27 C
Pristina
Sunday, September 29, 2024

Në Gaza po luhet edhe fati i një superfuqie

Më të lexuarat

Pas Bibit në Izrael, gjakut i të pafajshmëve do të ndëshkojë edhe Biden në SHBA

Nga Lorenzo Santucci, Huffinngton Post Itali

“Sondazhi sugjeron se nëse dëshiron të ruajë shanset e tij për fitore, Biden nuk mund të vazhdojë të injorojë bindjet dhe kërkesat e një segmenti të madh të bazës së votuesve demokratë” – Kështu shprehet Osama Abuirshaid, drejtor ekzekutiv i AJP Action (Americans for Justice in Palestine Action).

Organizata e tij, e porositi YouGov të kryente një sondazh të kufizuar në pesë shtetet vendimtare për fitimin e garës për në Shtëpisë së Bardhë – Arizona, Michigan, Minesota, Pensilvania, Wisconsin – për të kuptuar se si është atmosfera gjashtë muaj para ditës së votimit. Dhe rezultati konfirmon se për presidentin aktual punët janë shumë keq.

Aty ku demokratët kanë fituar gjithmonë, sot një në pesë votues është më pak i bindur të votojë për të për shkak të menaxhimit skandaloz të konfliktit në Gaza. Në përgjithësi, përqindja e atyre që e mbështesin, ka rënë nga 44 në tetor në 33 për qind sot.

Kjo qasje ndahet si nga demokratët ashtu edhe të pavarurit, të cilët mund të binden për të kundërtën, vetëm nëse do të ketë një armëpushim të shoqëruar me një kufizim të ndihmës ushtarake për Izraelin. Megjithëse shumë njerëz nuk e konsiderojnë të besueshëm një ndryshim të politikës aktuale të Uashingtonit ndaj Tel Avivit.

Rreth gjysma e të intervistuarve, u përgjigjën se shteti hebre po kryen një gjenocid, dhe midis tyre deri në një e katërta kanë vendosur tashmë që më 5 nëntor të mos votojnë për Joe Biden.

Pas asaj që ndodhi së fundmi në Rafah, ku të paktën 45 palestinezë – përfshirë dy liderë të Hamasit – vdiqën nën bombat izraelite, Shtëpia e Bardhë po vlerëson nëse sulmi e kaloi apo jo “vijën e kuqe” të vendosur më herët prej saj.

Uashingtoni është përpjekur herë pas here ta bindë aleatin e tij të heqë dorë nga sulmi në Rafah, duke pasur parasysh pamundësinë për të garantuar sigurinë e civilëve. Një operacion ushtarak do të kishte pasoja politike shumë të rënda, duke filluar me pezullimin e furnizimeve ushtarake, arma më e fortë e presionit që ka pasur Amerika ndaj Izraelit.

Pavarësisht se komuniteti ndërkombëtar është kthyer kundër tij, Benjamin Netanyahu nuk i ka dëgjuar apelet e administratës amerikane, kërcënimet e së cilës kanë rënë në vesh të shurdhër dhe pa ndonjë pasojë negative për të. Kjo apati e Biden, ka nxitur kritika të forta tek elektorati progresist, dhe sidomos i Gjeneratës Z (amerikanët e lindur midis viteve 1997-2012), dhe e ka vënë në rrezik të ardhmen politike të udhëheqësit të demokratëve.

“Është e kotë t’i biem rrotull: Biden është në telashe serioze. Ai shpreson që frika e rikthimit të Donald Trump në krye të vendit, do t’i bëjë të rinjtë ngurrues dhe bojkotues, duke e kompensuar kështu zhgënjimin me qeverisjen e tij. Por ky është një bast i rrezikshëm, dhe sondazhet e sotme e tregojnë se ai është humbës. Edhe pse shumë gjëra mund të ndryshojnë gjatë muajve të ardhshëm”, thotë Mario Del Pero, profesori i historisë së Shteteve të Bashkuara në Universitetin Sciences Po në Paris.

Sipas tij, vota e të rinjve, veçanërisht e atyre nën moshën 30-vjeçare, është e rëndësishme, në mos  vendimtare, siç ishte edhe në vitin 2020, kur në këtë segment elektoral Biden fitoi me rreth tridhjetë për qind avantazh ndaj Trump. Por për shkak të perceptimit negativ që kanë për politikën, ky segment mbetet një elektorat që është në thelb “i vështirë për t’u mobilizuar”. “Që përpara ngjarjeve të 7 tetorit 2023, demokratët e kishin të vështirë të ruanin mbështetjen e  katër viteve më parë, pavarësisht se administrata Biden kishte zbatuar disa nga politikat e kërkuara nga të rinjtë, si ato për mjedisin dhe reduktimin e borxhit të shkollave. Por këto nuk mjaftuan”, shton Del Pero.

Më pas erdhi lufta e Gazës, e cila e distancoi edhe më Biden nga të rinjtë. Demokratët kanë rishikuar prej vitesh qëndrimin e tyre ndaj Izraelit, duke bërë kritika më të forta se në të kaluarën. Shteti hebre është zhvendosur më tej në të djathtë, me Netanyahun që është përpjekur të përshijë çështjet izraelite në diskursin politik tashmë të polarizuar të SHBA-së.

Përqindja e votuesve që e simpatizojnë Palestinën është rritur jashtëzakonisht 10 vitet e fundit, duke përfshirë shumë të rinj. Besimi se Shtetet e Bashkuara nuk po përdorin të gjitha levat e presionit për t’i dhënë fund kësaj lufte, po distancon një pjesë të elektoratit që do jetë thelbësor në disa shtete vendimtare në zgjedhjet e nëntorit.

Për shembull, Michigan ka një komunitet arabo-amerikan që arrin në pak më shumë se dy për qind, të përqendruar kryesisht në Detroit, qyteti me më shumë qytetarë me origjine arabe në Shtetet e Bashkuara. Ky është një problem për demokratët, që zakonisht kanë më shumë mbështetje në qendrat e mëdha urbane.

Ai pasohet nga New Jersey (1.23 për qind) dhe Massachusetts (1.06 për qind), dy shtete të tjera në të cilat Biden triumfoi në zgjedhjet e fundit. Janë përqindje të vogla, por potencialisht vendimtare në një proces, i cili duket se do të ketë një diferencë shumë të ngushtë.

Lajme të këqija mund të vijnë edhe nga Karolina e Veriut, ku gara është bërë më konkurruese për shkak të pranisë së fortë së të rinjve me arsim të lartë. Partia Demokratike, e cila mbledh mbi të gjitha votat nga ky segment është shumë e shqetësuar, teksa mbi të bien kostot e mënyrës sesi u menaxhuan protestat e studentëve në mbështetje të palestinezëve.

Në fillim të këtij muaji, Kolegji Demokratik i Amerikës ishte shumë i qartë në deklaratën e tij: “Shtëpia e Bardhë po ndjek rrugën e gabuar në miratimin e një strategjie për të mbështetur Netanyahun, dhe nga ana tjetër për t’u distancuar nga baza e tij e mbështetësve si dhe nga të gjithë amerikanët që duan të shohin fundin e kësaj lufte. Duhet të jetë e qartë se thirrja për lirinë e Palestinës nuk është antisemitizëm, dhe as kundërshtimi i akteve gjenocidale të qeverisë së ekstremit të djathtë në Izrael”.

Nëse Biden do të humbë në nëntor, një nga shkaqet do të jetë lufta në Gaza. Politika e jashtme duket se është “Thembra e Akilit| e presidentit, ndërsa në vend gjërat janë ndryshe. Inflacioni nuk e ka arritur ende kufirin e shpresuar (dy për qind), por ai po ngadalësohet, dhe FED është gati të ulë normat e interesit gjatë verës.

Por Biden shfaqet i dorëzuar përballë dëshirave të Bibi Netanyahut. Edhe pse telefonatat midis dy udhëheqësve kanë nxjerrë në pah distancën mes Amerikës dhe Izraelit, e cila nuk ka qenë kurrë më e madhe sesa sot, presidenti amerikan mbetet në krah të Izraelit.

Ai e tregoi këtë edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, duke refuzuar të vendosë një grupim si Hamasi në të njëjtin nivel me një kryeministër të zgjedhur. Por për shumë nga votuesit e tij, kjo qasje ishte konfirmim i sjelljes së tij me dy standarte, duke pasur parasysh se kur e njëjta gjykatë – e panjohur nga Shtetet e Bashkuara – e paditi Vladimir Putinin për krime lufte, SHBA-ja nuk pati asnjë rezervë për ta pranuar atë.

Tani mund të jetë tashmë tepër vonë për të ndryshuar kursin. “Kam frikë se është shumë e vështirë të rikuperohet gjithë kjo mbështetje e humbur. Mund të ketë një lëvizje të bujshme, në të cilin ndoshta pezullohet dërgimi i armëve në Izrael. Biden mund të nisë të anojë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare, por do kishte një problem tjetër politik në marrëdhëniet me Kongresin.

Sigurisht që do ta ndihmonte, por nuk do të ishte një opsion i zbatueshëm. “Biden shpreson se perspektiva e Trump, që po ashtu bën deklarata nxitëse për çështjen e Gazës, mund t’i kthejë në ‘vathë’ disa votues. Por tani për tani, situata është bërë shumë e ndërlikuar”, përfundon analisti.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit