-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Takimi bilateral në Berlin me kancelarin Scholz, Kurti tregon se çfarë biseduan

Më të lexuarat

Kryeministri i vendit, Albin Kurti pas përfundimit të Samitit të Berlinit të hënën në Berlin në një deklaratë për media ka treguar se çfarë ka diskutuar në takimin bilateral që ka pasur me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Kryeministri Kurti duke folur për dialogun Kosovë-Serbi tha se po presin Komisionin Evropian që të fillojë me një dinamikë të re dhe për këtë arsye janë optimist.

I pyetur nëse në takimin me Scholz ka pasur kërkesa që të zbutet “kërkesa për ekstradimin” nga Serbia të Milan Radoiçiqit, Kurti tha edhe më tutje insiston në këtë.

“Edhe më tej insistojmë që të dorëzohet kryekrimineli Milan Radoiçiq që na e vrau rreshterin Afrim Bunjaku, por edhe grupi i tij paramilitar i terroristëve që tashmë ndodhen në aktakuzën e Prokurorisë së shtetit në Kosovë”, tha Kurti, raporton Telegrafi.

Ai po ashtu tha se kërkojnë që letra e ish-kryeministres serb Ana Brnabiq të tërhiqet.

“Marrëveshja bazike e 27 shkurtit dhe aneksi i zbatimit i 18 marsit 2023 të nënshkruhen sepse nënshkrimi është garanci dhe dëshmi e palëkundur e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit ndërmjet palëve…

Sa herë që flasim për dialog insistoj që ta përmendin faktin që kemi marrëveshje bazike, dialogu ka pasur suksese. Neve duhet ta respektojmë në përpikëri atë marrëveshje dhe njëkohësisht ta zbatojmë në plotëni…”, tha ai.

Kurti është pyetur edhe për takimin bilateral që ka pasur me kancelarin Scholz.

“Qëndrimet tona të mirënjohura i kemi theksua dhe të njëjtën kohë kemi bërë kërkesa më konkrete, sikurse që është ajo ta zëmë avionët që aterojnë ose nisen nga Aeroporti i Prishtinës ‘Adem Jashari’ nuk mund të kalojnë në hapësirën ajrore të Serbisë tash e 25 vjet që nga intervenimi i NATO-s që na shpëtoi nga gjenocidi i regjimit të Millosheviqit dhe kjo shkakton kosto për kompanitë, kosto për udhëtarët dhe ndotje të ambientit”, u shpreh kryeministri.

Tutje, ai tha se në takimin me kancelarin Scholz kanë diskutuar shumë gjëra konkrete, gjersa tha se kanë folur edhe për zhvillimin ekonomik. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit