Varfëria më e madhe e robit është nevoja e tij për t’ia kushtuar adhurimin vetëm Allahut, të Lartësuarit, pa i shoqëruar Atij asgjë. Kjo nevojë nuk ka të ngjashme që mund të krahasohet, por në një masë të caktuar i përngjan nevojës së trupit për ushqim, ujë dhe frymëmarrje. Megjithatë, mes tyre ka dallime të mëdha. Thelbi i njeriut është zemra dhe shpirti i tij, dhe këto nuk gjejnë shëndet e qetësi veçse me Zotin e tyre të vërtetë, Atë që nuk ka zot tjetër përveç Tij. Nuk qetësohen veçse me përmendjen e Tij, nuk gjejnë prehje veçse me njohjen dhe dashurinë ndaj Tij. Sepse njeriu është udhëtar që lodhet drejt Tij, dhe padyshim do ta takojë Atë. Dhe nuk ka shpëtim për të veçse duke ia kushtuar tërë dashurinë, adhurimin, frikën dhe shpresën vetëm Atij.
Edhe sikur t’i shijonte kënaqësitë e botës e gëzimet me të tjerët, ato nuk do t’i mbeteshin përherë: herë kalon nga një lloj në tjetrin, herë nga një person në tjetrin; herë shijon këtë gjë në një kohë, e herë një tjetër në një kohë tjetër. Shpeshherë, ajo që mendon se i sjell lumturi, kthehet të jetë burimi më i madh i dhembjes dhe dëmit të tij. Por Zoti i tij i Vërtetë i duhet në çdo kohë e në çdo gjendje, kudo që të ndodhet. Vetë besimi tek Ai, dashuria për Të, adhurimi, madhërimi dhe përmendja e Tij janë ushqimi i shpirtit, forca e zemrës, shëndeti dhe qëndrueshmëria e njeriut. Këtë e dëshmojnë njerëzit e besimit, e ka vërtetuar Suneti dhe Kurani, e ka dëshmuar natyra njerëzore dhe shpirti i brendshëm.
Jo siç thonë ata që u ka rënë hise e vogël nga njohja dhe përvoja, të cilëve u është mangësuar pjesa nga e mira e Zotit: se adhurimi, përmendja dhe falënderimi ndaj Tij janë thjesht ngarkesë dhe lodhje, vetëm për provë e sprovë; ose thonë se janë thjesht shkëmbim për shpërblim në këmbim, ose vetëm ushtrim i shpirtit për ta ngritur nga niveli i kafshëve. Këto janë fjalët e atyre që iu pakësua dija për të Gjithëmëshirshmin, e varfëruan nga shijimi i të vërtetave të besimit dhe u kënaqën me shkumën e mendimeve e mbeturinat e imagjinatës.
Por në të vërtetë, adhurimi i Allahut, njohja e Tij, njëshmërimi dhe falënderimi ndaj Tij janë freskia e syrit të njeriut, kënaqësia më e lartë e shpirtit, lumturia më e pastër e zemrës dhe begatia më e ëmbël që mund të arrijë ai që është i denjë për këtë strehë madhështore. Allahu është ndihmuesi ynë, dhe tek Ai mbështetemi.
—Ibn Kajim, Ighathetu’l-Lahfan (Shpëtimi i Zemrës së Dëshpëruar)
