1.3 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Frika e realizuar, turma që sundon – Fitim Zekthi

Më të lexuarat

Frika e realizuar, turma që sundon
Fitim Zekthi

Një vit përpara se të mbahej Konventa e Filadelfias në të cilën u miratua Kushtetuta e SHBA-së, James Madison-i i kërkoi Thomnas Jefferson-it që t’i sillte nga Parisi të gjithë librat që flisnin ose që ishin shkruar deri në atë kohë për rënien e demokracive apo në përgjithësi të shteteve dhe konfederatave. Madison-i vuri re se shkatërrimi i demokracive kishte ardhur nga turma, nga sundimi i turmës.

Madison-i mësoi se gjithnjë grupe të ndryshme njerëzish mund të drejtoheshin nga emocionet, nga pasionet, nga impulse të forta joracionale të cilat me shumë lehtësi mund të nxiteshin prej demagogëve.

Madison-i pa se edhe në Asamblenë e Athinës, e cila duhet të kishte një kuorum prej rreth 6 mijë vetash që të funksiononte, demagogë të fortë, njerëz që kërkon të nxisnin dhe të ngjallnin emocione të forta tek anëtarët e saj, njerëz që kërkonin t’i përdornin këto emocione, arrinin ta bënin këtë. Ai pa se si Kleoni – një demagog athinas në asamble – e joshi asamblenë, pra Athinën, të mbante qëndrime shumë të ashpra ndaj Spartës. Ai pa se si Kleoni përdori pasionet e njerëzve dhe ambiciet e veta për të radikalizuar qëndrimin e asamblesë dhe për të krijuar aty një turmë. Madison-i pa gjithashtu se si Soloni, i cili mbahej një njeri i matur, anuloi borxhet në mënyrë që të ngjallte pasione të forta tek anëtarët e asamblesë dhe t’i përdorte ato duke krijuar një turmë.

Madison-i doli në konkluzionin se sikur Asambleja e Athinës të kishte si anëtarë të saj jo 6 mijë qytetarë të Athinës, por edhe sikur të kishte 6 mijë Sokratë, përsëri demagogët do të përdornin pasionet dhe Asamblenë për të krijuar një turmë.

Madison-i studioi gjithashtu edhe Rebelimin Shay që ndodhi menjëherë pas pavarësisë së SHBA-së nga mbretëria e Anglisë. Ky ishte një rebelim i tmerrshëm populist, ku njerëzit gati i vunë zjarrin gjithë asaj që ishte ngritur deri në atë kohë. Turma e rebeluar kërkonte ndarje të barabartë të pronës, anulim të borxheve, madje kërkonte edhe para.

Siç dihet Madison-i, Thomas Jefferson-i dhe John Jay, përpara se Kushtetetuta e SHBA-së të miratohej, shkruan ato që njihen si Letrat e Federalistit. Këto letra u shkruan nga të tre nën pseudonimin Publius, në mënyrë që njerëzit të mos e kuptonin se cili ishte autori dhe të mos ndikoheshin nga emri. Gjithsesi për studiuesit dihen autorët e këtyre letrave. Në letrën numër 10 James Madison-i shkruan për vrullin e turmës dhe i quan ato “fraksione”.

Ai thotë se fraksioni është një grup i që merr jetë e bëhet bashkë nga impulsi dhe pasioni i përbashkët, nga interesi i përbashkët dhe që është detyrimisht kundër të drejtave të qytetarëve të tjerë ose kundër interesave të përhershëm të komunitetit.

Madison-i shkroi se fraksionet lindin kur opinioni publik krijohet dhe përhapet shumë shpejt. Në qoftë se publikut i jepet kohë, ai gradualisht nuk do të turret pas vetëpërmbushjes momentale, por do të shohë drejt interesave më afatgjata.

Pra gjithë çështja ishte krijimi i turmës, gjithë tmerri vinte nga krijimi i turmës, gjithë shqetësimi kishte të bënte me nxitjen e emocioneve, pasioneve dhe sjelljes irracionale nga demagogët.

Tërë thelbi i sistemit politik që synoi të ndërtojë kushtetuta e SHBA-së, tërë idetë që u trupëzuan në atë dokument, në Deklaratën e Pavarësisë, në Letrat e Federalistit etj. kishin të bënin me shmangien e sundimit të turmës, kishin të bënin me moslejimin e marrjes së vendimeve nën pushtetin e turmës, kishin të bënin me “ftohjen” e procesit dhe me “ftohjen” vendimmarrjes në mënyrë që të mos krijohej turmë, në mënyrë që demagogët të mos mund të nxisnin pasione dhe impulse tek turma dhe ajo të sundonte vendimmarrjen.

