Gaza po përballet me një krizë të rëndë humanitare, pasi bankat e gjakut janë drejt shterimit dhe shërbimet shëndetësore po dështojnë përballë numrit të lartë të të plagosurve dhe të sëmurëve. Sipas një artikulli të publikuar nga Al Jazeera, mungesa e gjakut po kërcënon jetën e qindra pacientëve çdo ditë.
Në spitalin Nasser, kërkesat për donacione gjaku janë bërë të përditshme, por shumica e dhuruesve janë të kequshqyer dhe gjaku i tyre nuk mund të përdoret. Drejtues të spitalit thonë se nevojiten rreth 400 njësi gjaku në ditë, por furnizimi është minimal.
Situata është përkeqësuar nga bllokada izraelite që ka penguar hyrjen e ushqimit, karburantit dhe ndihmave mjekësore. Spitalet janë gjithashtu pa energji elektrike, oksigjen dhe furnizime bazë. Inkubatorët për foshnjat, makinat e dializës dhe laboratorët janë jashtë funksionit për shkak të mungesës së karburantit.
Ndërkohë, popullsia civile vuan nga uria. Familjet në Khan Younis raportojnë se hanë vetëm një vakt në ditë, zakonisht makarona ose oriz, pasi çmimet e miellit janë bërë të papërballueshme. Fëmijët kanë humbur ndjeshëm në peshë dhe vuajnë nga kequshqyerja.
Organizatat ndërkombëtare si UNRWA dhe OCHA paralajmërojnë për një katastrofë të plotë nëse nuk ndërpritet menjëherë bllokada dhe nuk lejohen ndihmat humanitare të hyjnë lirshëm në territor.
Gaza po përjeton një krizë shëndetësore dhe humanitare të paprecedentë, ku mungesa e gjakut është vetëm një nga shumë dimensionet e tragjedisë që po ndodh përballë heshtjes së bashkësisë ndërkombëtare. /mesazhi
