Shthurja e zemrës, zemërimi dhe epshi
Të gjitha mëkatet, qofshin të mëdha apo të vogla, burimin e tyre e kanë në vetëm tri drejtime kryesore: lidhja e zemrës me dikë tjetër përveç Allahut, bindja ndaj zemërimit të pakontrolluar, dhe ndjekja e epshit të shfrenuar.
Së pari, kur zemra lidhet me dikë tjetër përveç Allahut, qoftë duke shpresuar, duke pasur frikë, apo duke u mbështetur tek dikush tjetër përveç Tij, kjo shpie drejt mëkatit të shirkut (idhujtarisë). Në kulmin e saj, kjo lidhje i jep dikujt tjetër adhurim që i takon vetëm Allahut. E ky është mëkati më i madh që shkatërron themelet e teuhidit (njësimit të Allahut). Allahu nuk e fal këtë mëkat nëse robi nuk pendohet sinqerisht. Prandaj, çdo besimtar duhet të ruajë zemrën e tij, që ajo të mbështetet vetëm tek Zoti i tij, ashtu siç e meriton Ai.
Së dyti, zemërimi është një ndjenjë që gjendet tek çdo njeri, por kur ai nuk kontrollohet, bëhet burim padrejtësie. Kur njeriu vepron nën ndikimin e zemërimit, ai është në rrezik të bëjë mëkate të rënda. Kulmi i kësaj gjendjeje është vrasja pa të drejtë, të marrësh jetën e dikujt për shkak të mllefit dhe urrejtjes. I Dërguari I Allahut ﷺ na mësoi të përmbahemi nga zemërimi, sepse ai i çel derën shkatërrimit. Njeriu i mençur është ai që përmban veten dhe e kontrollon zemrimin e tij për hir të Allahut.
Së treti, epshi është një tjetër forcë e brendshme që, nëse nuk kontrollohet, të shpie në mëkate të hapura. Njeriu që ndjek verbërisht dëshirat e ndaluara, si zina (marrëdhëniet jashtë martese), shikime të ndaluara, apo sjellje të pahijshme, bie në mëkatin e amoralitetit dhe shthurjes. Kjo tregon dobësi në iman dhe mungesë frike ndaj Allahut. Epshi i shfrenuar e sëmur shpirtin, e dobëson trupin dhe e prish shoqërinë.
Të tria këto rrugë, su shirku, vrasja dhe amoraliteti, janë përmendur qartë nga Allahu i Madhërishëm në një ajet të vetëm, ku Ai thotë:
وَالَّذِينَ لَا يَدْعُونَ مَعَ اللَّهِ إِلَـٰهًا آخَرَ وَلَا يَقْتُلُونَ النَّفْسَ الَّتِي حَرَّمَ اللَّهُ إِلَّا بِالْحَقِّ وَلَا يَزْنُونَ ۚ
“Edhe ata që nuk i luten ndonjë zoti tjetër përkrah Allahut, nuk vrasin shpirtin që Allahu e ka ndaluar (ta vrasin) përveç me të drejtë, dhe nuk bëjnë kurvëri.”
(Surja Furka, ajeti: 68)
Ky ajet i përmbledh rrënjët e mëkateve më të mëdha, duke na treguar se ato fillojnë nga brenda nesh, nga zemra, nga ndjenjat dhe nga dëshirat. Kështu, shpëtimi i vërtetë vjen kur njeriu ruan zemrën nga lidhjet e gabuara, kontrollon zemërimin dhe përmban epshin.
Kjo është rruga e pastërtisë shpirtërore, e drejtësisë dhe e suksesit në dynja dhe ahiret.
Fitim Gërguri
Bardh i Madh
