Fondi Ndërkombëtar i Emergjencës për Fëmijë i OKB-së (UNICEF) ka bërë të ditur se numri i fëmijëve të vrarë në Rripin e Gazës së rrethuar ka tejkaluar shifrën 14 mijë që nga 7 tetori i vitit 2023, si dhe ka përsëritur thirrjen për një armëpushim, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, në platformën sociale X tha se “raportet janë që më shumë se 14 mijë vajza dhe djem janë vrarë në Gaza”.
“Ndoshta duhet ta themi këtë ngadalë. Katërmbëdhjetë mijë. Ndoshta duhet të bëjmë diçka. Dhe, sigurisht që kjo diçka nuk është një ofensivë ushtarake në Rafah. Armëpushim. Tani”, shkroi Elder.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë brutale në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.
Pothuajse 34 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe mbi 76.800 të tjerë janë plagosur.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
\AA\