1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

A e dini pse Ballkani mbetet i shpopulluar?

Më të lexuarat

Analiza në median gjermane mbi dramën demografike të rajonit

Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung shkruan për vështirësitë e shkaktuara në vendet e Ballkanit nga njëra anë nga emigracioni dhe rënia e natalitetit dhe nga ana tjetër emigracioni nga Azia, për të cilin këto vende nuk janë të përgatitura.

Autori i tekstit, Michael Martens, përmend një anekdotë nga një konferencë ku u diskutua për rrezikun e shpërthimit të një lufte në Evropën Juglindore, ku një pjesëmarrës pohoi se nuk ka rrezik sepse ka mungesë të ushtarëve në ato vende.

Autori i tekstit nuk mendon se rreziku i luftës nuk ekziston, duke argumentuar se edhe njësitë speciale të armatosura mirë mund të bëjnë shumë dëm, por se këto vende ende vuajnë nga mungesa e ushtarëve. Ai përmend Serbinë si shembull.

“Serbia, për shembull, ka disa vite që armatoset shumë, me raketa, drone dhe sisteme kundërajrore nga Kina dhe Rusia, të cilat së shpejti duhet të plotësohen me avionë luftarakë francezë Rafale, kjo është një pjesë e tablosë.

E dyta është se Serbisë, sikurse edhe vendeve të tjera të rajonit, i mungojnë ushtarët që dinë ta përdorin këtë teknikë të shtrenjtë. Kështu, ushtria serbe ka në të vërtetë më shumë se 300 tanke, por më e shumta vetëm një e treta ka ekuipazhe të trajnuar”.

Ai përmend si arsye se ka pak rekrutë, sepse shërbimi ushtarak nuk është më aq tërheqës dhe sepse gjithnjë e më pak fëmijë po lindin. Gjithashtu, thuhet se emigracioni e përkeqëson problemin, sepse “vendet e rajonit nuk janë mjaft tërheqëse për të mbajtur popullsinë e tyre të re apo për të tërhequr emigrantë”.

Emigracioni, alternativa më e mirë

Autori i artikullit krahason situatën në Serbi me atë në Rumani apo Bullgari, duke deklaruar se në ato vende ndonjëherë është e mundur të ngadalësohet emigracioni nga qytetet e mëdha apo edhe të ndryshojë trendi, por vëren se këto vende janë anëtare të Bashkimit Evropian.

“Në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk janë ende anëtare të Bashkimit Evropian dhe nuk kanë akses të barabartë në tregun e tij, situata nuk duket aq e mirë”, shkruan FAZ, duke thënë se për shumë të rinj në ato vende emigracioni ende duket se është alternativa më e mirë.

Rënia e numrit të banorëve ndikon edhe në sjelljen e investitorëve perëndimorë, thekson FAZ, duke shpjeguar se nuk ka fuqi të mjaftueshme për projekte të mëdha në industritë intensive të punës. “Një investitor perëndimor, i cili dëshiron të ndërtojë një fabrikë të madhe në një vend ballkanik, ra dakord para fillimit të punës që dy të tretat e punonjësve të importohen nga Filipinet”.

Vendet e Ballkanit, jo gati për kolonë të rinj

Thuhet se politikanët e atij rajoni e kanë kuptuar me vonesë seriozitetin e situatës demografike dhe se tani janë në garë për të sjellë punëtorë të huaj për projekte të mëdha. Kështu, Kosova ka sjellë punëtorë nga Bangladeshi me avion.

Ky realitet i ri do t’i vendosë shoqëritë në rajonin e Ballkanit përpara sfidave të vështira, paralajmëron FAZ, sepse emigrantët nga Azia dhe Afrika do të kenë fëmijë, do të blejnë pasuri të paluajtshme, do të ushqejnë traditat dhe besimet e tyre dhe do të ndryshojnë pamjen e qyteteve në juglindje të Evropë, diçka me të cilën nuk janë mësuar në atë rajon. “Potenciali për konflikt është i dukshëm. Është e vërtetë që Ballkani ka qenë multietnik për shekuj. Megjithatë, pranimi se zona është një rajon emigrantësh ose se duhet të bëhet i tillë për të ruajtur ekonominë, është e vështirë për t’u pranuar”, përfundon Frankfurter Allgemeine Zeitung. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit