Infermieri nga Uellsi i bën thirrje botës për ndalimin e gjakderdhjes në Gaza

Më të lexuarat

Infermieri nga Uellsi, Leigh Evans i cili është rrënjosur në memorie për imazhin e tij ku qante dhe i lutej policisë egjiptiane në pikën kufitare “Rafah” që ta lejonte të kalonte gjatë marshimit global në të cilin mori pjesë për të dërguar ndihmë humanitare në Rripin e Gazës nën sulmet dhe bllokadën intensive izraelite, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë veprime për të ndaluar gjakderdhjen në Gaza, raporton Anadolu.

“Marshimi Global i Gazës”, i cili u formua muajin e kaluar me pjesëmarrjen e aktivistëve nga e gjithë bota për të thyer bllokadën izraelite të Gazës, nuk mundi të mbahej për shkak të mungesës së lejes nga autoritetet egjiptiane.

Aktivistët planifikuan të takoheshin në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro, dhe të marshonin drejt pikës kufitare “Rafah”, por forcat e sigurisë egjiptiane ndërhynë ndaj mijëra vullnetarëve që donin të sillnin ndihmë humanitare në Gaza.

Thirrja që bëri infermieri i urgjencës dhe aktivisti Evans, pjesëmarrës në këtë marshim nga Uellsi, Mbretëria e Bashkuar, duke u gjunjëzuar me lot para policisë egjiptiane në pikën kufitare “Rafah”, mori vëmendje të gjerë në mbarë botën.

Fjalët e infermierit Evans, “Ku është zemra juaj? Ju lutemi na lejoni të ecim drejt Palestinës. Ju lutem, ju lutem. Qëndroni pranë muslimanëve për dashuri, për njerëzim, për Islam”, prekën ndërgjegjen dhe u gdhendën në kujtimet e miliona njerëzve.

Infermieri Evans që jeton në Uells dhe ka qenë në Gaza shumë herë në vitet e kaluara, i shpjegoi gazetarit të AA-së në Londër për momentet emocionale që përjetoi në pikën kufitare “Rafah” midis Gazës dhe Egjiptit.

– “I hapa zemrën time policisë egjiptiane”

Infermieri i shërbimit të urgjencës Evans tha se qëllimi i marshimit global ishte të arrinte në pikën kufitare “Rafah” dhe në mënyrë simbolike t’i tregonte jo vetëm Izraelit dhe Egjiptit, por të gjithë botës se njerëzimi dëshiron të heqë bllokadën mbi Gazën dhe t’i japë fund regjimit të aparteidit në Palestinë.

Duke vënë në dukje se ai e di që 20 për qind e popullit egjiptian është me origjinë palestineze, Evans tha se ndërsa priste në pikën kufitare, pa disa ushtarë që mbanin unaza palestineze.

Pasi theksoi se këta njerëz e mbështetën veprimin, por nëse ushtarët nuk i përmbushnin detyrat e tyre, ata mund të përballeshin me ekzekutimin dhe familjet e tyre të arrestoheshin, Evans tha:

“Fëmijëve të Islamit u mësohet se mëshira, dashuria dhe mirësia janë pjesë e Islamit, e dija këtë. E dija çfarë do të ndodhte në atë moment, e ndjeva fort. Kështu që mendova se shansi dhe arma ime e vetme ishte t’ia hapja zemrën policisë egjiptiane dhe të zbuloja disa gjëra që kisha fshehur në zemrën time, që i kisha fshehur atje, që ishin shumë të dhimbshme për t’u përballur”.

“Kështu që fillova t’ua hapja zemrën time dhe në fillim nuk e dija se po filmonin. Pastaj një zotëri që mendova se ishte jordanez erdhi dhe më shikoi në sy, ai menjëherë tregoi ndjeshmëri. Ai jo vetëm që përktheu atë që thashë në arabisht, por pasqyroi ndjenjat e mia në shprehjet e tij arabe dhe gjestet e duarve. Përkthimi i tij ishte po aq i fuqishëm sa ajo që po dilte nga zemra ime”, thotë Evans.

– E la punën pasi mësoi se taksat e tij po shpenzoheshin për gjenocid dhe ia dhuroi bonusin e tij të pensionit Palestinës

Aktivisti Evans tha se vendosi të linte punën pasi kuptoi se taksat që paguante në Britani po përdoreshin për gjenocid në Palestinë dhe masakra në pjesë të tjera të botës.

Ai thekson se këtë arriti ta kuptojë rreth 5 vjet më parë. “Pashë që taksat e transferuara në atë që qeveria britanike e quan buxheti i mbrojtjes janë në të vërtetë buxhet sulmi sepse askush nuk e ka sulmuar Britaninë që nga Lufta e Dytë Botërore, por Britania ka sulmuar të paktën 57 vende. Kjo është arsyeja pse unë e quaj atë buxhet sulmi, jo buxhet mbrojtjeje”, u shpreh Evans.

Evans shpjegoi se pasi e kuptoi këtë e la punën e tij si infermier, tërhoqi masivisht kursimet e tij të pensionit dhe ia dhuroi ato popullit palestinez.

– “Dhuna që po zbaton Izraeli më kujton Gjermaninë naziste”

Pasi deklaroi se ka qenë më parë shumë herë dhe ka shërbyer në Gaza, Evans ato që po ndodhin aktualisht në rajon i përshkroi si “gjenocid të pastër”.

Ai vuri theksin se Izraeli ka dënuar me uri më shumë se dy milionë njerëz, gjysma e të cilëve janë fëmijë dhe nënvizoi se palestinezët i nënshtrohen një shtypjeje të tmerrshme pavarësisht qëndrimit të tyre krenar dhe paqësor.

“Dhuna që po zbaton Izraeli të kujton Gjermaninë naziste”, tha Evans duke shtuar se ngacmimet, veçanërisht kundër grave, sulmet me snajper ndaj fëmijëve dhe atmosfera sistematike e frikës janë të paharrueshme.

– “Bota u ndal për një sëmundje, por nuk ndalet për gjenocidin”

Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësinë të sigurojë që Izraeli t’i japë fund bllokadës dhe sulmeve ndaj popullit palestinez.

“Thirrja ime ndaj komunitetit ndërkombëtar është të qëndrojë pranë Palestinës për të ndaluar gjakderdhjen. E krahasoj këtë me krizën Covid-19. Bota u ndal për një sëmundje, por nuk u ndal për gjenocidin, ndërkohë që bota mund ta ndalojë këtë gjenocid, nëse do të qëndrojë pranë Palestinës”, tha infermieri nga Uellsi, Evans.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit