3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Fushat të cilat na mundësojnë t’i shërbejmë fesë së Allahut

Më të lexuarat

Ne shohim se ka fusha të shumta në jetën e muslimanit për t’i shërbyer këtij umeti dhe për të ngadhënjyer kjo fe. Umeti i ynë sot ka nevojë për të gjitha specializimet. Nuk ka dikush që është i specializuar në ndonjë shkencë apo në një fushë të kësaj bote, përveçse ai do të gjejë vend në fushën e gjerë të këtij umeti. Ai përmes specializimit të tij mund të kryejë rolin e tij në këtë umet. Përmes tij ai mundet edhe të mbajë dhe të kryejë amanetin për të cilin është ngarkuar. Pasi që çështja qenka kështu, atëherë përse të kufizojmë këtë në një grup të caktuar të njerëzve? Umeti ka nevojë për çdo forcë dhe fuqi dhe për çdo specializim.

Sëmundjet të cilat kanë kapluar këtë umet, janë më të mëdha dhe më të gjera se sa që ka mundësi t’i përthekoj një grup i caktuar i njerëzve apo një lloj i njerëzve, apo një fuqi e caktuar e disave prej tyre. Pasi që sëmundjet qenkan të shumta, atëherë edhe amanetin duhet ta mbajë të gjithë.

Nëse i posedojmë të gjitha këto, atëherë kemi mundësi të arrijmë më shpejt në cakun tonë, që kemi për qëllim, dhe pastaj kemi mundësi t’i përgjigjemi pyetjes se kush do ta mbajë këtë amanet?

Të kalojmë tani në fushat të cilat na mundësojnë t’i shërbejmë fesë së Allahut

Të kujdesemi për këtë shoqëri

Prej amaneteve të rëndësishme që duhet të mbajë kjo shoqëri, është përkujdesja për të dhe ruajtjen e saj nga çdo shkatërrim. Askush prej muslimanëve nuk dyshon sot se prishja e kësaj shoqërie është qëllimi kryesor i armiqve të Allahut. Dëshirojnë që kjo shoqëri të futet në gjërat e pamoralshme, në gjërat të cilat i shkatërrojnë dhe një njëkohësisht të largojnë nga feja e jonë e pastër. Si të dyshojmë në këtë kur ne për çdo ditë lexojmë fjalën e Allahut: “As çifutët e as të krishterët kurrë nuk do të jenë të kënaqur me ty, derisa që të pasosh fenë e tyre. Thuaju: ‘Udhëzimi i Allahut është udhëzim i drejtë’. E pasi që të ka ardhur ty e vërteta shkon pas mendimeve të tyre! Nuk ka kush të ndihmojë e as të mbrojë nga Allahu.” Bekare, 120.

“Ata do t’u luftojnë juve vazhdimisht për t’ju zmbrapsur, nëse munden, nga feja juaj.” Bekare, 217.

“O ju që besuat! Mos i zini për miq të ngushtë të tjerët jashtë mesit tuaj! Ata nuk pushojnë së vepruari në dëm tuajin, u dëshirojnë çka u mundon juve. Urrejtja kundër jush duket nga gojët e tyre, por ajo që fshehin në gjokset e tyre është edhe më e madhe. Ne, pra, u kemi sqaruar faktet, nëse ju i kuptoni.” Ali Imran, 118.

Pasi që të krishterët dhe çifutët nuk janë të kënaqur asnjëherë me këtë umet, ata do t’i luftojnë, gjersa t’i pasojnë ata apo gjersa ta futin këtë umet në shkatërrime dhe gjëra të pamoralshme, si dhe ta largojnë nga feja e tij. Ata kanë për t’u munduar kundër këtij umeti, gjersa ky umet të krishterizohet apo të bëhet çifut. Ne sot shohim shumë pamje, rryma të ndryshme që përpiqen në shkatërrimin dhe prishjen e këtij umeti. Për një gjë të tillë nuk ka nevojë të përmendim as shembuj, sepse çdo musliman sot e ndien një gjë të tillë. Mjafton që muslimani sot të dalë në njërën prej rrugëve të muslimanve ose në ndonjë treg të muslimanve që të shohë rezultatin e këtyre luftërave, rezultatin e këtyre shkatërimeve që dëshirohet ndaj këtij umeti. Pasi që këto shoqëri janë përqendruar tek ne dhe dëshirojnë të na largojnë nga kjo rrugë, atëherë kush është përgjegjës për ruajtjen e kësaj shoqërie muslimane? Kush është përgjegjës për mbrojtjen e kësaj shoqërie dhe kush janë ata të cilët duhet të qëndrojnë në mbrojtjen e kësaj shoqërie, mbrojtjen e besimit të saj, fesë së saj, moralit të saj? A nuk duhet që bijtë e kësaj shoqërie të gjithë të kujdesen për ruajtjen e saj? A nuk duhet që të gjithë muslimanët së bashku të kujdesen dhe qëndrojnë në një rresht? Obligimi ynë është që të gjithë ngrihemi në mbrojtjen e shenjtërisë së kësaj shoqërie, besimin e saj dhe fenë e saj. Të jemi në një rresht në ballafaqim me këto ofensiva. Sikur muslimanët të kuptonin mbajtjen e këtij amaneti dhe përgjegjësinë e tyre, nuk do të kishin pasur mundësi armiqtë që të veprojnë me ne kështu. Shigjetat e tyre helmuese do të ktheheshin në qafat e tyre.

Të përhapim dijen dhe thirrjen në rrugën e Allahut

Nëse përgjegjësia e përhapjes së dijes është përgjegjësi e dijetarëve, kjo nuk do të thotë se ne jemi liruar nga përgjegjësia. Dikush prej nesh nuk posedon dije, por posedon pasuri përmes së cilës mundet të punojë për përhapjen e fesë. Ai ka mundësi t’ju shërbejë dhe t’ju ofroj mundësi më të mira atyre që e përhapin dijen. Është nevojë që njerëzve t’ua mësojmë besimin e pastër dhe dispozitat e fesë sonë. T’i mësojmë njerëzit se si ta adhurojnë Allahun dhe mos t’i shoqërojnë Atij asnjë shok. Ti mësojmë njerëzit se si t’i njohin dhe si t’i besojnë emrat dhe cilësitë e Allahut. T’i mësojmë njerëzit se si t’i besojnë të dërguarit e Allahut dhe t’ua bëjmë me dije se ata janë krijesat më të mira në këtë botë, njerëzit më të sinqertë. T’i mësojmë se njerëzit më të mirë pas të dërguarve të Allahut janë shokët e Pejgamberit. T’u mësojmë njerëzve dispozitat e adhurimit, pastërtisë. T’u mësojmë njerëzve se çka është e lejuar dhe çka është e ndaluar në marrëdhëniet e tyre në shitblerje, në bisedat dhe sjelljet e tyre. Kjo është një çështje me rëndësi që kanë mundësi ta bëjnë të gjithë duke organizuar debate tribuna ligjërata të tjera.

Të sqarojmë të vërtetën

Është prej të drejtës së këtij umeti që të dëgjojnë fjalën e vërtetë. Allahu ka marrë besën prej dijetarëve që t’ua bëjnë të qartë njerëzve fenë e Allahut.

“Dhe kur Allahu mori zotimin prej atyre që u patë dhënë libri që gjithqysh t’ua publikoni atë njerëzve e të mos e fshihni. Por ata e lanë pas dore atë për pak send të kësaj jete; pra, bënë punë të keqe.” Ali Imran, 187.

Allahu i ka qortuar ata të cilët e fshehin atë që i është zbritur nga Allahu.

“Ata, të cilët fshehin argumentet dhe faktet që Ne i shpallëm, e pasi që ato ua sqaruam njerëzve në librin, të tillët i mallkon Allahu, i mallkojnë edhe ata që mallkojnë.” Bekare, 159. Pendimi i tyre nuk pranohet, përveç nëse tregojnë të vërtetën. Ata të cilët heshtin në sqarimin e së vërtetës, i pret një dënim në këtë botë dhe nuk do të kenë asgjë në botën tjetër. “Ata që fshehin nga libri atë që shpalli Allahu dhe për te fitojnë shumë të paktë, ata në barqet e tyre fusin vetëm zjarr. Atyre Allahu nuk do t’u flasë në Ditën e Gjykimit dhe as nuk i shfajëson ata, por për ta pason dënimi i rëndë e i padurueshëm.” Bekare, 174.

Pra, pas këtij kërcënimi të madh, për atë që e kanë fshehur nga ajo që është zbritur, si dhe pas nënçmimit të madh të atyre prej të cilëve Allahu ka marrë besën, duhet që këta mos të heshtin, por t’ua sqarojnë njerëzve fenë e Allahut. Nuk ka arsyetim nga askush prej këtij umeti i cili di diçka nga ajo që është zbritur prej Allahut e pastaj ta fsheh atë.

Për çfarë e zbriti Allahu këtë fe? Për çfarë i zbriti këto tekste të cilat na urdhërojnë për një frikë ndaj Allahut dhe një nënshtrim ndaj Tij? A nuk është prej të drejtës së njerëzve ta njohin atë që është zbritur prej Allahut? A nuk është prej të drejtës së tyre që të dinë se pse Allahu i zbriti këto tekste me të cilat na urdhëron që të kapemi për ligjin e Allahut dhe t’i lemë ligjet e tjera? A nuk është e drejtë e muslimanit të dijë se duhet të distancohet prej çdo jobesimtari? A nuk është e drejtë e njerëzve që ta dinë ndalesën e kamatës? A nuk është obligim i atij që Allahu i ka dhënë dije ta kumtojë atë njerëzve? A nuk është obligim që të kumtojnë atë që Allahu ua ka dhënë atyre? Pra, çdo gjë që ka ardhur prej Allahut në librin e Tij apo në sunetin e të dërguarit të Tij, është obligim që ta dinë njerëzit. Sikur mos të ishte kjo, atëherë Allahu nuk do të kishte zbritur ajete që do të lexohen deri në Ditën e Gjykimit. Kur kjo çështje i fshihet njerëzve, atëherë ne e meritojmë mallkimin e Allahut të engjëjve dhe të njerëzve në përgjithësi. A ia vlen që dikush prej këtij umeti, pas këtij kërcënimi të ashpër, të fshehë diçka nga ajo që ka zbritur Allahu?

T’i thërrasim të gjithë njerëzit në Islam

Prej fushave që ky umet duhet ta mbajë amanetin me të cilin është ngarkuar, është që këtë fe ta përhapim te të gjithë njerëzit. Sa nga njerëzit vdesin çdo ditë në pabesim dhe duke i bërë shok Allahut? Sa nga njerëzit vdesin, të cilët nuk dinë asgjë nga feja e Allahut? Sa nga njerëzit vdesin duke bërë tavaf rreth varreve, bëjnë tavaf rreth atyre njerëzve, për të cilët pretendojnë se janë evlia? Sa nga njerëzit vdesin në krishterizëm, budizëm, sekularizëm, ateizëm; shumë prej tyre, ndoshta asnjëherë, nuk kanë dëgjuar për të vërtetën? Kujt i takon përgjegjësia për gjendjen e këtyre njerzëve? Thirrja e këtyre njerëzve a është obligim i një grupi të caktuar apo i tërë umetit në përgjithësi?

Kjo kohë është koha e teknologjisë, një kohë e bartjes së bisedave përmes lidhjeve elektronike. Bota është bërë sikur një fshat. Megjithëkëtë lehtësim, muslimanët nuk kontribuojnë në hapjen e programeve fetare satelitore apo elektronike dhe nuk kontribuojnë në mjete, të cilat pengojnë thirrësit në imoralitet dhe në të këqija. Gjeneratat para nesh e kuptonin dhe e dinin përgjegjësinë e mbajtjes së këtij amaneti. Njëri prej luftëtarëve në kalin e tij u ndal në bregdet të oqeanit dhe tha: “O Zot, sikur ta di se pas këtij deti ka popuj, do ta kisha kaluar këtë det me këtë kalë, vetëm për t’i thirr ata në fenë e Allahut”.

Mbajtja e këtij amaneti është përgjegjësi e çdo muslimani në përgjithësi, i vogël dhe i madh, mësues dhe i thjeshtë.

E lusim Allahun që ta ngrejë fjalën e Tij, ta bëjë të fitojë feja e Tij! Ai është që dëgjon dhe përgjigjet në lutje. Paqa dhe bekimi i Allahut qoftë mbi Muhamedin salallahu alejhi ue selem, familjen dhe shokët e tij.

Përktheu: Shaban Murati/klubikulturor/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit