-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Kujt po i pengojnë shtëpitë e Allahut

Më të lexuarat

Sulejman Rexhepi (Kryetar i BFI-së)

 

Kujt po i pengojnë shtëpitë e Allahut

“E drejtë e përkujdesjes së xhamive është vetëm e atij që I ka besuar Allahut dhe ditës së mbramë e që e falë namazin, jep zeqatin e nuk I frikësohet askujt pos Allahut. Të tillët do të jenë të udhëzuar në rrugën e drejtë”( Kur’an, Et Tevbe, 18)

Shkruan H.Sulejman ef. Rexhepi

Për higjienë mentale, nuk lexoj e nuk përcjell portale e portaluce që, në mungesë të diturisë, aftësisë gazetareske, kreativitetit dhe profesionalitetit, përpiqen t’I sigurojnë vehtes më shumë klikime duke përhapur gjuhën e urrejtjes. Me të atillët i kam pastruar punët.

Por, siç thotë një gjysëm e vërtetë “ Rregullat ekzistojnë që të thyhen”. Kështu, duke lexuar një lajm për protestën e qytetarëve të Kriva Pallankës lidhur me ndërtimin e xhamisë në atë qytezë, proteste kjo që e kish mbështetur edhe kryebashkiaku, hasa në dofarë broçkulla antiislamike nga të cilat u stepa. Mundësia që në një truall të Bashkësisë Islame të ndërtohet një xhami e vogël, paska shkaktuar tmer e urrejtje te dofarë “pseudonimistë”.

Pse po shqetësoheni bre njerëz të mirë, çfarë të keqe po shihni nëse në qytezën e juaj do të ndërtohet një shtëpi e Zotit. Po dëgjoj, qenkeni të frikësuar nga “fundamentalizmi islamik”! Anipse kjo shprehje i është imponuar Islamit, anipse fundamentalizmi është zbulim i krishterizmit qysh para një shekulli kur në Amerikë po zente fill ideja për ”mbrojtjen e vlerave të njëmendëta të krishterizmit përpara inovacioneve”, po e pranoj se edhe ne muslimanët jemi të frikësuar nga ekstremizmi fetar. Pa marrë parasysh proveniencën,

Frika qëndron e fshehur edhe te ne, edhe te ju, te të gjithë. Të gjithë frikësohemi, ta zëmë, nga kanceri, nga kriza ekonomike, po na frikëson ardhmëria e pasigurtë e fëmijëve tanë, po frikësohemi nga destabilizimi I vendit. Por, ne muslimanët frikësohemi më shumë nga fakti se mund të gabojmë përpara Allahut. Besoj se edhe ju që vehten po e prezentoni si “mbrojtës të krishterizmit përpara depërtimit të Islamit”, nga Zoti frikësoheni. Mos qofsha gabim.

Duke ju përkujtuar se vlerat dhe traditat e Islamit paraqesin kontribut të paçmueshëm për begatinë etnike e fetare të Maqedonisë, dua të theksoj se shtëpitë e Allahut, pra xhamitë,përherë kanë qenë qendra të jetës shpirtërore dhe të përparimit kulturor. Aty, muslimanët, përmes lutjeve të tyre gjejnë qetësi e paqe, e zbutin frikën, dhembjen, dilemat. Për këtë shkak muslimanët ndërtojnë xhami, siç e kanë ndërmend ta ndërtojnë edhe në Kriva Pallankë, në qytezën që dikur ka pasur gjashtëdhjetëepesë xhami dhe tani nuk ka asnjë.

O njerëz të mirë. Synimi I xhamive është që të bëhet qendër e muslimanëve fisnikë dhe muslimanëve të mirë, të rrezatojë tolerancë dhe dashuri me të cilat muslimanët në mënyrën më të mirë do t’I kontribuojnë bashkësisë dhe mjedisit në të cilin jetojnë. Me që po jetojmë bashkë, është kohë e fundit të kuptoni se cilat janë bazat e besimit tonë dhe te mësoheni që te ne të dalloni miqësinë dhe dëshirën per bashkëjetesë.

Duke e marrë parasysh këtë që po them, vërtetë jam I prekur nga protestat e qytetarëve të Kriva Pallankës kundër ndërtimit të xhamisë.Më dhemb fakti që një prefekt nuk po gjenë forca të del përpara qytetarëve me apel që të ndihmohet ndërtimi I xhamisë. Jam I tronditur që bashkëqytetarët e mi nuk po arrijnë ta shohin të vërtetën si të vërtetë, e ajo thotë që më shumë se dyzet përqind e banorëve të Maqedonisë i takojnë Islamit

O njerëz të mirë. Maqedonia është shtet shekular dhe aty nuk do duhej një fe të jetë më e rëndësishme nga një tjetër sepse të gjitha fetë janë të barazvlefshme me rëndësinë që kanë. Islami dhe krishterizmi këtu përherë kanë jetuar në harmoni dhe pikërisht vlerat e tyre kanë ndikuar në psikologjinë e njeriut të këtushëm. Muslimani I mirë dhe I krishteri I mirë karakterizohen me ndershmëri dhe tolerancë dhe unë nuk shoh arsye se pse ata nuk do ishin edhe më tej të ndershëm e tolerantë.

Dhe, deri sa po e shkruaj këtë tekst, po më informojnë se objekti i BFI në Kriva Pallankë të cilin muslimanët e atyshëm po e shfrytëzojnë për namaz, është sulmuar dhe është demoluar. Do njerëz të cilët e konsiderojnë vehten Maqedonas dhe të krishterë të mirë e paskan sulmuar xhaminë. Ka ndodhur kjo gjë pikërisht në ditën kur politikanët tanë më në fund na treguan se qenkan marrë vesh që t’i vejnë pikë krizës e cila po na mbanë nën ethe tani e sa kohë e të bëjnë diçka të mirë për vendin.

Porosia që erdhi nga Kriva Pallanka është shqetësuese. Ajo i shqetësoi muslimanët sepse Kriva Pallanka gjendet në Maqedoni e jo në Tunguzi. Në atë qytezë funksionojnë degët e partive politike të cilat na premtuan sot një ardhmëri më të mirë.

A thua na paskan premtuar Maqedoni asisoji në të cilën do të shkatërrohen e do të digjen xhami, a Maqedoni në të cilën një pjesë e popullatës do të frikësohet për sigurinë e vetë na paskan premtuar, Maqedoni asisoji në të cilën një pjesë e njerëzve do të pamundësohet të praktikojë fenë e vetë? Një Maqedoni në të cilën do njerëz do ta kenë të lejuar të sillen si neonacistët e “Agim të Artë”, po na ofrojnë ?

O njerëz të mirë: Xhamitë janë shtëpi të Allahut dhe Kriva Pallanka do të ketë shtëpinë e vetë të Allahut.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit