5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024


Macron ka “vdekur” politikisht; a mund ta ndalë dikush Le Pen?

Më të lexuarat

Presidenti duhet vendosë nëse do të mbështesë të majtën për të penguar ngjitjen në pushtet të së djathtës ekstreme

Nga Clea Caulcutt, Politico.eu

Emanuel Macron përballet me një zgjedhje të vështirë e të dhimbshme: të përdorë çdo lloj mjeti për të ndalur ngjitjen në pushte të së djathtës ekstreme, apo të përpiqet të shpëtojë atë që ka mbetur nga lëvizja e tij dikur dominuese, përpara se të vdesë?!

Për liderin 46-vjeçar të Francës, zgjedhjet parlamentare të raundit të parë të së dielës, ishin një poshtërim po aq personal, sa edhe suksesi i tij mahnitës i hyrjes në presidencë si një fytyrë e re shtatë vjet më parë. Ai thirri zgjedhjet e parakohshme, pas një disfate katastrofike përballë të djathtës ekstreme në zgjedhjet evropiane të qershorit, me një synim në mendje: të ndalte zhvendosjen e mëtejshme të Francës në ekstremet e saj politike.

Në fakt arriti të kundërtën. Ekonomia e dytë më e madhe e Evropës dhe fuqia e vetme bërthamore e BE-së është sot më afër se kurrë krijimit të një qeverie të ekstremit të djathtë, sepse Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen pati një epërsi shumë të madhe në raundin e parë të votimit.

Nëse votimi i raundit të dytë më 7 korrik, i jep një shumicë parlamentare Tubimit Kombëtar – dhe parashikimet sugjerojnë se kjo gjë është e mundur – atëherë Franca do të lundrojë në ujëra të paeksploruara më parë. Ajo do të qeveriset, të paktën pjesërisht, nga politikanë që kanë bërë emër duke simpatizuar Vladimir Putinin, ndërsa zotoheshin se do ta shkatërronin Bashkimin Evropian, do të luftonin kundër emigracionit dhe do largoheshin nga NATO.

Edhe pse partia e Le Pen i ka moderuar disa nga pozicionet e saj më radikale, ajo mbetet shumë skeptike ndaj pozicioneve politike kryesore të Perëndimit. Një fitore në këto zgjedhje, do t’i jepte një nxitje të fuqishme shanseve të saj për të fituar presidencën franceze në vitin 2027.

“Mund të themi se detoksifikimi i Tubimit Kombëtar po arrin në fazat e tij përfundimtare. Ata fituan zgjedhjet evropiane tre herë radhazi, dhe Marine Le Pen kaloi dy herë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Nëse fiton zgjedhjet parlamentare, do të bëhet pjesë e establishmentit”- shprehet Bruno Kotrë, analist politik në Universitetin Sciences Po.

Sipas analizave nga instituti i sondazheve IPSOS, rezultatet e projektuara e vendosin Le Pen brenda rrezes së pushtetit. Partia e saj mori 33.2 për qind të votave në raundin e parë, dhe kjo do të thotë se e djathta ekstreme mund të marrë midis 230-280 vende në parlament.

Teksa pragu për të pasur një shumicë absolute në parlament është 289 vende, e djathta ekstreme mund të jetë në gjendje të formojë një qeveri brenda një jave, me kryeministër kreun e partisë Jordan Bardela.

Tani pyetja është nëse ndonjë gjë apo dikush, mund ta ndalë atë.

Se sa do t’i afrohet Le Pen një shumice absolute, kjo gjë do të varet nga mënyra sesi partitë e tjera dhe Macron reagojnë ndaj fitores së saj të bujshme. A do t’i lënë ata mënjanë dallimet e tyre dhe bashkohen për të mposhtur të djathtën ekstreme? Zgjedhjet parlamentare, janë një proces kompleks, me dy raunde, në të cilin dy kandidatët që marrin më shumë vota në raundin e parë kalojnë në të dytin.

Por në këto zgjedhje vendimtare pjesëmarrja ishte e lartë, dhe kjo do të thoshte se në rreth 315 zona zgjedhore një kandidat i tretë, shpesh dikush nga koalicioni Ansambleja i Macron, kualifikohet gjithashtu për në raundin e dytë. Që të dielën në mbrëmje, aleatët e Macron po përpiqeshin të vendosnin se çfarë do të bëjnë.

Protesta në Paris

 Kandidatët e koalicionit të Macron – Ansambleja, kanë humbur në gjysmën e 577 zonave elektorale të Francës. Grupi parlamentar centrist i Macron pritet të tkurret nga 250 në më pak se 100 deputetë në Asamblenë Kombëtare. Tani edhe aleatët e tij po centristë përballen me një presion të madh për t’u tërhequr nga gara në shumë zona dhe po i këshillojnë mbështetësit e tyre që të votojnë për aleancën e krahut të majtë, e cila përfshin edhe radikalët e majtë, në një përpjekje të dëshpëruar për të mposhtur Le Pen.

Pasi u publikuan parashikimet fillestare, mijëra qytetarë francezë u mblodhën në Sheshin e Republikës në Paris për të protestuar kundër të djathtës ekstreme. Skenat të kujtonin protestat kundër Zhan-Mari Le Pen, babait të Marin, i cili u kualifikua në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në vitin 2002 si kandidat për partinë që në atë kohë njihej si Fronti Kombëtar.

Atëherë, partitë dhe votuesit u bashkuan kundër të djathtës ekstreme, duke lënë mënjanë dallimet e tyre, për të mposhtur kandidatin e ekstremit të djathtë, nën një politikë të njohur si “kordoni sanitar”. Por gjatë dy dekadave të fundit, politika evropiane ka ndryshuar në një mënyrë dramatike.

Partia e ekstremit të majtë, Franca e Papërkulur dhe lideri i saj Jean-Luc Mélenchon, është shfaqur si një armik edhe më i madh për centristët sesa Le Pen, pas një viti të kaluar duke luftuar fort në Asamblenë Kombëtare. Vetë Macron e shpenzoi pjesën më të madhe të kësaj fushate, duke kritikuar politikat e aleancës së Frontit të Ri Popullor të krahut të majtë, që përfshin edhe të majtën ekstreme.

Ai i cilësoi si “groteske” dhe shkatërruese për Francën. Gjatë një dalje publike disa orë pas humbjes, kryeministri i Macron, Gabriel Atal bëri thirrje që “të mos votohet në asnjë mënyrë për Tubimin Kombëtar”, por ai la të kuptohet se kandidatët që i përkasin koalicionit të Makron duhet të tërhiqen vetëm në rastet kur një kandidat nga “forcat republikane” është në një pozicion më të mirë për të fituar, ndoshta duke përjashtuar kandidatët e Franca e Papërkulur.

Shenja më e qartë e prishjes së “kordonit sanitar” erdhi nga aleati i Macron dhe ish-kryeministri Eduard Filip, i cili u bëri hapur thirrje votuesve që të kundërshtojnë si Tubimin Kombëtar ashtu edhe partinë Franca e Papërkulur.

“Mélenchon dhe Macron kanë kaluar muaj të tërë duke zhvilluar një betejë të fortë politike ndaj njëri-tjetrit, është e vështirë që të ringjallet ‘kordoni sanitar”- thotë Bruno Zhanbar, anketues nga OpinionWay. “Po ashtu, nuk e dimë nëse edhe kjo manovër do të bënte diferencën këtë herë”- shton ai.

Zhanbar thekson se shpeshherë votuesit e qendrës zgjedhin të abstenojnë, kur vendosen para zgjedhjes midis ekstremit të majtë dhe atij të djathtë.

Afati i së martës

Kandidatët e kualifikuar për në raundin e dytë, kanë kohë deri të martën në mbrëmje për të vendosur nëse do të tërhiqen nga gara apo do të vazhdojnë garën. Mbrëmjen e të dielës, u duk se në shumë zona zgjedhore kandidati i tretë më i mirë po tërhiqej për të ndihmuar rivalin të mposhtte kandidatin e Tubimit Kombëtar.

Kjo e fundit ka thënë se nuk do të përpiqet të formojë një qeveri nëse nuk fiton një shumicë absolute në parlament. Të dielën, Le Pen këmbënguli se Bardela do të bëhet kryeministër vetëm nëse Tubimi Kombëtar do të ketë mbështetjen e parlamentit. Tradicionalisht, presidenti francez emëron një kryeministër nga grupimi më i madh parlamentar në Asamblenë Kombëtare.

“Pa një shumicë të qartë, do të ketë gjithmonë zënka të vjetra, inerci të qëllimshme dhe manovra politike, të cilat do të shkatërrojnë alternativën e vërtetë që i nevojitet vendit”- tha Le Pen. Dhe për të arritur një shumicë absolute, ajo duhet të arrijë një marrëveshje me deputetët e partisë konservatore Les Républicains – Republikanët.

Por aleanca parazgjedhore e Le Pen me liderin e qendrës së djathtë, Eric Sioti shkaktoi një reagim të ashpër nga figurat më të njohura të partisë. Nëse zgjedhjet do të prodhojnë një parlament të varur nga pakica, atëherë projekti politik i Macron mund të jetojë edhe për pak kohë, para se të marrë fund.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit