Kur Medina po vuante, Omeri (ra) e thirri për ndihmë Amr ibn Asin (ra): A mendon se unë dhe populli im do të vdesim, ndërsa ti dhe njerëzit e tu do të mbijetoni?

Më të lexuarat

Kur Medina po vuante, Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e thirri për ndihmë Amr ibn Asin (Allahu qoftë i kënaqur me të!)

Gjatë vitit të thatësirës që ndodhi në Medinë, në kohën e udhëheqjes së Prijësit të Besimtarëve, Omer ibn Hattabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ai i shkroi një letër Amr ibn Asit, guvernatorit të Egjiptit:
“Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit. Nga robi i Allahut, Omer, Prijësi i Besimtarëve, për Amr ibn Asin. Paqja qoftë mbi ty.
A mendon se unë dhe populli im do të vdesim, ndërsa ti dhe njerëzit e tu do të mbijetoni? O ndihmë! O ndihmë! O ndihmë!”
Kur e lexoi këtë letër, Amr ibn As iu përgjigj:
“Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit. Për robin e Allahut, Omerin, Prijësin e Besimtarëve, nga Amr ibn As. Paqja qoftë mbi ty. Lavdëroj Allahun, të Vetmin dhe të Pashoqin.
Ndihma ka ardhur, prandaj prit, prit! Do të dërgoj një karvan deveje, e para prej tyre do të jetë pranë teje dhe e fundit pranë meje.”
Atëherë Amr ibn As dërgoi nëpër tokë një mijë deve të ngarkuara me miell, si dhe përmes detit njëzet anije të mbushura me miell dhe vaj. Përveç kësaj, ai dërgoi pesë mijë rroba. Ky ishte një karvan aq i madh, saqë fillimi i tij mbërriti në Medinë, ndërsa fundi i tij ishte ende në Egjipt.
Kur ndihmat arritën në Medinë, Omeri i shpërndau mes njerëzve.
Çdo familje në Medinë dhe rreth saj mori një deve bashkë me ngarkesën e saj të ushqimit. Njerëzit hanin ushqimin, thernin devetë për mish, përdornin dhjamin për gatim dhe lëkurat për rroba apo mbulesa. Kjo u lehtësoi shumë gjendjen njerëzve.
Kur Omeri e pa këtë, e falënderoi Allahun dhe i shkroi Amr ibn Asit, duke e ftuar atë dhe një grup nga banorët e Egjiptit që të vinin tek ai.
Kur arritën, Omeri i tha Amrit:
“O Amr, Allahu ua ka dhënë myslimanëve Egjiptin. Ai është një vend me shumë mirëqenie dhe furnizime. Më ka ardhur në mendje një ide për të ndihmuar banorët e dy qyteteve të shenjta (Mekën dhe Medinën). Kur Allahu ua hapi myslimanëve Egjiptin, e bëri atë një burim fuqie për ta dhe për gjithë myslimanët.
Mendoj të hap një kanal nga Nili që të lidhet me detin, në mënyrë që furnizimi me ushqim të bëhet më i lehtë. Transporti mbi kafshë është i mundimshëm dhe nuk arrijmë të sjellim aq sa kemi nevojë. Prandaj, shko dhe këshillohu me shokët e tu dhe më kthe përgjigje.”
Amr ibn As bisedoi me banorët e Egjiptit për këtë çështje, por ata e kundërshtuan idenë, duke thënë:
“Kjo mund të dëmtojë Egjiptin. Këshillojmë që ta bëjmë këtë çështje të duket shumë e vështirë për Prijësin e Besimtarëve dhe t’i themi se nuk është e mundur dhe nuk mund të realizohet.”
Kur Amri u kthye dhe ia tha këtë Omerit, Omeri qeshi dhe tha:
“Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, sikur po të shoh ty dhe shokët e tu kur u tregove urdhrin tim. Ata e panë të rëndë, thanë se do të dëmtojë Egjiptin dhe vendosën të më thonë se është e pamundur.”
Amri mbeti i habitur dhe tha:
“Pasha Allahun, është tamam ashtu si the, o Prijës i Besimtarëve!”
Atëherë Omeri i tha:
“Shko dhe zbatohu në këtë punë me vendosmërinë time! Nuk duhet të kalojë një vit derisa ta keni përfunduar, me vullnetin e Allahut!”
Amri u kthye në Egjipt, organizoi punëtorë dhe nisi ndërtimin e kanalit, i njohur më pas si ‘Kanali i Prijësit të Besimtarëve’. Ai e gërmoi kanalin nga Nili deri në Detin e Kuq.
Para se të kalonte një vit, anijet lundruan përmes tij, duke sjellë furnizime me ushqime për Medinën dhe Mekën.
Kështu, Allahu e bëri këtë kanal një burim të madh dobie për banorët e dy qyteteve të shenjta.
Pas shumë vitesh, ai u përdor për të transportuar furnizime, edhe pas kohës së Omer ibn Abdulazizit. Më vonë, guvernatorët e lanë pas dore, derisa u mbulua nga rëra dhe u braktis plotësisht.

Marrë nga libri: Tabakat Kubra i Ibn Sa’dit 3/233.

Përktheu: Fitim Gërguri.
12.03.2025
Bardh i madh

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit