Në prag të fillimit të “Javës Kundër Korrupsionit”, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka thënë se Departamenti Amerikan i Shtetit po punon me të gjithë partnerët, përfshirë Kosovën, për të forcuar hetimin dhe luftimin e korrupsionit.
Në njoftimin e bërë nga kjo ambasadë theksohet se korrupsioni minon demokracinë, nxit paqëndrueshmërinë dhe kërcënon sigurinë globale, transmeton Telegrafi.
“Departamenti Amerikan i Shtetit po punon me partnerë anembanë globit, përfshirë Kosovën, për të forcuar hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit, promovimin e transparencës dhe fuqizimin e shoqërisë civile dhe mediave të pavarura për të ekspozuar korrupsionin dhe për të avancuar reformat”, thuhet në postimin e ambasadës në Facebook.
Ndryshe, të hënën, më 9 dhjetor 2024, fillon “Java Kundër Korrupsionit 2024”, ku janë organizuar disa aktivitete.
Java Kundër Korrupsion organizohet falë mbështetjes së Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL)./Telegrafi/