Prishtinë, më 11 janar 2025
Me ftesë të ministrit të Ministrisë së Haxhit dhe Umres së Arabisë Saudite, dr. Tevfik Rabiah, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, po qëndron për vizitë në Xhide të Arabisë Saudite.
Gjatë kësaj vizite, Myftiu Tërnava, u prit në takim nga ministri Rabiah, ku të dy nënshkruan marrëveshjen e Haxhit për vitin 2025. Kjo marrëveshje rregullon organizimin dhe lehtësimin e shkuarjes së besimtarëve kosovarë për ta kryer haxhin.
Myftiu Tërnava falënderoi autoritetet saudite për përkushtimin e tyre ndaj lehtësimit të procedurave administrative për besimtarët e Kosovës, si dhe për kujdesin dhe shërbimet e ofruara për haxhilerët nga mbarë bota. Po ashtu, ai shprehu mirënjohjen për lehtësimet dhe kushtet e krijuara për vizitorët që kryejnë umren gjatë vitit.
Një temë tjetër e diskutuar ishte fillimi i fluturimeve direkte ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite, një hap që do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve ndërmjet dy vendeve. Ky propozim erdhi si rezultat i vizitës paraprake të ministrit të Haxhit në Kosovë, së bashku me delegacionin e tij në muajin tetor.
Myftiu Tërnava theksoi gatishmërinë e plotë të institucionit që ai drejton për të vazhduar dhe forcuar këtë bashkëpunim të frytshëm me Ministrinë e Haxhit dhe Umres, duke thënë se Bashkësia Islame e Kosovës mbetet e përkushtuar për të shtyrë përpara proceset që janë në interes të qytetarëve kosovarë.
Nga ana tjetër, ministri Rabiah, shprehu mirënjohje të thellë për Bashkësinë Islame të Kosovës, duke e vlerësuar si organizator me traditë dhe si institucionin e vetëm zyrtar që menaxhon organizimin e Haxhit në Kosovë. Ai tha se haxhilerët kosovarë, janë gjithmonë të mirëseardhur në vendin e dy faltoreve të shenjta.
Gjatë ditëve në vijim, Myftiu Tërnava do të zhvillojë takime të tjera me përfaqësues të institucioneve relevante për organizimin e Haxhit, për të thjeshtuar më tej procedurat për besimtarët kosovarë në Mekë, Xhide dhe Medinë.
Myftiun Tërnava gjatë kësaj vizite janë duke e shoqëruar kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti, shefi i kabinetit të Myftiut, Besim ef. Mehmeti, zv.kryeimami Fatmir ef. Iljazi dhe z. Remzi Ejupi.