3.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Putini me Kuran në dorë: Si propaganda filoruse përpiqet të fshehë krimet e shkuara kundër muslimanëve – Nga Roald Hysa

Më të lexuarat

Një propagandë e ulët dhe ordinere filoruse po na shfaqet me imazhin e Putinit, që puth Kuranin dhe tregon respekt ndaj liderave çeçenë, ku janë pikërisht trupat ruse ato që e shkatërruan dhe e rrafshuan kryeqytetin çeçen Groznin.

Historia e marrëdhënieve të Rusisë me vendet muslimane
Historia e marrëdhënieve të Rusisë me vendet muslimane që i ka okupuar prej kohësh është e mbuluar me gjakun e miliona dhe miliona frymëve njerëzore të zhvendosura e të dëbuara me dhunë nga trojet e tyre amtare, që nisin nga Krimea, Ingushetia, Çeçenia, Dagestani, Çerkezia e shkon përtej maleve të Kaukazit në Afganistan e Buharanë e sotme në Uzbekistan.

Pogromet ruse
Pogromet ruse nisin qysh në kohën e perandoreshës Ekaterina dhe dashnorit të saj katil princit Potjomkin, të cilët në programet e veta kishin si ëndërr ta rimerrnin Stambollin dhe ta ripagëzonin Kostandinopojë. Madje për këtë, Ekaterina e kishte pagëzuar nipin e vet Kostandin, perandorin e ardhshëm të Kostandinopojës, që do të vendosej në fronin bizantin, pikërisht Stambollin.

Rezistenca muslimane
Imam Shamili është një nga emrat e mëdhenj ndër shumë nga ata prijësa muslimanë që i rezistuan valëve ruse, të cilat në mënyrë të rregullta i kanë zhvendosur me dhunë popullsitë e këtyre vendeve. Mos ta harrojmë Çerkezinë dhe popullin e saj të masakruar, që i kemi edhe sot e kësaj dite midis nesh në Shqipëri e Kosovë.

Masakrat e Stalinit
Masakra pa fund që nisin nga vitet 1850 e vazhdojnë edhe një shekull më pas me të paktën dy milionë çeçenë që u internuan për më shumë se dyzet vjet në Siberi nga pogromet komuniste të Stalinit.

Enver Pasha dhe rezistenca osmane
Mos të harrojmë këtu të famshmin Enver Pasha, ish-Shefi i Shtabit të Shtatmadhorisë së Perandorisë Osmane, i cili ra dëshmor duke luftuar në Turkestanin e largët kundër hordhive të ushtrisë së kuqe leniniste, të cilat po masakronin pa mëshirë popullsinë e pafajshme muslimane për ta futur me dhunë Turkestanin në Bashkimin Sovjetik.

Politikat e vazhdueshme të Rusisë
Rënia e Bashkimit Sovjetik nuk ka ndryshuar asgjë nga këto politika, ku popullsitë muslimane të vendeve që i përmendëm më sipër kanë vazhduar pandërprerje qysh nga Boris Jelcini e më pas katili i stërvitur në kampet e KGB-së, presidenti aktual Putin. Shifrat janë të larta, ku sa për të cituar një fakt më duhet t’ju tregoj se vetëm në Luftën e Dytë Ruso-Çeçene, që zgjati rreth 9 muaj (7 gusht 1999 – 30 prill 2000), humbjet njerëzore në ushtarakë e civilë së bashku shkojnë nga 50,000 – 80,000 frymë.

Shkatërrimi i Groznit
Rrethimi dhe shkatërrimi i Groznit është nga historitë më të dhimbshme në shifra. Në vitin 2003, Organizata e Kombeve të Bashkuara e emërtoi Groznin qytetin më të shkatërruar në tokë, sepse nuk kishte mbetur asnjë ndërtesë e vetme pa u dëmtuar nga bombardimet ruse. Forcat ruse gjatë rrethimit të Groznit patën 368 të vrarë dhe 1469 të plagosur (sipas burimeve ushtarake ruse), ndërsa humbjet civile çeçene shkojnë nga 5,000 – 8,000 frymë të pafajshme.

Përpjekjet për të fshehur krimet
Përpjekjet e Çiçikovit me frymët e vdekura nuk do të kishin gjetur përkrahës më të mirë se sa injorantët modernë që përloten nga një foto e Putinit që puth Kuranin.

Pansllavizmi dhe Ballkani
Kuçedra e pansllavizmit, siç e përshkruante Hafiz Dalliu, nuk i ka humbur ende të shtatë kokat e saj, ku një ndër to i ka fryrë vazhdimisht zjarrit të propagandës filoruse dhe ende vazhdon t’i fryjë sot në Ballkan.

Përfundim
Kush preket nga fotografia e Putinit të mos harrojë më së paku atë që ndodhi në Bosnje Hercegovinë e Kosovë si pasojë e modeleve pansllaviste të marra nga këto lloj pogromesh, që kanë nisur nga mesi i shek. 19 e deri më sot kur po flasim.

Nga Roald A. HYSA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit