Frederik Martel: Vatikani, historikisht dhe strukturalisht gay, beteja e Françeskut thuajse e humbur
Nga Matt McDonald, The Spectator
Papa Françesku kërkoi sërish ndjesë këtë javë për përbuzjen ndaj “frociaggine”, pederastëve, që ndodhen në Vatikan dhe në seminaret katolike. Gjatë një takimi privat të martën, Françesku u ankua për “atmosferën e pederastisë” në Vatikan. Kjo pasoi komentin e tij më 20 maj, kur tha se “në Kishën tonë ka shumë pederastë”.
Ne intervistuam mbi këtë çështje Frederik Martel, moderator në Radio France, profesor në Universitetin ZHdK në Zyrih të Zvicrës, dhe autor i 12 librave, përfshirë “Brenda dollapit të Vatikanit”, bestsellerin e shpallur nga New York Times rreth sjelljes hipokrite ndaj homoseksualëve në nivelet më të larta të Kishës.
Martel ofron këndvështrimin e tij mbi arsyet që fshihen pas komenteve të fundit të Papës.
Papa Françesku ka tërhequr shumë vëmendjen e mediave, me pohimin e tij se “në Kishën tonë ka një atmosferë të rëndë pederastie”. Ç’mendoni mbi përdorimin e përsëritur të kësaj fjale?
Sipas meje, Papa foli sa gabim, po aq sa edhe tha të vërtetën. Gabim, pasi e përdor termin me tone keqdashëse “aria di frociaggine”, gjë që tregon moshën e tij të thyer (87 vjeç), e cila nuk e ndihmon të kuptojë rëndësinë e çështjes së homoseksualëve në vitin 2024, si dhe një marrëdhënie të vështirë me aktivizimin e tyre.
Unë nuk mendoj se Françesku është homofobik. Sepse disa nga ndihmësit e tij personalë në Buenos Aires dhe Romë ishin homoseksualë. Por ai ka një shqetësim të vërtetë ndaj atyre që e përdorin faktin e të qenit homoseksual për të mbrojtur një axhendë LGBT.
Për të kuptuar Vatikanin, duhet të kujtojmë se papët, kardinalët dhe peshkopët, shpesh shumë të moshuar, kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie me homoseksualitetin që daton që nga adoleshenca e tyre dhe kur ata ishin të rinj; pra homoseksualiteti në vitet 1930 (për Benediktin XVI), në vitet 1950 (për Françeskun), më së voni në vitet 1960 për shumicën e kardinalëve dhe peshkopëve.
Në fakt, ideja e tyre mbi homoseksualitetin daton që përpara Stonuollit, kur homoseksualiteti ishte i paligjshëm në shumicën e vendeve, një tabu dhe një e keqe që duhej kuptuar, duke përfshirë edhe veten, duke zgjedhur dëlirësinë. Ky është thelbi i homoseksualizmit në Kishën Katolike.
Në të njëjtën kohë, edhe Françesku ka të drejtë, sepse ai e kupton qartë se Vatikani është strukturalisht homoseksual. Nuk është çështje lobesh apo rrjetesh, por rregulli sociologjik: Kisha ka rekrutuar prej kohësh kryesisht homoseksualë dhe gradualisht, përmes shumë kanaleve, ka mënjanuar heteroseksualët që largohen prej saj për t’u martuar, apo që janë të margjinalizuar për shkak të një mjedisi qartësisht homoerotik. Unë kam jetuar rregullisht për katër vjet në Romë dhe në Vatikan për të shkruar librin tim dhe kjo “atmosferë pederastie” ishte e dukshme.
A mendoni se përdorimi i termit “pederasti” nga Papa, mund t’i atribuohet kryesisht faktit që ai i përket një brezi të vjetër, apo ka shpjegime të tjera (për shembull, nëse është një fjalë që ka të ngjarë të përdoret vetëm nga homoseksualë të fshehtë)?
Ndërsa ne mund të mendojmë se Papa Pali VI apo Benedikti XVI kishin prirje dhe dëshira homoseksuale, megjithëse ndoshta duke mbetur të dëlirë, pra pa kaluar në akte konkrete, askush nuk mund të mendojë se Françesku është homoseksual.
Përkundrazi, ai është një heteroseksual, që është edhe miqësor ndaj homoseksualëve (megjithëse ka qenë shumë i ndryshueshëm në idetë e tij mbi këtë temë) dhe shumë i rezervuar për gjithë-praninë e homoseksualëve të Vatikanit. Unë nuk mendoj se Françesku ka problem me homoseksualët në vetvete, por ai është shumë i rezervuar për aktivizmin e tyre.
Ai pëlqen homoseksualët e matur, le të themi “ata në dollap”. Pra jo që militojnë pro ose kundër kauzës së homoseksualëve, ndërkohë që janë homoseksualë. Ky për mendimin tim, është çelësi i komenteve të tij të përsëritura.
A është një shenjë se ai pajtohet me hipotezën tuaj të “Dollapit të Vatikanit”?
Françesku është pyetur edhe mbi librin tim. Ai u përgjigj se e kishte lexuar, e cilësoi “të mirë” dhe shtoi: “Unë i dija që të gjitha këto!”. Po ashtu, e diskutoi librin tim me disa kardinalë dhe peshkopë, veçanërisht kapitujt e mi mbi kardinalët Burke, Sodano, Ruini dhe Myler. Që janë në fakt edhe armiqtë e tij kryesorë…
Për të kuptuar Papën dhe deklaratat e përsëritura kohët e fundit, duhet të bëjmë një punë kundër-intuitive. Unë nuk besoj se Françesku po kritikon vetëm dominimin e homoseksualëve në Vatikan. Sepse shumica e priftërinjve, peshkopëve dhe kardinalëve në Romë kanë prirje homoseksuale edhe kur janë ende të dëlirë.
Por ai është kritik për faktin që opozita e tij është në masë të madhe homoseksuale. Ashtu si Benedikti XVI, ai e di se kardinalët Kazaroli dhe Sodano – dy sekretarët e shtetit të Gjon Palit II dhe kryeministrat e vërtetë të Papës – kishin praktika homoseksuale shumë aktive, dhe se ata rekrutonin kryesisht homoseksualë në hierarkinë e Vatikanit.
Kardinali Sodano, mbuloi të gjitha rastet kryesore të abuzimit seksual (Marsial Masiel në Meksikë, Karadima në Kili, Hans H.Groër në Austri, Mekkerik në SHBA etj.), me mbështetjen e kardinalit Stanisllav Ziviz, sekretari privat i Papa Gjon Palit II, për më shumë se 20 vjet. Françesku i di të gjitha këto.
Por më e rëndësishmja: ai e kuptoi – dhe kjo është teza kryesore e librit tim – se kundërshtimi ndaj shugurimit si klerikë të grave, fundi i beqarisë për priftërinjtë, vinte kryesisht nga homoseksualët aktivë ose të pandershëm. Dhe kjo e revolton shumë.
Ai bie dakord me rregullin sociologjik që përmend në librin tim: “Sa më homofobik të jetë një kardinal në publik, aq më shumë ka gjasa që ai të jetë homoseksual në privatësi”. Ky është për mua, çelësi i komenteve të Françeskut mbi “një atmosferë pederastie”.
Papa ka folur për “atmosferën e pederastisë” në seminare, dhe nëse burrat homoseksualë duhet të pranohen në priftëri. A janë këto dy komente pjesë e kritikës së tij të gjatë mbi moralin apo hipokrizinë e kardinalëve të tij në Vatikan apo Kishën Katolike në përgjithësi?
Mendoj se po. Besoj se Françesku ka qenë mjaft konsistent që në fillim: njohja e të drejtës së individëve për të jetuar seksualitetin e tyre sipas dëshirës; pranimi i bashkimeve civile; refuzimi i studimeve gjinore dhe martesave të homoseksualëve; denoncimi i kardinalëve homofobikë që janë pothuajse gjithmonë më homoseksualët në jetën e tyre private. Kjo është strategjia e tij.
Unë besoj se Françesku e di thellë në vetvete, se për Kishën nuk ka zgjidhje tjetër nëse dëshiron të dalë nga rastet e abuzimit seksual, nëse dëshiron të rimbushë me njerëz të rinj seminaret, dhe të ndalojë homofobinë e kolegjit të kardinalëve, përveçse të autorizojë shugurimin e grave, pranimin e martesës së priftërinjve dhe njohjen e homoseksualitetit brenda Kishës. Por ai nuk e realizoi këtë revolucion, pasi nuk e lejoi kolegji i kardinalëve. Por edhe sepse sot ai është një Papë i moshuar dhe me pozita më të dobëta. Pasardhësi i tij mund ta bëjë këtë, dhe dëshira kryesore e Françeskut është të inkurajojë ardhjen e një reformatori të vërtetë.
Si do ta karakterizonit fraksionizmin në Vatikan dhe në Kishën Katolike në përgjithësi mbi çështjen e priftërinjve homoseksualë, dhe si duhet të sillen ata?
Shumica e kardinalëve heteroseksualë – për shembull Mato Zupi dhe Huan Omela, janë shumë pak të tillë – janë shumë miqësorë me homoseksualët. Ata mendojnë se Kisha duhet të distancohet nga fiksimi i saj me çështjet seksuale. Kardinalët homoseksualë janë më anti-gay; ata bëjnë fushatë për dëlirësinë dhe refuzojnë shugurimin e grave në krye të famullive. Ata preferojnë që të qëndrojnë mes tyre në flluskën e tyre homoerotike, larg syve të botës. Ndaj Françesku i ka mënjanuar.
Çfarë ndryshimesh keni parë, apo ju kanë informuar burimet, mbi çështjen e homoseksualëve në priftëri gjatë 5 viteve të fundit që nga botimi i librit tuaj?
Problemi i homoseksualitetit në Vatikan ka qenë problemi kryesor i Kishës Katolike vitet e fundit. Dhe meqë është një çështje strukturore dhe sociologjike, asgjë nuk ka ndryshuar realisht. Kur je homoseksual në një fshat të vogël italian apo spanjoll dhe nuk e pranon këtë veçori, ose je një homoseksual i fshehtë dhe zgjedh të bëhesh prift.
Një heteroseksual nuk e bën më sot këtë zgjedhje, sepse askush nuk mund ta jetojë dëlirësinë në lumturi në vitin 2024. Heteroseksualët që dorëzohen pas saj janë ose të sëmurë – dhe kjo çon në abuzime seksuale – ose ekzemplarë të rrallë pa një seksualitet.
Sa për homoseksualët, ata e pranojnë beqarinë heteroseksuale dhe e gjejnë veten mes burrave. Ata mund të vishen me rroba grash, të këndojnë me zë të lartë dhe të jetojnë në mënyrë të fshehtë seksualitetin e tyre. Prandaj Papa flet për “një atmosferë pederastie”. Shprehja nuk është e bukur; por është e vërteta absolute.