- Dashuria për Kuranin
Zemra nëse dashuron diçka, lidhet pas saj. Dhe kur zemra e do Kuranin, ajo e shijon leximin e tij. Zemra e cila e do Allahun, e do edhe fjalën e Tij. Sa më shumë të rritet dashuria për Kuranin, aq më shumë do të rritet ndjeshmëria ndaj fjalëve të tij. Ndikimi i ajeteve dhe leximi i tij i vazhdueshëm do të çojë në përfitime të shumta nga thesaret e tij dhe do të ndjejë madhështinë e tij.
Dashuria është çelësi i çdo lidhjeje. Nëse e do Kuranin si fjalë të Zotit tënd, do ta ndjesh afërsinë me Të dhe Kuranin nuk do ta lexosh si tekst, por si bisedë me Allahun.
- Të kesh të pranishëm qëllimet gjatë leximit të Kuranit
Disa njerëz lexojnë Kuranin pa qëllim. Por ai që e lexon Kuranin me një qëllim të pranishëm, duke ditur se përse po e lexon – qoftë për t’u afruar me Allahun, për udhëzim, shërim, dritë, dituri, për vepra të mira – ky do të përfitojë shumëfish.
Kur ta hapësh Kuranin, mos e bëj thjesht për sevape. Pyete veten : “Çfarë dua të marr nga ky lexim ?” – dhe lexo me qëllim të pastër.
- Që leximi të jetë si për ta memorizuar (futur në kujtesë).
Leximi i synuar për memorizim e detyron zemrën të përqendrohet, të jetë e pranishme dhe të jetë më e ndjeshme ndaj fjalëve. Kështu, ajetet do të ruhen në mendje dhe do të rikujtohen lehtë në situata të ndryshme.
Leximi me qëllim futjeje në kujtesë (memorizimi) rrit përqendrimin. Edhe nëse nuk mund ta mësosh përmendësh, përpiqu ta lexosh sikur do ta ruash në zemër përgjithmonë.
- Leximi i Kuranit gjatë namazit
Kur leximi i Kuranit bashkohet me namazin, ai ndikon thellë në zemër, e pastron atë, e shëron dhe e forcon. Kjo është pika më e rëndësishme për arritjen e ndikimit dhe përfitimit nga Kurani.
Mos e le Kuranin jashtë namazit. Le të jetë pjesë e faljeve të tua. Do ta ndjesh ndikimin e tij më shumë se kurrë.
- Që leximi të jetë natën
Nata sjell qetësi, pastërti, bereqet të kohës dhe afrimin e zbritjes hyjnore, si dhe hapjen e dyerve të qiellit. Ndihmon në kuptimin më të mirë të kuptimeve të Kuranit dhe ndikimin e tij në zemër. Ai që lexon natën përfiton përqendrim, thellim, fuqi për të ushtruar dhe menduar, lehtësi për memorizim dhe të kuptuar, forcim të besimit dhe diturisë.
Kur bota hesht, ti mos hesht, lexo Kuran. Në errësirë, drita e tij ndriçon më shumë në shpirt.
- Të dëgjosh veten gjatë leximit dhe të shijosh leximin
Lexuesi i Kuranit duhet ta dëgjojë veten dhe të shijojë leximin e tij, pasi kjo ndikon në zemër dhe e zbukuron leximin. Gjithashtu ndihmon në përqendrim dhe kuptim. Ndikimi i leximit me përqendrim është më i fortë dhe më i efektshëm në arritjen e ndikimit të Kuranit në zemër.
Lexoje me zë të qetë, me ndjenjë. Le të jetë një përjetim i vërtetë, jo thjesht një lexim.
- Të lexosh me tartil (me qetësi dhe ngadalë)
Është leximi me qartësi dhe ngadalë, siç ka qenë leximi i Profetit (paqja qoftë mbi të), me theksim, ndarje të fjalëve dhe reflektim. Leximi i tillë ndihmon në kuptimin e kuptimeve dhe ndikimin e tyre.
Ngadalësia sjell përqendrim. Lexoje sikur çdo fjalë po të flitet nga Allahu – me kujdes dhe respekt.
- Përsëritja dhe ndalesa tek ajetet
Ndalesa gjatë leximit ose përsëritja e ajetit ndihmon në thellimin e kuptimeve të tij dhe përvetësimin e tij. Përsëritja është një mjet për përfitim, reflektim dhe përgatitje, dhe gjithashtu është një mënyrë për të arritur ndikimin nëse nuk gjendet ndryshe.
Nëse një ajet të prek, mos e kalo. Përsërite. Zbrit në thellësinë e tij, derisa zemra ta kuptojë siç duhet.
- Ndaj pjesë të caktuara të leximit (të rregullta- vird)
Përcakto vetes një pjesë të caktuar nga Kurani që ta lexosh çdo ditë dhe angazhohu me të. Kjo ishte praktika e Profetit dhe shokëve të tij (Allahu qoftë i kënaqur me ta). Ata e ndanin Kuranin në pjesë javore (virde) dhe ishin të përkushtuar ndaj tij. Kjo ndihmon në ruajtjen e kuptimeve, memorizimin, zbatimin dhe edukimin përmes Kuranit, gjë që është çelësi i suksesit në arritjen e objektivave të leximit të Kuranit.
Qëndrueshmëria është çelësi i lidhjes me Kuranin. Lexoje çdo ditë, qoftë edhe pak – por mos e lër asnjë ditë pa të.
- Lidhja me realitetin
Qëllimi është lidhja mes fjalës dhe kuptimit, dhe lidhja e saj me realitetin dhe zbatimin. Përdorimi i Kuranit për të përballuar ngjarjet e përditshme dhe sfidat e jetës, duke reflektuar mbi atë që ndodh gjatë ditës e natës, dhe duke kërkuar përgjigje përmes Kuranit ndaj pyetjeve dhe situatave, qoftë të vogla apo të mëdha.
Kurani nuk është vetëm për t’u lexuar, por për t’u jetësuar. Le të bëhet udhërrëfyes në çdo situatë të përditshme.
Përktheu dhe përshtati
H.Sinan Rushiti
