Në Zemër të Luftës: Ditari i një Heroi të Gazës

Më të lexuarat

Nga Bessam ibën Halil El-Safedi

Në mëngjesin e 7 tetorit 2023, një gazetar palestinez u zgjua për të shkuar në punën e tij të përditshme. Por ajo që e priti atë ditë nuk ishte rutina e zakonshme. Qielli u mbush me zhurmën e raketave dhe gjithçka u mbështoll nga frika – sikur të ishte fundi i botës.

Ai hapi dritaren, dhe kuptoi menjëherë: kishte nisur lufta. Me qetësi vesh rrobat, mblodhi pak plaçka dhe u tha familjarëve: “Përgatituni që të mos më shihni për tre ose katër muaj.” Pastaj, pa u kthyer më pas, u nis drejt detyrës së tij: informimit të botës për çfarë po ndodhte në Gaza.

Prej atij çasti, ai nuk ishte vetëm dëshmitar, por edhe pjesë e historisë. Sa herë dëgjonte një shpërthim, vraponte drejt tij së bashku me kolegët, për të raportuar të vërtetën në kohë reale.

Në ditën e njëzet të luftës, ndërsa ishte në transmetim live, një koleg i telefonoi me shqetësim. Telefoni i tij ra përsëri dhe kolegu ia mori shpejt nga dora – ndodhej ende në transmetim. Zemra iu mbush me ndjesi të këqija. Dhe me të drejtë.

“Çfarë ka ndodhur?” pyeti.
Përgjigjja erdhi si thikë: “Shtëpia ku ndodhej familja jote është bombarduar.”

Familja e tij ishte zhvendosur në jug për siguri. Ai kishte qëndruar në veri, duke kryer detyrën. Kalimi gjatë natës, në errësirë dhe mes sulmeve, ishte një rrezik i vërtetë – por ai vendosi të shkojë: “Do nisim rrugën me ndihmën e Zotit.”

Kur mbërriti, e gjeti gruan, djalin, vajzën dhe shumë të afërm të tjerë të vrarë – martirë të pranuar, siç thuhet. Të tjerët ishin të plagosur, disa rëndë.
Duke folur përpara kamerës, me një qëndresë që rrallë shihet, tha:
“Na hakmerren me fëmijët tanë. Lotët tanë janë lot njerëzorë, jo të frikës. Mallkuar qoftë ushtria pushtuese.”

Të njëjtën ditë, i varrosi të dashurit e tij. Pastaj… u kthye në punë.

Kur iu kërkua të kthehej përsëri në jug, e shoqja shkoi. Por ai qëndroi. Fëmijët i mori në zyrë, duke u thënë: “Jeta ime është jeta juaj. Vdekja ime është vdekja juaj.” Dhe vazhdoi punën.

Pak kohë më pas, shtëpia e tij u bombardua dhe u shkatërrua plotësisht. Në dhjetor, bashkë me një kameraman dhe tre punonjës të ndihmës së shpejtë, u nis për të mbuluar një ngjarje në një zonë të largët. Pas shumë koordinimesh, arritën, por në kthim u ndanë për të shmangur rrezikun. Fatkeqësisht, një dron i goditi me raketë. Tre ndihmësit u vranë, kameramani u plagos rëndë dhe ai vetë pësoi dëmtime të rënda në dorë.

Arriti me vështirësi te ambulanca dhe bërtiti: “Shpëtoni mikun tim!”
Por iu përgjigjën: “Nuk ka rrugë për të. Është shumë e rrezikshme.”
Koordinimi me ushtrinë izraelite u bë vetëm pas gjashtë orësh – shumë vonë. Kur arritën, kameramani kishte ndërruar jetë.

Pasi nisi të shërohej në spital, u kthye sërish në punë.
Më 7 janar, ndërsa ishte në detyrë në Han Junus, mori një telefonatë nga Rafah: “Djali yt është plagosur.”
Në realitetin e Gazës, kjo shpesh është mënyrë e zbutur për të thënë se ka ndërruar jetë. Dhe kështu ndodhi. Djali i tij kishte humbur jetën nga bombardimet.

Ky është vetëm një nga shumë tregimet e gazetarëve në Gaza. Ky është një përshkrim i historisë së gazetarit të njohur, trimit dhe qëndrestarit Ebu Hamza Vail Dahduh. Kur nisa ta shkruaj këtë rrëfim, nuk e kisha menduar ta përqendroja tek ai. Por dhimbja e tij më pushtoi pa më pyetur.

Ka shumë të tjerë si ai. Disa ndoshta kanë përjetuar edhe më shumë. Por Zoti deshi që historia e tij të bëhej e njohur. Dhe Ai ka urtësinë e Tij në gjithçka.

Gazetarët në Gaza punojnë në rrethana jashtëzakonisht të vështira. Me burime minimale, përballë rrezikut të përhershëm, ata nuk ndalen. Nuk frikësohen. Nuk tërhiqen.
Dikur, veshja “press” ishte shenjë sigurie. Tani është bërë objektiv i drejtpërdrejtë.
Nëse ka heronj në këtë luftë, ata janë ndër më të mëdhenjtë. Nëse janë të sinqertë dhe të drejtë, ata janë vërtet në rrugën e xhihadit, dhe kanë shpërblimin e luftëtarëve.

Lusim Zotin t’i forcojë, t’i mbrojë dhe t’i shpërblejë për sakrificën.
Amin.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit