëse bëhet me qëllim shfrytëzimi në shërbim të fesë dhe forcimit të saj, është më i shpërblyer sesa të mos i kesh fare ato.

Në hadithin e njohur të “pasanikëve me shumë pasuri”, thuhet: “Të varfrit ndër muhaxhirë u kthyen te i Dërguari i Allahut (Alejhi selatu ue selam) dhe i thanë:
‘Vëllezërit tanë të pasur dëgjuan për atë që ne bëmë (d.m.th. për dhikrin që na mësove), dhe edhe ata e bënë.’
Profeti(Alejhi selatu ue selam)tha: ‘Kjo është dhuntia e Allahut; Ai ia jep kujt të dojë.’”

Pra, njerëzit e pasur u barazuan me të varfrit në dhikër dhe i tejkaluan ata në sadaka dhe çlirim robërish.
E si do të bëheshin të pasur, sikur të mos kishin synuar edhe interesin e vetes dhe shpërblimin e kësaj bote?

Prandaj, interesi i vetes nuk është i qortueshëm në mënyrë absolute, përveçse kur tejkalon kufirin. Në shumë raste ai është i dobishëm dhe nuk e cenon sinqeritetin. Librat e sunetit kanë nevojë të pastrohen nga pasojat e sufizmit.

Dr. Lutfullah Hoxha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit