Trump pranon t’i shesë aleatit gjenocidist helikopterë dhe automjete të blinduara
Administrata e Donald Trump ka informuar Kongresin se synon të vazhdojë me shitjen e pajisjeve ushtarake me vlerë gati gjashtë miliardë dollarë Izraelit, në një shenjë të re mbështetjeje për aleatin e ngushtë të SHBA-së, në një kohë kur vendi përballet me izolim ndërkombëtar në rritje për shkak të një gjenocidi që po ushtron në Gaza.
Sipas një zyrtari amerikan, paketa përfshin një shitje prej 3.8 miliardë dollarësh të 30 helikopterëve sulmues AH-64 Apache, duke dyfishuar pothuajse flotën ekzistuese të Izraelit, si dhe 3,200 automjete të blinduara këmbësorie me vlerë 1.9 miliardë dollarë për IDF. Në të njëjtën kohë, është duke u zhvilluar një proces miratimi për 750 milionë dollarë në pjesë këmbimi për automjete të blinduara dhe sisteme energjie.
Dërgesat e sistemeve të armëve nuk priten për dy deri në tre vjet ose më shumë. Shitjet vijnë në një kohë kur përpjekjet e SHBA-së për të ndërmjetësuar për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare në Lindjen e Mesme janë “ngrirë”, ndërsa sulmi i fundit izraelit ndaj zyrtarëve të Hamasit në Doha të Katarit ka provokuar reagime të forta nga shtetet arabe në rajon.
Pavarësisht protestave ndërkombëtare dhe presionit nga demokratët e Senatit për të bllokuar shitjet e armëve sulmuese, Uashingtoni ka vazhduar mbështetjen e tij për Izraelin. Departamenti i Shtetit nuk pranoi të komentojë mbi marrëveshjet e reja, të cilat u raportuan nga mediat amerikane.
Administrata Biden kishte ngrirë më parë dërgesat e një serie bombash për shkak të shqetësimeve për viktimat civile, por Trump e hoqi embargon me marrjen e detyrës në janar. Vetëm këtë vit, administrata Trump ka miratuar rreth 12 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Izraelin, duke përfshirë një shitje prej 500 milionë dollarësh të kompleteve udhëzuese për bombat në qershor.
Paketa e re prej gjashtë miliardë dollarësh iu dërgua Kongresit një muaj më parë. Siç është zakon, komitetet e Kongresit së pari kryejnë një shqyrtim joformal përpara se kërkesat t’i dërgohen Departamentit të Shtetit për miratim formal. Shitjet janë pjesë e një marrëveshjeje dhjetëvjeçare për bashkëpunimin në mbrojtje SHBA-Izrael që po i afrohet fundit të saj. /tesheshi.com/
