-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Cilët janë konkurentët amerikane të Wagner-it rus në kontinentin e zi?

Më të lexuarat

Kompania që po u “vjedh” biznesin fitimprurës mercenarëve të Moskës

Një vit pas vdekjes së themeluesit të Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, Kremlini ka nën kontroll të plotë grupin e fuqishëm mercenar që ai themeloi.

Sot, njësia paraushtarake është më së shumti e integruar në Korpusin Afrikan të Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, por ende ka fuqi të madhe në Afrikë.

Numri i luftëtarëve Wagner në Afrikë është shumë nën kulmin e tij në vitin 2023, por Moska ka vazhduar të marrë pjesë në operacione ushtarake dhe të kryejë ato që Perëndimi pretendon se janë fushata dezinformuese në vende të tilla si Mali, Nigeri dhe Burkina Faso. Raportet nga terreni thonë se ushtarët rusë ende mbajnë simbole dhe uniforma të Wagner-it.

Por në Republikën e Afrikës Qendrore është shfaqur një lojtar i ri, një kompani private sigurie amerikane që mund t’ua vjedhë biznesin rusëve, shkruan portali i pavarur rus Meduza që sjell informacione të reja nga raportimet e fundit mbi aktivitetet ruse në Afrikë, duke iu referuar një raporti të Associated Press, i cili sjell njohuri të reja rreth aktiviteteve ruse në Afrikë

Para pushtimit gjithëpërfshirës të Ukrainës, Grupi Wagner ishte ndoshta më i njohur për operacionet e tij në Republikën e Afrikës Qendrore, ku luftëtarët e tij shpesh akuzoheshin për shkelje të të drejtave të njeriut. Për vite me radhë, qeveria e kombit afrikan politikisht të paqëndrueshëm është mbështetur në forcat ruse si roje sigurie, duke i dhënë Moskës akses në minierat e arit dhe diamantit në këmbim.

Amerikanët në Afrikë

Megjithatë, menjëherë pas tentativës së grushtit të shtetit të Yevgeny Prigozhin kundër Kremlinit në vitin 2023, zyrtarët në Republikën e Afrikës Qendrore “u kapën nga paniku” dhe iu drejtuan kompanisë amerikane të sigurisë Bancroft Global Development, sipas një raporti të Associated Press. Bancroft nënshkroi një kontratë me shtetin tre muaj pas kryengritjes dhe sot po ndihmon qeverinë me atë që ajo e përshkroi zyrtarisht si “sistemet e inteligjencës, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe zbatimi i ligjit”, raporton AP.

Departamenti Amerikan i Shtetit pretendon se nuk ishte i përfshirë në marrëveshje. Megjithatë, një burim që ka punuar në Afrikë për vite i tha AP se ka një shans të mirë që Uashingtoni po mbulon rolin e tij. Raporti thekson gjithashtu se SHBA “ka qenë duke ushtruar presion ndaj Republikës së Afrikës Qendrore për vite me radhë për të gjetur një alternativë ndaj Wagner-it”.

Themeluesi i Bancroft, Michael Stock u tha gazetarëve se ata “pritnin që Rusia të çmendej” me lajmet e partneritetit të ri në Republikën e Afrikës Qendrore, kështu që për të ndjerë pulsin e konkurrentëve, ata dërguan një punonjës rusishtfolës në kryeqytet në rolin e një vëzhguesi spiun. Pas shtatë ditësh, ai u arrestua nga forcat ruse dhe nuk u lirua derisa presidenti i vendit, Faustin Archange Touadera, ndërhyri personalisht.

Samuel Ramani, një analist në Institutin Mbretëror të Shërbimit të Bashkuar të Britanisë, tha se Rusia mund të fitojë “fuqi më të madhe ekonomike dhe politike” në Afrikë nëse SHBA-ja nuk arrin të “rifitojë një terren” atje. Por ka një skenar tjetër. Nëse modeli rus i sigurisë ndryshon, ai mund të shkaktojë një “efekt domino edhe në vendet e tjera afrikane”, përfundon Ramani.

Republika e Afrikës Qendrore, e cila ka rreth 5 milionë banorë, është e pasur me minerale (ari, diamante, mineral bakri, hekur, mangan, mineral uraniumi), si dhe me burime të tjera natyrore (tokë pjellore, potencial hidroenergjetik, pyje). Por është ndër vendet më të varfra në botë, e ngarkuar nga konfliktet e armatosura, korrupsioni, ekonomia e pazhvilluar, tregtia ilegale dhe probleme të tjera ekonomike dhe sociale.

Çfarë është Bancroft?

Bancroft është një kompani me bazë në Uashington që e deklaron veten një organizatë jofitimprurëse dhe operon në nëntë vende, pesë prej të cilave janë në Afrikë. Ata kanë qenë në Somali më gjatë, më shumë se 15 vjet, duke trajnuar pjesërisht trupa për të luftuar kundër grupit militant al-Shabab.

Përfshirja e Bancroft në Republikën e Afrikës Qendrore është mbuluar me fshehtësi që kur u shfaqën shenjat e pranisë së tij vjeshtën e kaluar.

Pjesa më e madhe e financimit total të Bancroft vjen nga grantet e SHBA-së dhe Kombeve të Bashkuara. Nga viti 2018 deri në vitin 2020, ata morën më shumë se 43 milionë dollarë nga SHBA.

Amal Ali, një ish-analist i inteligjencës amerikane, zbuloi për AP se pavarësisht nga prania e tij shumëvjeçare në Somali, Bancroft nuk kontribuoi në ndonjë çrrënjosje të vërtetë të grupimeve militante në atë vend.

Stock i hodhi poshtë komentet e tilla si të painformuara dhe tha se qeveritë e Somalisë dhe të SHBA “pajtohen që Bancroft ka bërë shumë për të luftuar grupet e armatosura të paligjshme dhe për të zhvilluar kapacitetin e qeverisë për të mbrojtur në mënyrë profesionale vendin.” /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit