Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është rikthyer të premten në Tribunalin e Hagës, kanë konfirmuar për portalin “Korieri” burime të sigurta brenda Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Haradinaj ka arritur në Tribunalin e Hagës, dy ditë para se të mbahen dy seancat përmbyllëse të procesit gjyqësor kundër ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe dy ish bashkëluftëtarëve të tij, më 25 dhe 26 qershor, në të cilat Prokuroria dhe Mbrojtja do të thonë fjalën përfundimtare, për t’i lënë pastaj kohën për rreth dy muaj trupit gjykues që të marrë një vendim përfundimtar për këtë rast.
Vendimi përfundimtar pritet të merret në fund të muajit gusht ose eventualisht gjatë muajit shtator, transmeton “Zëri”.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës iu bashkua përkohësisht familjes së tij më 10 maj, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish-Jugosllavisë, që ta lirojë përkohësisht atë.
Gjatë qëndrimit disa javor në Kosovë, Haradinaj shoqërohej nga Policia e Kosovës dhe forcat e EULEX-it, pasi gjykata e liroi atë nën kushte të rrepta që nënkupton lëvizje të kufizuar dhe që të mos ketë asnjë përfshirje në veprimtari politike apo paraqitje publike.