Irani njofton se ka sulmuar bazën Al-Udeid në Katar, ndërsa Doha konfirmon se e ka parandaluar sulmin

Më të lexuarat

Ministria e Mbrojtjes së Katarit njoftoi të hënën se mbrojtja ajrore e Katarit ka ndërprerë një sulm raketor që kishte si objektiv bazën ajrore Al-Udeid, duke konfirmuar se “incidenti nuk ka shkaktuar asnjë viktimë apo të plagosur.”

Ministria theksoi se hapësira ajrore dhe territori i shtetit të Katarit janë plotësisht të sigurt dhe se forcat e armatosura janë të gatshme për të përballuar çdo emergjencë. Ajo u bëri thirrje qytetarëve dhe banorëve të ndjekin udhëzimet dhe zhvillimet më të fundit vetëm nga burimet zyrtare.

Ky zhvillim ndodhi pas njoftimit të Sekretariatit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, i cili bëri të ditur se ka kryer një sulm raketor ndaj bazës ajrore amerikane Al-Udeid në Katar, si “përgjigje ndaj veprimit agresiv dhe të hapur që kanë ndërmarrë Shtetet e Bashkuara kundër objekteve dhe instalimeve bërthamore iraniane.”

Në deklaratën iraniane thuhet se numri i raketave të përdorura në operacion ishte i njëjtë me numrin e bombave të përdorura nga SHBA në sulmet kundër instalimeve bërthamore. Irani thekson se baza që u sulmua ndodhet larg zonave të banuara në Katar dhe se ky veprim nuk përbën kërcënim për shtetin e Katarit apo popullin e tij. Po ashtu, Teherani thekson përkushtimin për të ruajtur marrëdhënie miqësore me Dohan.

Forcat e Armatosura të Iranit njoftuan se “përgjigjja ndaj agresionit amerikan ka nisur përmes një operacioni të përbashkët mes Gardës Revolucionare dhe ushtrisë iraniane”, duke konfirmuar se është kryer një “sulm raketor i fuqishëm dhe shkatërrues” ndaj bazës ajrore Al-Udeid në Katar.

Ndërkohë, autoritetet përkatëse në Katar njoftuan pezullimin e përkohshëm të trafikut ajror në hapësirën ajrore të vendit, si masë parandaluese për të garantuar sigurinë e qytetarëve, banorëve dhe vizitorëve. Emiratet e Bashkuara Arabe mbyllën hapësirën e tyre ajrore sipas të dhënave të trafikut ajror, ndërsa Bahrejni aktivizoi sirenat e alarmit dhe bëri thirrje qytetarëve të shkojnë në vende të sigurta.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, dënoi ashpër sulmin raketor të kryer nga Garda Revolucionare iraniane ndaj bazës ajrore Al-Udeid, duke e konsideruar atë si një shkelje flagrante të sovranitetit të Katarit, hapësirës së tij ajrore dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Ai konfirmoi të drejtën e Dohës për të reaguar drejtpërdrejt në përputhje me përmasat e sulmit dhe në bazë të së drejtës ndërkombëtare, duke theksuar se mbrojtja ajrore e Katarit e përballoi me sukses sulmin pa shkaktuar viktima apo dëme në njerëz.

Katarit theksoi se përshkallëzimi i mëtejshëm ushtarak rrezikon sigurinë e rajonit dhe rinovoi thirrjen për ndalimin e operacioneve ushtarake dhe kthimin në tryezën e dialogut, duke theksuar përkushtimin për zgjidhje diplomatike dhe parimin e fqinjësisë së mirë.

Të dielën në mëngjes, Shtetet e Bashkuara kryen sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore në Fordow, Natanz dhe Isfahan, ndërsa Irani kërcënoi se do të hakmerret dhe do të sulmojë bazat amerikane në rajon.

Burimi: Al Jazeera Mubasher

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit