Inteligjenca artificiale dhe pasqyrimi i një bote të njëanshme

Më të lexuarat

Kur flasim për inteligjencën artificiale, shpesh mendojmë për neutralitet e objektivitet. Por një studim i fundit i Harvardit, i titulluar “Cilët njerëz?”, na kujton se edhe makinat mësojnë nga njerëzit – dhe kështu trashëgojnë kulturat, botëkuptimet dhe paragjykimet e tyre.

Studiuesit krahasuan përgjigjet e modeleve gjuhësore, si ChatGPT, me anketat kulturore dhe psikologjike të më shumë se 90 mijë njerëzve nga 65 vende. Rezultati ishte i qartë: këto modele mendojnë dhe përgjigjen më shumë si një qytetar i vendeve perëndimore të pasura dhe demokratike – ajo që në literaturë njihet si WEIRD: Western, Educated, Industrialized, Rich, Democratic (Perëndimor, i Arsimuar, Industrial, i Pasur, Demokratik).

Sa më larg të jemi nga ky bosht kulturor, aq më pak arrijnë modelet të përngjasojnë me mënyrën e të menduarit të shoqërive të tjera. Popuj si ai i Pakistanit apo Etiopisë përjetuan hendekun më të madh mes përgjigjeve të tyre dhe atyre të inteligjencës artificiale.

Shkaku? Të dhënat

Modelet gjuhësore ushqehen me miliona faqe nga interneti, kryesisht në gjuhën angleze, ku zëri dominues është ai perëndimor. Edhe kur kompanitë përpiqen të filtrojnë gabimet, paragjykimet apo gjuhën e urrejtjes, kriteret e përdorura janë sërish të bazuara mbi vizionin perëndimor të asaj që konsiderohet “e drejtë” dhe “e gabuar”.

Pse ka rëndësi?

Në bisedat e përditshme kjo njëanshmëri mund të duket e padëmshme. Por kur këto modele përdoren në arsim, media apo edhe në marrjen e vendimeve politike dhe ekonomike, atëherë pyetja bëhet thelbësore:
Si do t’i përfaqësojë inteligjenca artificiale vlerat dhe përparësitë e shoqërive jo-perëndimore, nëse gjykimi i saj është i formuar nga një mentalitet kryekëput perëndimor?

Ky nuk është vetëm një debat teknik, por një sfidë kulturore dhe etike. Nëse nuk ndërtojmë modele që reflektojnë shumëllojshmërinë e botës, atëherë rrezikojmë që teknologjia e së ardhmes të kthehet në jehonë të një bote të njëanshme – një bote që nuk pasqyron gjithë njerëzimin.
Dr. Halid Sakr

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit