8.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Mospajtime për temat e diskutimit: Bislimi e Petkoviq nuk takohen në Bruksel

Më të lexuarat

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë zhvilluar dy herë bisedime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili duket se nuk arriti t’i bindë ata për një takim trepalësh me të martën në Bruksel.

Bislimi u takua dy herë me Lajçakun të martën paradite dhe më pas tha për gazetarët se një takim trepalësh me Petkoviqin dështoi pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.

“Në agjendë kishte vetëm një pikë, ecja përpara me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Por, u theksua se tema shtesë mund të diskutohen nëse të dyja palët pajtohen. Ne u pajtuam për këtë, por Serbia donte ta kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në takim me tema shtesë në agjendë, të cilat nuk ishin të pranueshme për palën kosovare”, tha Bislimi.

Ai nuk shpjegoi se çfarë kërkesash shtoi pala serbe për ta kushtëzuar pjesëmarrjen në takim trepalësh.

Por, kryenegociatori serb, Petkoviq, e akuzoi Bislimin se nuk pranoi të takohet me përfaqësuesit e Beogradit për shkak të insistimit të tij në tema si Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Çfarë normalizimi është ky, nëse ju nuk dëshironi të flisni për çështjen kyç siç është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Një çështje kyç është gjithashtu edhe se si po jetojnë serbët në Kosovë”, tha Petkoviq.

Ai konfirmoi se i ka dorëzuar të Lajçakut një listë të serbëve të arrestuar të cilët, sipas Petkoviqit, janë “të burgosur politikë”.

Takimi dypalësh

Në takimin dypalësh me Lajçakun, Bislimi tha se temë kryesore ka qenë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të implementimit në Ohër, për ç’gjë Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2023, por nuk kanë bërë hapa për zbatimin e saj.

Marrëveshja e Ohrit, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

“Tema kryesore në takim me Lajçakun ka qenë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të implementimit në Ohër. Kemi folur edhe për atë se deri ku kemi mbërritur me disa marrëveshje të tjera dhe ku kemi hasur në probleme”, shtoi ai.

Përveç çështjes së Marrëveshjes Bazë, kryenegociatori i Kosovës tha se bisedoi me të dërguarin e posaçëm të bllokut edhe për një sërë temash të tjera, si çështja e personave të zhdukur me dhunë dhe Marrëveshja për Telekomunikacionin nga vitit 2013, duke e akuzuar Serbinë për shkeljen e tyre.

“Kemi biseduar edhe për Telekomunikacionin, sepse ne kohë më parë e kemi njoftuar Brukselin për shkeljet që po i bën Serbia duke interferuar në frekuenca brenda territorit të Serbisë, por edhe problemet që rregullatori ynë me ITU-në, e cila nuk po e zbaton marrëveshjen qysh jemi dakorduar në Bruksel”, theksoi ai.

Ndërkohë, Bislimi tregoi se edhe çështja postare në Kosovë u diskutua në takimin e tij me Lajçakun, pasi institucionet kosovare i mbyllën gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, në fillim të këtij viti.

BE-ja i kishte kritikuar autoritetet kosovare për mbylljen e tyre, por Bislimi nguli këmbë se në takim “u vërtetua Kosova veproi në përputhje me direktivat” e bllokut.

“Lajçaku kishte ftuar ekspertë të cilët na njoftuan me direktivat e Komisionit Evropian dhe këto ishin shumë të vlefshme për neve. Këtu e pamë se sipas tyre Kosova është plotësisht në harmoni me direktivat e BE-së, ndërsa Serbia është vetëm pjesërisht, por po ashtu mësuam se askund në BE nuk lejohen apo tolerohen veprime ilegale të kompanive që bëjnë shërbime postare, prandaj ka qenë se drejt mbyllja e tyre nga ne”, shtoi ai.

Ai tha se u pajtua që Kosova dhe Brukseli të diskutojnë në të ardhmen edhe për mënyrën se si të veprohet me hapjen e urës mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe.

Qeveria e Kosovës njoftoi muaj më parë që synon ta hapë urën, duke zemëruar Serbinë dhe duke nxitur kritika nga bashkësia ndërkombëtare, e cila tha se kjo nuk duhet të bëhet tani për tani.

Për herë të fundit, Bislimi dhe Petkoviq ishin takuar në fillim të korrikut, por pa ndonjë rezultat.

Këtyre takimeve të martën u kanë paraprirë udhëtimet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë dhe në Beograd.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Lajçak kishte thënë se Serbia e kishte tërhequr një letër që kryeministrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiq, i dërgoi një letër BE-së vitin e kaluar, ku shprehu rezerva për marrëveshjen për normalizmin e marrëdhënieve.

Megjithatë, sipas Bislimit, Lajçaku “konfirmoi sot se ai donte të thoshte se Serbia po punon për ta tërhequr atë letër” dhe se ajo nuk është tërhequr.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Përveçse në nivel kryenegociatorësh, bisedimet zhvillohen edhe në nivel politik.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar qysh nga shtatori të vitit të kaluar dhe të dy kanë akuzuar njëri-tjetrin për qasje jokonstruktive.

Bislimi tha të martën se pritet të ketë takim të ri në nivel kryenegociatorësh dikur kah dhjetori, por jo edhe takim në nivel liderësh.

BE-ja, në anën tjetër, përsërit se dialogu është e vetmja mënyrë për normalizimin e marrëdhënieve.

Ajo e ka kushtëzuar integrimin evropian të të dyja vendeve me përparimin në dialog.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit