7.2 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

Nga propaganda te post-e vërteta – Klementin Mile

Më të lexuarat

Nga propaganda te post-e vërteta
Klementin Mile

“Në thuajse çdo veprim gjatë jetëve tona të përditshme, qoftë në sferën e politikës apo biznesit, në sjelljen tonë sociale apo mendimin etik, dominohemi nga një numër relativisht i vogël personash, të cilët i kuptojnë proceset mendore dhe trajtat sociale të masave. Janë ata të cilët tërheqin fijet që kontrollojnë mendjen publike.” Kështu shkruante më 1928 në librin e tij “Propaganda” Edward Bernays, i njohur si studiuesi pionier në fushën e marrëdhënieve publike dhe propagandës.

Siç vihet re, qysh prej fillimit të shekullit XX kanë nisur studimet serioze në lidhje me propagandën, duke i njohur asaj një peshë të madhe në funksionimin e shoqërive njerëzore. Referuar peshës së saj, mund të thuhet se propaganda nuk është një koncept i thjeshtë. Ajo i ngjan më shumë konceptit hegelian, i cili, duke u shpalosur në kohë, prodhon historinë.

Megjithatë, historia që prodhohet prej propagandës shihet sot si e padëshirueshme, e keqe, antidemokratike. Propaganda ndihmon të qëndrojnë në pushtet liderë autokratë, tiranikë dhe oligarkë; bën që njerëzit t’i braktisin mendimet për t’i zëvendësuar me impulse, zakone dhe emocione; i shtyn njerëzit drejt interesave, dëshirave dhe nevojave që u shërbejnë pushtetmbajtësve, jo atyre vetë.

II

Por propaganda, shkruan Bernays, nuk ka qenë gjithmonë ky term i mallkuar, si e shohim sot. Fjala “propagandë” u formulua për herë të parë më 1622, kur Papa Gregori XV, i frikësuar nga përhapja globale e protestantizmit, propozoi urgjentisht një shtesë në curia-n romake. Zyra për Propagandimin e Besimit (Congregatio de Propaganda Fide) do të mbikëqyrte përpjekjet misionare të Kishës në Botën e Re dhe tjetërkund: “Ata duhet të marrin parasysh dhe të trajtojnë çdo shqetësim për përhapjen e besimit në të gjithë botën.”

Propaganda, pra, e nisi karrierën semantike si term me ngarkesë pozitive. Ajo ishte e tillë për Kishën Katolike, duke u bërë mjet i pazëvendësueshëm për përhapjen e besimit fetar sipas mësimeve katolike. Dhe, në fakt, po t’i referohemi kuptimit etimologjik të termit në gjuhën latine, “propagare” do të thotë “përhapje”, “shumim”, “shpërndarje”, ndërsa “propaganda” është “çka duhet përhapur, shumuar ose shpërndarë”. Meqë çka duhej përhapur, shumuar dhe shpërndarë ishte besimi katolik dhe meqë ky i fundit konsiderohej si besimi i vërtetë, atëherë propaganda, përmbajtësisht, nuk ishte gjë tjetër veçse e vërteta. Përhapja e së vërtetës jo vetëm nuk mund të ishte e gabuar, por ishte e domosdoshme dhe etikisht gjëja e duhur për t’u bërë.

III

Semantika e propagandës është pa dyshim e lidhur pazgjidhshmërisht me semantikën e së vërtetës. Të dyja këto koncepte kanë pësuar ndryshime përgjatë kohës, të tilla sa e kanë transformuar rrënjësisht njëri-tjetrin. Përveç ndërveprimit me të vërtetën, te karriera semantike e propagandës kanë ndikuar në mënyrë vendimtare edhe konsideratat pragmatike, të tilla si fusha e përdorimit të termit dhe qëllimi për të cilin është përdorur.
Kështu, nga fundi i shekullit XVIII termi “propagandë” filloi të përdoret edhe në aktivitetet sekulare të shoqërisë civile, të biznesit dhe të shoqatave të ndryshme. Por, në këtë përdorim, termi e humbi ngarkesën pozitive, u çlirua nga vlera dhe u bë neutral. Në pragmatikën e shoqërisë civile propaganda nuk ishte më përmbajtje, aq më pak përmbajtje e ndonjë të vërtete që duhej përhapur, shumuar e shpërndarë. Ajo u transformua nga përmbajtje (propaganda) në mjet (propagare). Propaganda, pra, nuk ishte gjë tjetër veçse një mjet në funksion të përmbajtjeve (ose qëllimeve) që i përcaktonte tjetërkush, pa pasur domosdo lidhje me të vërtetën e çështjes apo me të mirën. Le të kujtojmë që shoqëria civile ishte përkufizuar tashmë nga Hegeli si “egoizëm universal”. Prandaj propaganda u kuptua thjesht si një mjet për t’u përdorur në funksion të interesave dhe nevojave egoiste, ku asnjë grup dhe individ nuk mund të pretendonte monopolin e së vërtetës apo të së mirës.

Propaganda filloi të marrë ngarkesë negative në mesin e shekullit XIX, atëherë kur nisi të përdoret në fushën politike. Mbi të gjitha, për këtë kanë kontribuar shumë regjimet totalitare të shekullit XX, si nazizmi dhe komunizmi. Propagandistët famëkeq, si Adolf Hitler, Joseph Goebbels, Leni Riefenstahl, Vladimir Lenin, Joseph Stalin, Fidel Castro, kanë mbetur në kujtesën tonë si diktatorë të mëdhenj. Propaganda tashmë nuk ishte përmbajtja e së vërtetës. Ajo nuk ishte as thjesht një mjet që pranonte t’i shërbente në mënyrë neutrale qëllimeve të ndryshme. Propaganda u transformua përsëri nga mjet në përmbajtje, nga “propagare” në “propaganda”. Por kësaj here përmbajtja e saj ishte e kundërta e së vërtetës. Propaganda u bë “çka duhej përhapur, shumuar dhe shpërndarë”, pikërisht sepse ishte gënjeshtër. Këtë transformim të propagandës nga mjet në përmbajtje dhe identifikimin e saj me gënjeshtrën e konfirmon edhe përvoja e popujve që jetuan në regjimet totalitare të shekullit XX. Kështu, disidenti çekosllovak Vaclav Havel, në esenë e tij politike të famshme “Pushteti i të papushtetshmëve” të shkuar më 1978, vuri përballë dy mënyra jetese: të jetosh brenda gënjeshtrës dhe të jetosh brenda së vërtetës. Sipas Havelit, individët që jetojnë në një sistem totalitar “detyrohen të jetojnë brenda një gënjeshtre. Nuk ka nevojë që ata ta pranojnë gënjeshtrën. Mjafton të kenë pranuar jetën e tyre me të dhe brenda saj. Sepse, me këtë fakt, individët e konfirmojnë sistemin, e përmbushin sistemin, e bëjnë sistemin, janë sistemi”.

IV

Megjithatë, do të ishte gabim të mendonim se propaganda është e kufizuar në fushën politike vetëm në regjimet totalitare apo vetëm ato diktatoriale. Edhe demokracitë liberale janë të prekshme dhe të prekura nga propaganda. Kushtet e mundësisë për ekzistencën e propagandës në demokraci janë të lidhura me transformimin semantik të konceptit të së vërtetës.

Në teoritë filozofike të së vërtetës spikasin tri prej tyre. E para dhe më e vjetra është teoria e korrespondencës. Ajo fillon me Aristotelin dhe Aquinas-in dhe vazhdon në shekullin XX me Russell-in dhe Moore-in. Sipas kësaj teorie, e vërtetë është çka i korrespondon faktit. Kështu, duke e menduar realitetin si të përbërë nga dy nivele, nga fjalët dhe gjërat, e vërteta mbetet të jetë korrespondenca e fjalëve me gjërat, e pohimeve me faktet. Gjërat ose faktet kanë rolin e pazëvendësueshëm të vërtetimit të fjalëve ose pohimeve.

Së dyti është teoria e koherencës. Ajo lidhet në shekullin XX me emrat e filozofëve Blanshard dhe Joachim. Sipas kësaj teorie, e vërteta e një pohimi lidhet me koherencën e tij me një set specifik pohimesh të tjera. Në dallim nga teoria e korrespondencës, kushtet e vërtetësisë së pohimeve tona nuk gjenden në tiparet objektive të botës, por në pohimet e tjera. Pra, fjalët ose pohimet nuk kanë nevojë të vërtetohen nga gjërat ose faktet. Fjalët ose pohimet vërtetohen nga të tjera fjalë ose pohime, me kushtin që të ketë koherencë midis tyre.

Së treti është teoria pragmatiste. Kontribuues të rëndësishëm në formulimin e saj kanë qenë filozofët James dhe Peirce. Të dy këta filozofë niseshin nga parimi se e vërteta është e kënaqshme për t’u besuar. Kjo do të thotë se e vërteta ka vlerë praktike. Besimet e vërteta mbartin garancinë për të mos rënë në konflikt me përvojën tonë. Teoria pragmatiste e së vërtetës nuk gëzon një pavarësi të plotë nga dy teoritë e tjera. Ajo ka elemente të korrespondencës dhe po ashtu të koherencës. Por, duke mos qenë e purifikuar, teoria pragmatiste është më elastike, më kontekstuale dhe më oportuniste. Slogani më i përshtatshëm për të do të ishte: “Po funksionoi, është e vërtetë”.

V

Atëherë, si lidhen këto teori me nocionin tashmë të famshëm të kohës sonë, me “post-të vërtetën”? Në Fjalorin e Oksfordit lexojmë: “Post-e vërteta shënon ose lidhet me rrethana ku faktet objektive janë më pak ndikuese në formësimin e opinionit publik sesa thirrjet e emocionit dhe besimit vetjak”. Së pari, duhet thënë që vetë fakti i formulimit të konceptit të post-të vërtetës është dëshmi se e vërteta, si koncept, ka pësuar transformime rrënjësore. Më konkretisht, lindja e konceptit të post-së vërtetës dëshmon për vështirësinë e madhe për të thënë të vërtetën dhe ndonjëherë edhe pamundësinë për ta bërë këtë. Le të kujtojmë se çështja e mundësisë dhe nevojës për ta thënë të vërtetën ka nisur të debatohet 2500 vjet më parë, në Greqinë e Lashtë, ku nga ana e së vërtetës ishte Sokrati dhe nga ana e skepticizmit ndaj saj dhe panevojës për ta artikuluar ishin sofistët. Atëherë betejën intelektuale dhe morale e fitoi Sokrati. Sot, 2500 vjet më vonë, koncepti i post-së vërtetës është dëshmi se kanë triumfuar sofistët.

Si ndodhi kjo? Për këtë duhet t’i referohemi Heidegger-it, që thoshte se historia e qytetërimit perëndimor është, në thelbin e vet, histori e metafizikës perëndimore. Teoritë e së vërtetës, edhe pse duket të kenë vendin e natyrshëm në disiplinën filozofike të epistemologjisë, janë, para së gjithash, të varura nga konceptimet metafizike të realitetit: të njeriut, të natyrës, të shoqërisë, të Zotit.

Teoria e korrespondencës, që e paraqet të vërtetën si korrespondencë të fjalës me gjënë, të pohimit me faktin, mbështetej te një konceptim metafizik, që nuk linte vend për të dyshuar realitetin e njohshëm me anë të shqisave. Gjërat dhe faktet ishin, pra, objektive dhe, si të tilla, ato mund të bëheshin themel i qëndrueshëm për të gjykuar vërtetësinë e pohimeve tona.

Por e gjitha kjo ndryshon me kalimin e filozofisë në periudhën moderne të saj. Pas Descartes-it, kur filozofia bëhet skeptike dhe sidomos pas Kantit, kur bëhet kritike, nuk mund të flitet më me siguri absolute për realitetin, gjërat dhe faktet. Kështu, Descartes-i shtron nevojën për koncepte të qarta dhe të dallueshme, detyrë që ia vendos arsyes, jo shqisave. Ndërsa Kanti e detyron subjektin njohës, subjektin që kërkon të vërtetën e botës, të kthejë vështrimin nga vetja dhe të njohë kapacitetet e veta. Konkluzioni kantian është se njeriu mund të njohë vetëm njërin aspekt të realitetit, atë fenomenal, por realiteti në vetvete i shpëton. Prej këtu mund të konkludohet se faktet, edhe pse objektive, janë vetëm njëri dimension i realitetit dhe se shkenca e bazuar në ato fakte nuk mund të na thotë gjithçka që kemi nevojë. Kjo lë të hapur shtegun për të prodhuar dhe legjitimuar edhe dije joshkencore, për shembull fetare, mistike, artistike e kështu me radhë. E rëndësishme është të kuptohet se pas Kantit, e vërteta nuk mund të jetë më korrespondencë e pohimit me faktin, pasi ky i fundit është shpërbërë ose relativizuar në peshën e vet. Ndoshta nuk ishte e rastësishme që fill mbas Kantit në skenën filozofike erdhi Hegeli, i cili ngriti një sistem filozofik të jashtëzakonshëm, kur çdo pohim ishte në koherencë me të tjerët dhe, për këtë arsye, mund të vlerësohej si i vërtetë.

Por edhe koherenca hegeliane do të merrte goditje të fuqishme. Fillimisht Kierkegaardi dhe pastaj Nietzsche e sulmuan idenë e dijes sistematike, duke vendosur si ideal antisistemin dhe fluksin e pandërprerë. Kjo prirje vazhdoi edhe në shekullin XX me filozofë, si Foucault dhe Deleuze. Pragmatizmi amerikan i James-it dhe Peirce-it, edhe pse nuk mund të thuhet se lindi nga idetë e filozofëve kontinentalë të lartpërmendur, u mundësua metafizikisht prej goditjeve ndaj sistemit të Kierkegaardit dhe Nietzsche-s dhe u vijua metafizikisht prej Foucault-së dhe Deleuze-it. Është interesante të vëresh se slogani pragmatist “Po funksionoi, është e vërtetë” gjen rezonancë domethënëse te raporti që vendos Foucault-ja midis pushtetit dhe dijes. Po ashtu, Nietzsche thoshte se nuk ka të vërteta, por ka vetëm interpretime.

VI

Post-e vërteta, pra, mund të shihet epistemologjikisht si pjellë e pragmatizmit xhejsian e pirsian dhe metafizikisht si pjellë e antisistemizmit kierkegaardian, niçean, fukojan dhe dëlëzian. Janë këta mendimtarë, por edhe të tjerë në linjën e tyre, të cilët kontribuuan për prodhimin e kushteve të mundësisë për fenomenin e post-së vërtetës.
Post-e vërteta është braktisje e fakteve dhe e arsyes. Ata që përdorin post-të vërtetën, janë duke përdorur një formë bindjeje që u bën thirrje emocioneve dhe besimit personal. Si e tillë, post-e vërteta mund të identifikohet me propagandën. “Propaganda”, shkruan Robert Gula, “në kuptimin më të gjerë të saj është thjesht formë bindjeje, formë që u apelon emocioneve tona në vend të arsyes”. Tashmë që post-të vërtetën e gjejmë të strehuar natyrshëm në demokracitë liberale, që nga Amerika e Trumpit deri te Shqipëria e Ramës, duhet të mbajmë parasysh shprehjen e Goebbels-it, ministrit famëkeq të Propagandës gjatë regjimit nazist në Gjermani, i cili thoshte: “Kjo do të mbesë gjithmonë njëra nga shakatë më të kripura për demokracinë, që ajo u dha armiqve të saj vdekjeprurës mjetet që e shkatërruan.”


Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit