Kanali izraelit 12 raportoi se Kryeministri Benjamin Netanyahu i ka dhënë një premtim ministrit të Financave në qeverinë e tij, Bezalel Smotrich, për vazhdimin e luftës në Gaza pas marrëveshjes për armëpushim, për të cilën po zhvillohen aktualisht bisedime në Doha, Katar.
Sipas raportit të transmetuar nga kanali, ky premtim është dhënë gjatë mbledhjeve të qeverisë që pasuan kthimin e Netanyahut nga Uashingtoni. Ai i ka konfirmuar Smotrich-it se Izraeli do të rifillojë luftën kundër Hamasit në Gaza pas përfundimit të një armëpushimi të përkohshëm 60-ditor.
Raporti gjithashtu përmend se Netanyahu i ka thënë Smotrich-it:
“Pas armëpushimit, do të zhvendosim popullatën e Gazës drejt jugut dhe do të vendosim një rrethim mbi pjesën veriore të Rripit të Gazës.”
Smotrich ka kërkuar garanci nga Netanyahu që lufta në Gaza do të rifillojë me gjithë forcën pas përfundimit të armëpushimit, në mënyrë që Izraeli të marrë pengjet që ndodhen ende në duart e Hamasit dhe më pas të vazhdojë ofensivën.
Sipas raportit, Netanyahu në mbledhje të mbyllura ka prezantuar një plan izraelit për ndarjen e popullsisë civile nga luftëtarët e Hamasit, duke i përqendruar në një brez të jugut të Gazës, si një nevojë “humanitare”, me qëllim që lufta të vazhdojë pas përfundimit të pauzës së përkohshme.
Ai i ka thënë Smotrich-it gjithashtu se përballja e fundit me Iranin muajin e kaluar ka ndikuar që të mos realizohen pritshmëritë e mëparshme të Smotrich-it për shkatërrimin e Hamasit.
Kanali 12 citoi Netanyahun t’i ketë thënë Smotrich-it:
“Derimë tani kam qenë i zënë me çështjen e Iranit. Tani do të përqendrohem për të siguruar që ushtria të zbatojë udhëzimet e mia.”
Ndërkohë, në Doha po zhvillohet një rund i ri i bisedimeve jo të drejtpërdrejta mes Hamasit dhe Izraelit, me ndërmjetësim nga Katari dhe Egjipti, si dhe pjesëmarrje amerikane, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve.
Burimi: agjencia gjermane DPA + Al Jazeera Mubasher
