Siç raporton “Israel National News”, Netanyahu, i shoqëruar nga gruaja e tij Sara, ka filluar një vizitë shtetërore katër-ditore në vendin evropian.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka mbërritur në kryeqytetin hungarez Budapest për një vizitë zyrtare, duke e sfiduar fletarrestin e lëshuar ndaj tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) për krime lufte në Gaza.
Siç raporton “Israel National News”, Netanyahu, i shoqëruar nga gruaja e tij Sara, ka filluar një vizitë shtetërore katër-ditore në vendin evropian.
Detajet për orarin e tij në Hungari akoma nuk janë bërë të ditura, megjithatë ai pritet të takohet me zyrtarët më të lartë të vendit.
Vizita e Netanyahut në Hungari shënon herën e parë që shkel në tokën evropiane pasi GjNP-ja lëshoi fletarrest ndaj tij nëntorin e vitit të kaluar duke e akuzuar për krime lufte në Gaza.
Grupet e të drejtave të njeriut, përfshirë Amnesty International dhe Human Rights Watch, i bënë thirrje Hungarisë që ta arrestojë Netanyahun nëse ai udhëton në vend dhe t’ia dorëzojë GjNP-së.
Nëntorin e vitit 2024, GjNP-ja lëshoi fletarreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një akuzë gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) për veprimet ushtarake në Gaza, ku që nga tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 50.400 palestinezë.
