Tusk e quajti marrëveshjen një “moment historik”, që forcon garancitë e ndërsjella të sigurisë për Evropën dhe Poloninë, duke theksuar se Evropa “nuk është më naive” kur bëhet fjalë për çështjet e sigurisë.
Polonia dhe Franca janë afër nënshkrimit të një marrëveshjeje të ndërsjellë sigurie pas bisedimeve dypalëshe mes kryeministrit polak Donald Tusk dhe presidentit francez Emmanuel Macron.
“Jemi duke finalizuar punën për marrëveshjen mes Polonisë dhe Francës. Ka shumë tregues që kjo mund të jetë një marrëveshje historike, sidomos në kontekstin e garancive të ndërsjella të sigurisë për Evropën dhe Poloninë”, tha Tusk në një deklaratë pas takimit të liderëve evropianë në Paris, të enjten.
Tusk tha se Evropa “nuk është më naive” kur bëhet fjalë për çështjet e sigurisë.
“Evropa ka ndryshuar, ka humbur të gjitha iluzionet për Rusinë. Ka filluar të besojë në nevojën për të ndërtuar fuqinë e saj”, shtoi ai, duke theksuar se bashkëpunimi brenda të ashtuquajturës “koalicioni i të gatshmëve” do të përqendrohet në kërkimin e “zgjidhjeve jo-standarde” që do të mundësojnë ndjekjen e një politike të përbashkët evropiane ndaj Rusisë, edhe nëse Hungaria nuk i mbështet këto veprime.
Samiti i “koalicionit të të gatshmëve” në Paris mblodhi vende që kërkojnë garanci të forta sigurie për Ukrainën dhe shprehin gatishmërinë për t’i ofruar ato.
Kryeministri polak u shpreh se të gjithë pjesëmarrësit në takim ranë dakord për sanksionet ndaj Rusisë, nevojën për ndihmë ndaj Ukrainës dhe ruajtjen e marrëdhënieve sa më të mira me Shtetet e Bashkuara.
