Çfarë kërkon Hikmat al-Hijri nga qeveria siriane?

Më të lexuarat

Çfarë kërkon Hikmat al-Hijri nga qeveria siriane?

Në zemër të krizës politike dhe ushtarake në jug të Sirisë, një emër vazhdon të ngjallë debat dhe polarizim: Sheiku Hikmat al-Hijri – udhëheqësi shpirtëror i komunitetit druz në provincën e Suvejdasë. Dikur një përkrahës i bindur i regjimit të Bashar al-Asadit, ai është shndërruar pas vitit 2021 në një nga kundërshtarët më të zëshëm të pushtetit të ri në Damask, duke ngritur kërkesa që bien ndesh me strukturën tradicionale të shtetit sirian.

Nga besnik i regjimit, në simbol të opozitës

Për më shumë se një dekadë, al-Hijri qëndroi pranë regjimit të Asadit. Ai jo vetëm që e mbështeti publikisht, por edhe bashkëpunoi në nivel praktik me shërbimet e sigurisë dhe forcat ushtarake, duke inkurajuar rekrutimin e të rinjve druza në ushtri dhe duke mirëpritur milici të huaja si “Harakat al-Nuxhba” nga Iraku në vitin 2017.

Por në vitin 2021, gjithçka ndryshoi. Një telefonatë përçmuese nga një oficer i inteligjencës së regjimit, përjashtimi i tij nga disa kompetenca fetare në favor të rivalit të tij Sheikh Yusuf Jarbua, si dhe përkeqësimi dramatik i kushteve ekonomike, e shtynë drejt mbështetjes së protestave antiqeveritare në Suvejda. Ky ishte fillimi i një kursi të ri konfrontues, që do të kulmonte pas rrëzimit të Bashar al-Asadit në fund të vitit 2024.

Cilat janë kërkesat e tij ndaj qeverisë siriane të re?

Al-Hijri, në rolin e tij si “kryeprift shpirtëror” i komunitetit druz në Suvejda, ka artikuluar një seri kërkesash politike, fetare dhe administrative, që përbëjnë një vizion radikal të decentralizimit dhe autonomisë. Këto kërkesa përfshijnë:

1. Refuzimi i “qeverisë me një ngjyrë”

Ai e quan administratën e re siriane një “regjim terrorist”, sidomos pas miratimit të një deklarate kushtetuese në fillim të vitit 2025, që e vendoste fikhun islamik si një nga burimet kryesore të legjislacionit. Për al-Hijrin, kjo përbën një rrezik për komunitetet jokomente në Siri dhe është shprehje e hegjemonisë politike dhe religjioze të një grupi mbi të tjerët.

2. Kundërshtimi i pranisë së ushtrisë dhe forcave të sigurisë në Suvejda

Ai kërkon mospraninë e ushtrisë në krahinë, por në të njëjtën kohë kundërshton që vetë liderët lokalë të druza, si Lajth al-Balaus apo Sulejman Abd al-Baqi, të menaxhojnë sigurinë në bashkëpunim me qeverinë. Ai këmbëngul për rikthimin e figurave të vjetra të inteligjencës së regjimit të mëparshëm, duke ngritur dyshime për qëllimet e tij reale.

3. Autonomi për Suvejdan dhe mbrojtje ndërkombëtare

Ai kërkon model të decentralizuar, ku Suvejda të ketë menaxhim të pavarur, e mbështetur nga një regjim demokratik laik. Në disa raste, ka kërkuar mbrojtje ndërkombëtare, e madje ka kërkuar ndihmë direkte nga Izraeli dhe SHBA, gjatë përplasjeve të fundit me forcat besnike të qeverisë së re.

4. Kundërshtimi i konferencave kombëtare pa përfshirjen e tij

Al-Hijri refuzoi konferencën kombëtare të mbajtur në fillim të 2025 nga autoritetet e reja, sepse nuk u ftua si përfaqësues fetar, duke e konsideruar atë si tentativë për të anashkaluar rolin e tij shpirtëror e politik.

5. Kërkesë për një kushtetutë të re dhe tranzicion nën mbikëqyrje ndërkombëtare

Ai kërkon një proces kushtetues të ri dhe tranzicion politik nën vëzhgimin e organizatave ndërkombëtare, duke vënë në dyshim legjitimitetin e qeverisë aktuale.

6. Hapja e korridoreve me zonat e kontrolluara nga Forcat Demokratike Siriane (FDS) dhe Jordania

Një kërkesë që ka shqetësuar shumë aktorë në Siri, pasi ndërlidhet me projektin e dyshuar të “korridorit të Davidit” që përflitet se e mbështet Izraeli – një lidhje territoriale nga Izraeli drejt verilindjes së Sirisë përmes Suvejdasë dhe zonave të bregut lindor.

Një lider fetar, apo aktor politik i mbështetur nga jashtë?

Shumë vëzhgues pyesin sot: A është Hikmat al-Hijri thjesht zëri i komunitetit druz, apo një instrument i forcave rajonale që synojnë copëtimin e Sirisë?
Lidhjet e tij me Muafak Tarifin – kreun shpirtëror të druza në Izrael dhe një figurë me lidhje të forta me ushtrinë izraelite – si dhe kontaktet me zyrtarë amerikanë dhe figura të FDS-së, e përforcojnë perceptimin se al-Hijri ka kaluar përtej kufijve të përfaqësimit shpirtëror, dhe është pozicionuar si aktor separatist me agjendë ndërkombëtare.

Konkluzion: Ndërmjet autonomisë dhe destabilizimit

Për shumë sirianë, kërkesat për laicitet, demokraci dhe barazi mes komuniteteve fetare janë legjitime. Por kur këto kërkesa kombinohen me bashkëpunim të hapur me Izraelin dhe përjashtim të çdo kompromisi me qeverinë qendrore, atëherë lind rreziku i ndarjes, përçarjes dhe instrumentalizimit të komuniteteve minoritare në funksion të agjendave të huaja.

Hikmat al-Hijri nuk është më thjesht një lider fetar. Ai është kthyer në simbolin e një krize të re siriane – atë të decentralizimit të imponuar nga jashtë, në një vend që ende nuk ka mbyllur plagët e luftës.

Përgatiti dhe përpunoi në shqip: [kohaislame.com]
Burimi kryesor: Al Jazeera – 21 korrik 2025

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit