Streha e vetme e vërtetë për zemrën është Allahu – Fitim Gërguri

Më të lexuarat

Streha e vetme e vërtetë për zemrën është Allahu

Në brendësinë e zemrës njerëzore ndodhet një zbrazëti e pazëvendësueshme, një copëz që nuk mund të plotësohet nga asgjë tjetër përveç kthimit të sinqertë dhe të plotë drejt Allahut. Ajo pjesë e shpirtit është si një enigmë që s’ka çelës tjetër, përveçse përkushtimit ndaj Atij që e krijoi.
Ka brenda saj një vetmi të thellë, që nuk e mbushin dot fjalët, shoqëritë apo bota e jashtme. Është një boshllëk që kërkon afërsinë me Zotin, kërkon orët e qeta të përmendjes në vetmi, ku vetëm Ai dëgjon, sheh dhe kupton. Vetëm përmes shoqërimit me Të në çastet e qetësisë, zemra gjen rehatinë që nuk e gjen askund tjetër.
Zemra mban brenda saj një trishtim të padukshëm, një mall të pashprehur, një dhimbje që nuk largohet me argëtime, por vetëm me njohjen e Allahut dhe thellimin në dashurinë ndaj Tij. Vetëm kur zemra i kthehet sinqerisht Atij që e krijoi, trishtimi i saj fashitet dhe vendin ia zë një qetësi e thellë që nuk shpjegohet me fjalë.
Brenda saj ka një ankth që nuk shpjegohet, një trazim që s’gjen prehje në këtë botë. Nuk ka tjetër shërim për të, përveçse që ajo të mbledhë veten rreth Allahut, të largohet nga gjithçka që e huton dhe ta kthejë vështrimin e saj vetëm drejt Tij.
Në thellësi të saj ndizet ndonjëherë një zjarr pendimi, keqardhjeje dhe dhimbjeje për gabimet, për gabimet e heshtura e për gjynahet e harruara. Dhe ky zjarr nuk shuhet përveçse me pranimin e caktimit të Allahut, me kënaqësinë ndaj urdhrit dhe ndalesës së Tij, dhe me përqafimin e durimit deri në takimin përfundimtar me Të.
Zemra gjithashtu bart një etje të thellë për kuptim, për lidhje, për të vërtetën. Dhe ajo etje nuk shuhet përveçse kur Allahu bëhet qëllimi i saj i vetëm, dëshira më e madhe dhe kërkimi më i sinqertë.
Në thelbin e saj, zemra është e varfër, një varfëri që nuk ka të bëjë me mungesën e pasurisë apo suksesit, por me mungesën e asaj dashurie të thellë dhe të sinqertë për Allahun. E varfër për dashuri të pastër prej Tij, për atë lidhje që përbën vetë themelin e fesë: dashuria për Të, shoqërimi me Të në çdo gjendje, dëshira për ta takuar dhe kënaqësia me Atë dhe ndaj Tij. Dhe këtë zbrazëti nuk e mbush as pasuria, as lavdia, as arritjet e kësaj bote, por vetëm përmendja e Tij me gjuhë e me zemër, sinqeriteti në adhurim dhe përkushtimi i plotë ndaj Tij. Ai që e ka përjetuar këtë lidhje, e di me siguri se ajo është pasuria më e madhe që mund të ketë një njeri në këtë botë.
Edhe po t’i jepej njeriut gjithë pasuria e dynjasë, çdo kënaqësi e saj, çdo krenari dhe arritje, zbrazëtis e zemrës, mallëngjimi për Krijuesin, nuk do të mbushej kurrë. Sepse zemra është krijuar për ta adhuruar Allahun, dhe nuk qetësohet veçse kur kthehet te Ai.

Fitim Gërguri
11.05.2025
Bardh I Madh

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit