Ky është djaloshi që shuajti etjen e gjysmë milioni afrikanësh. Quhet Rayan, ka lindur në Kanada, në maj të vitit 1991.
Kur ishte vetëm gjashtë vjeç, mësuesja i tregoi për jetën e fëmijëve në Afrikë. Rayan u trondit thellë kur mësoi se disa prej tyre vdisnin nga etja, ndërkohë që ai mund të shkonte lehtë te çezma dhe të mbushte ujë të pastër. Ai e pyeti mësuesen sa kushton të sigurohet ujë për fëmijët afrikanë. Ajo i përmendi një organizatë me emrin WaterCan, e cila mund të hapte puse për rreth 70 dollarë.
Rayan u kthye në shtëpi dhe i tha menjëherë nënës së tij, Susan, se i duheshin 70 dollarë për të blerë një pus për fëmijët afrikanë. Nëna iu përgjigj se do të duhej t’i fitonte vetë ato para, prandaj filloi t’i jepte punë të vogla në shtëpi, përmes të cilave Rayan fitonte disa dollarë çdo javë.
Më në fund, ai mblodhi 70 dollarët dhe kontaktoi organizatën WaterCan, por ata i thanë se kostoja e vërtetë e hapjes së një pusi ishte 2000 dollarë. Nëna e tij i shpjegoi se nuk mund të siguronte aq shumë para, por Rayan nuk u dorëzua; qi premtoi se do të kthehej me gjithë shumën e nevojshme.
Ai vazhdoi të punonte, të ndihmonte fqinjët, të mblidhte donacione dhe t’i frymëzonte vëllezërit, miqtë dhe lagjen që të kontribuonin, derisa arritën të mbledhin shumën e plotë. Në janar 1999, pusi u hap në një fshat në veri të Ugandës.
Pasi përfundoi pusi, shkolla e Rayanit ndihmoi në krijimin e një lidhjeje me një shkollë pranë atij fshati. Aty ai u njoh me Akanin, një djalë që çdo ditë përballej me shumë vështirësi për të shkuar në shkollë. Rayan u prek aq shumë, sa kërkoi nga prindërit që ta çonin në Afrikë për ta takuar. Në vitin 2000, ai mbërriti në fshat, ku qindra njerëz e pritën me brohoritje, duke formuar një korridor nderi dhe duke thirrur emrin e tij.
I habitur, Rayan e pyeti udhërrëfyesin:
“A e dinë ata vërtet emrin tim Udhërrëfyesi iu përgjigj:
“Çdo njeri brenda një perimetri prej 100 kilometrash e di emrin tënd.”
Sot, Rayan është 33 vjeç. Ai drejton organizatën e tij dhe ka hapur më shumë se 400 puse në Afrikë. Ai kujdeset gjithashtu që të ofrojë arsimim dhe trajnim për banorët vendas mbi mënyrën e mirëmbajtjes së puseve dhe menaxhimit të burimeve ujore.
Ndërsa ne shpesh e humbim kohën me gjëra të parëndësishme, nuk ka gjë më fisnike se të nderosh një hero të vërtetë.
– Imad Elmisri
Historia e Rayanit: Djaloshi që shuajti etjen e gjysmë milioni afrikanësh
