2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Orban me Zelensky-n në Kiev, ç’i thanë njëri-tjetrit?

Më të lexuarat

Vizita, një ditë pas Hungaria morri Presidencën e BE-së

Kryeministri hungarez dhe kryetari i Këshillit të Bashkimit Evropian Viktor Orbán i bëri thirrje presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev të martën që të mendojë për një “armëpushim”, ndërsa ai theksoi rëndësinë e një “paqeje të drejtë” për Ukrainën, e cila ilustron dallimet në pikëpamjet e tyre, por edhe mes Budapestit dhe shumicës së evropianëve, transmeton AFP.

“I kërkova presidentit të shqyrtojë shpejt mundësinë e një armëpushimi”, i cili do të ishte “i kufizuar në kohë dhe do të lejonte përshpejtimin e bisedimeve të paqes,” tha Orban, i cili është i vetmi anëtar i BE-së që qëndron pranë Kremlinit dhe nuk kishte vizituar Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022.

Sipas tij, biseda me Zelensky-n ka qenë “e sinqertë”. “Sigurisht që përmbajtjen e atyre bisedimeve do ta përcjell në Këshillin e BE-së në mënyrë që të merren vendimet e nevojshme evropiane”, tha ai.

Vizita e Orban, një kritik i hapur i ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën, erdhi një ditë pasi Hungaria mori presidencën e rradhës të Këshillit të BE-së.

Një “nivel i mjaftueshëm” i ndihmës ushtarake

Zelensky tha se vizita e kryeministrit hungarez ilustron “prioritetet e përbashkëta evropiane, se sa e nevojshme është të sigurohet një paqe e drejtë për Ukrainën dhe gjithë Evropën”.

“Unë kërkova gjithashtu që të ruhet niveli i mjaftueshëm i ndihmës ushtarake që Europa i dërgon Kievit”.

Në fillim të vitit, Orban vuri veton mbi 50 miliardë euro të ndihmës së BE-së për Ukrainën. Ndihma u miratua përfundimisht, por me një vonesë, të cilën zyrtarët ukrainas e kritikuan.

Por tani ai foli për “përmirësimin” e marrëdhënieve dypalëshe midis Budapestit dhe Kievit.

“Ne do të përpiqemi të lëmë pas mospajtimet e së kaluarës,” tha ai.

Si kusht për paqen, Ukraina kërkon që forcat ruse të tërhiqen nga territori i saj, ndërsa Moska kërkon që t’i lëshojë pesë rajone dhe të heqë dorë nga ambiciet e saj për t’u anëtarësuar në NATO.

Jermak: Biseda të rëndësishme

Shefi i kabinetit të Zelensky-t, Andrij Jermak, ka njoftuar më herët në kanalin e tij Telegram se Ukraina bëri shumë për të realizuar këtë vizitë, transmeton Ukrinform.

“Diskutime të rëndësishme për të ardhmen e Evropës, sigurinë, ligjin ndërkombëtar dhe formulën e paqes”, ka shkruar Jermak.

Vizita e Orbanit erdhi pasi Hungaria mori dje presidencën e BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm.

Orban ndodhet në Kiev pavarësisht tensioneve për lidhjet e Budapestit me Moskën dhe kundërshtimin e ndihmës për Ukrainën.

Hungaria nuk do të bllokojë vendimet e NATO-s për mbështetjen e Ukrainës, por ka vendosur të mos marrë pjesë në të, tha kryeministri hungarez Viktor Orban në mes të qershorit gjatë vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës Jens Stoltenberg në Budapest.

Hungaria është në mosmarrëveshje me vendet anëtare të NATO-s për lidhjet e ngushta të Orbanit me Rusinë dhe mosgatishmërinë e tij për të dërguar armë në Ukrainë. Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto tha muajin e kaluar se planet për të ndihmuar Ukrainën ishin një “mision i çmendur”.

“Hungaria e bëri të qartë sot se nuk do të bllokojë vendimet e NATO-s, të cilat, megjithëse ndryshojnë nga vlerësimi ynë racional i situatës, janë të përbashkëta dhe të mbrojtura nga pjesa tjetër e Aleancës”, tha Orbán.

Hungaria refuzon të ndihmojë Ukrainën

Orban tha se ka marrë garanci nga Stoltenberg se Hungaria nuk do të duhet t’i japë para Ukrainës ose të dërgojë ushtarë të saj, transmeton Reuters.

Në maj, Orban tha se në Bruksel ata po përgatisin grupe pune se si NATO mund të marrë pjesë në luftën ruso-ukrainase.

“Ka disa ngjashmëri alarmante mes tani dhe periudhës kur po bëheshin përgatitjet për Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore”, tha Orban për shërbimin publik Kossuth Radio, transmeton Reuters.

“Ajo që po ndodh sot në Bruksel dhe Uashington, ose aktualisht më shumë në Bruksel sesa në Uashington, krijon disponimin për një konflikt të mundshëm ushtarak që mund ta përshkruanim si një përgatitje për hyrjen e Evropës në luftë”, tha ai.

Kur është fjala për situatën e Hungarisë në këtë kontekst, Orban tha se vendi, si anëtar i NATO-s, ka përfaqësues në ato grupe, “por ata nuk duan të marrin pjesë në konflikt, me kontribut financiar ose duke dërguar armë, qoftë edhe brenda NATO-s”.

 Hungaria, një anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, refuzon të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën në mbrojtje kundër një pushtimi rus që filloi në shkurt 2022. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit