Prishtinë, më 8 janar 2025
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Qendrës së Mbretit Selman të Arabisë Saudite, z. Alsaban Muhamed Abdullah, i cili njëherësh është edhe drejtues i projektit për shpërndarjen e ndihmave për vitin 2025, si dhe z. Faisal Muhamed Hamdi.
Myftiu Tërnava i falënderoi përfaqësuesit e Qendrës për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme që kjo qendër ka ofruar për shoqatën “Bereqeti”, duke kontribuar në projekte dhe aktivitete të shumta që kanë për qëllim mbështetjen sociale për kategoritë nevojtare. Myftiu Tërnava e vlerësoi lart bashkëpunimin e ngushtë me Qendrën e Mbretit Selman, duke theksuar mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme që kjo qendër ka ofruar në fushën humanitare.
Përfaqësuesit e Qendrës së Mbretit Selman e falënderuan Myftiun Tërnava për pritjen dhe shprehën gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen e projekteve të ndryshme në Kosovë, veçanërisht të atyre që synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës së besimtarëve në Kosovë.