-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Netanjahu si Putin: Haga, gati urdhër arrestin ndaj tij për krime lufte

Më të lexuarat

Në panik, kryeministri izraelit po kërkon nga SHBA sabotimin e përpjekjes

Nga Fulvio Scaglione, Il Giornale

Portali i njohur izraelit, Walla, raporton se prej ditësh ka pasur telefonata të shumta midis zyrave të qeverisë së Izraelit dhe zyrtarëve të lartë të administratës amerikane në Uashington. Tema: mundësia që Karim Ahmad Khan, një shtetas anglez, i diplomuar për drejtësi në Kolegjin Mbretëror në Londër, me një master në Universitetin e Oksford në të drejtën ndërkombëtare, dhe që nga viti 2021 prokuror i Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, mund të lëshojë një urdhër arresti në ditët e ardhshme kundër kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanjahu.

Po ashtu, e njëjta gjë pritet edhe për ministrin izraelit të Mbrojtjes Joav Galant dhe kreun të forcave të armatosura Herzi Halevi. Nuk ka asnjë dyshim, se gjithçka vjen si pasojë e padisë së depozituar në këtë gjykatë nga Afrika e Jugut, e cila akuzon Izraelin, duke iu referuar fushatës ushtarake në Gaza, për pesë akte gjenocidi.

Së pari për vrasjen masive të palestinezëve, pastaj për shkaktimin e dëmeve të rënda mendore dhe fizike, dëbimin dhe shpërnguljen e detyruar të tyre, sulmet ndaj sistemit shëndetësor të Gazës dhe zbatimin e masave që synojnë parandalimin e lindjeve brenda grupit etnik palestinez.

Pra Netanjahu mund ta gjejë veten në shoqërinë e presidentit rus Vladimir Putin, i ndjekur nga një urdhër arresti nga prokurori Khan me akuzën e “dëbimit të të paligjshëm dhe transferimit të të miturve” gjatë pushimit të Ukrainës.

Duke pasur parasysh paralelizmin e mundshëm midis dy udhëheqësve, vlen të kujtojmë se në muajin shkurt Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e OKB-së (për të mos u ngatërruar me Gjykatën e Hagës, që është një organ tjetër), hodhi poshtë kërkesën e Ukrainës për të njohur si “gjenocid” aktet brutale të kryera nga rusët në Ukrainë.

Një arrestim i mundshëm i Netanjahut, do t’i jepte padyshim forcë akuzave të ngritura nga Afrika e Jugut, e cila e konsideron si gjenocidale sjelljen e izraelitëve në Gaza. Ndërkaq, nuk është aspak çudi që kryeministri izraelit po i drejtohet për ndihmë aleatëve të tij në SHBA.

Gjykata e Hagës u krijua në vitin 2002, me kompetenca të pakta por themelore: të ndërhyjë kur shtetet nuk janë në gjendje ose nuk dëshirojnë të ndëshkojnë krimet ndërkombëtare si gjenocidi, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimi i agresionit.

Ndër vendet që nuk e kanë ratifikuar traktatin e themelimit të kësaj gjykate janë Izraeli, Rusia dhe SHBA-ja. Që në fillim, Shtetet e Bashkuara kanë shfaqur armiqësinë më të madhe ndaj kësaj gjykate dhe kompetencave të saj. Aq sa në vitin 2002, miratoi një ligj që u quajt “Ligji i Pushtimit të Hagës”, i cili e autorizon presidentin amerikan të “përdorë” të gjitha mjetet e nevojshme dhe të përshtatshme për të siguruar lirimin e çdo zyrtari apo pjesëtari të personelit të SHBA-së apo të vendeve aleate, “të ndaluar ose burgosur nga, në emër ose me kërkesë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale”.

Me fjalë të tjera, për të garantuar imunitet të plotë ndaj çdo ushtari apo agjenti amerikan të angazhuar në vende të tjera. Kur paraardhësi i prokurorit aktual Karim Khan, Fatu Bensouda, nisi të hetojë krimet e mundshme të luftës të kryera në Afganistan, pa përjashtuar përgjegjësinë e mundshme të Shteteve të Bashkuara, presidenti Donald Trump e ndaloi atë dhe stafin e tij të hynin në Shtetet e Bashkuara.

Po ashtu ai ndaloi çdo qytetar amerikan që t’i jepte këshilla ekspertëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Në këto kushte, nuk është shumë e qartë se çfarë mund të bëjë Shtëpia e Bardhë për të ndikuar tek vendimet e Gjykatës së Hagës në favor të Netanjahut. Nga ana tjetër, është e qartë se nëse do të arrestohet ky i fundit, do të merrte fund imuniteti total që ka gëzuar deri më tani Izraeli në arenën ndërkombëtare.

Deri më sot ky shtet ka shpërfillur çdo apel ndërkombëtar, paralajmërim nga aleatët apo edhe rezolutat e OKB-së. Nga ana tjetër, s’ka dyshim se nuk do të mungojë presioni diplomatik amerikan ndaj Gjykatës së Hagës. Por ekziston edhe një hipotezë tjetër, e cila do të kënaqë teoricienët e konspiracionit, por që edhe mund ta ketë një bazë.

Meqenëse zbulimi në lidhje me urdhrin e mundshëm të arrestit kundër Benjamin Netanjahut është bërë nga shtypi anglo-sakson, disa mendojnë se informacioni është në fakt një paralajmërim për Netanjahun, për ta nxitur atë të heqë dorë nga sulmi kundër Rafahut, në jug të Rripit të Gazës, të cilën të gjithë, madje edhe vetë amerikanët, e shohin si një katastrofë të mundshme për Lindjen e Mesme.

Në ditët në vijim do ta kuptojmë sesi qëndrojmë punët.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit