Të paktën 35 palestinezë të tjerë u vranë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave që nga viti i kaluar në 43.799, njoftoi të shtunën Ministria e Shëndetësisë në enklavë.
Një deklaratë e ministrisë shtoi se rreth 103.601 të tjerë u plagosën në sulmin e vazhdueshëm që filloi më 7 tetor të vitit të kaluar.
“Forcat izraelite vranë 35 persona dhe plagosën 111 të tjerë në tri masakra familjare në 24 orët e fundit,” tha ministria.
“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi ekipet e shpëtimit nuk janë në gjendje të arrijnë tek ata,” shtoi ajo.
Duke injoruar një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vazhduar ofensivën brutale në Rripin e Gazës që nga sulmi i grupit palestinez Hamas më 7 tetor 2023.
Ofensiva izraelite ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha ushqimi, uji të pastër dhe ilaçesh.
Përpjekjet e ndërmjetësimit të udhëhequra nga ShBA-ja, Egjipti dhe Katari për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve mes Izraelit dhe Hamasit kanë dështuar për shkak të refuzimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për ta ndalur luftën.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.
/trt BALLKAN/