Veç ndarjes së qartë të pushteteve, veç kufizimit dhe balancimit të padiskutueshëm të pushteteve që u vendos në zemër të sistemit politik, duke krijuar një kongres me dy dhoma ku secila është e pavarur nga tjetra, ku një ligj nuk quhet i miratuar pa kaluar të dy dhomat, ku zgjedhja e të dy dhomave nuk bëhet në të njëjtën mënyrë dhe ato nuk rinovohen në të njëjtën mënyrë (me qëllim moslejimin e kontrollit të fortë të të dyjave nga e njëjta forcë), ku presidenti zgjidhet nga një kolegj zgjedhësish dhe jo nga populli direkt, ku një Gjykatë Supreme me gjyqtarë me mandate të pakufizuar ruan dhe garanton zbatimin e Kushtetutës, James Madsion-i foli me shqetësim edhe për shtypin dhe mediat.
James Madison-i thotë se që të shmanget prodhimi i tumës, që të shmanget nxitja e emocioneve dhe e pasioneve nga demagogët, që të shmanget krijimi dhe përhapja e shpejtë e opinionit publik që duan demagogët, atëherë duhet një shtyp i kujdesshëm i cili të thotë të vërtetën dhe të përpiqet të debatojë me racionalizëm mbi çështjet publike në mënyrë që të zbulohet e vërteta dhe jo të marrë dhenë ajo që duan demagogët. Sipas tij duhet një shtresë që ai e quajti literati, që do të jenë gazetarët e matur dhe të ndriçuar, njerëzit e dijes në fusha të ndryshme që do të mundësojnë që shtypi të jetë entiteti bazë i “ftohjes” në mënyrë që të mos lindë turma dhe në mënyrë që demagogët të mos kalërojnë mbi emocionet dhe pasionet që i ushqejnë ata vetë.

Këto parime të ndarjes dhe kufizimit të pushtetit, të gjetjes së mënyrës që të mos biem në sundimin e turmës gjenden ose patën jehonën e tyre thuajse në të gjitha sistemet politike që u krijuan në Europë pas rënies së sistemeve politike dhe shoqërore tradicionale. Sipas George Will e tërë filozofia politike që u krijua në Europë dhe në SHBA (e cila më pas pati ndikim në shumicën e botës) që në fillimet e modernitetit synonte vetëm një gjë: gjetjen e mënyrës që të mos biem në tirani. Rënia në tirani u pa si një gjë që do të vinte doemos nga demagogët, nga përdorimi pasioneve të turmës dhe nga kalërimi mbi këto emocione.

Në ditët e sotme të komunikimit masiv, kur media është transformuar në mënyrë të paimagjinueshme dhe radikale krahasuar me kohën për të cilën fliste James Madison-i, krijimi i turmës, rënia nën sundimin e turmës, marrja e vendimeve duke kënaqur turmën është shumë më i lehtë. Televizioni si mjet komunikimi, duke përdorur imazhin, është më i favorshëm për ta përhapur opinion publik shumë shpejt. Ai gjithashtu është shumë i favorshëm për t’u përdorur nga demagogët pasi i përcjell dhe i nxit shumë më lehtë pasionet. Imazhi prek më shpejt, prek më lehtë, ndikon më fort, sepse imazhi u drejtohet instiktive dhe jo mendimit.

Rrjetet sociale, Facebook, Twiter, Instagram, Tik-tok etj. janë mjete ideale për demagogët dhe për krijimin e turmave. Me anë të butonave like dhe share, me anë të mënyrës jashtëzakonisht “tërheqëse” për t’i përfshirë njerëzit, ato arrijnë të kontrollojnë sjelljet e njerëzve, arrijnë t’i “detyrojnë” njerëzit të bëjnë atë që këto rrjete duan. Në masën dërrmuese njerëzit janë turmë e vërtetë në këto rrjete sepse siç e thamë ato kanë një fuqi të pazakontë të nxisin emocione dhe pasione, të nxisin urrejtje dhe dëshira irracionale.

Kësisoj sot thuajse nuk ekziston asfare ajo shtresa literati për të cilën fliste James Madison-i pasi të gjithë janë në rrjetet on line dhe aty të gjithë japin e marrin, bëhen turmë dhe demagogët iu përcjellin atyre lehtësisht atë që duan, iu prekin emocionet siç ata duan.

Në Shqipëri edhe qeverisja, edhe opozita, edhe partia në pushtet, edhe forcat në opozitë e kanë bërë realitet atë që është problem më i madh në demokraci. Në Shqipëri turma sundon qartësisht kudo, në Shqipëri Kryeministri dhe drejtuesit e opozitës çdo ditë krijojnë turmë, çdo ditë ushqejnë pasionet e turmës dhe çdo ditë sundojnë duke përdorur turmën.

Marrim në analizë vetëm pak gjëra nga mënyra se si vepron Kryeministri. Në fillim ai ushqeu emocione duke iu thënë njerëzve se do të legalizonte banesat pa leje falas, se do të ulte çmimet e produkteve ushqimore duke hequr tatimin mbi vlerën e shtuar, se njerëzit në punë do të merreshin me konkurse të ndershme dhe jo me emërime partiake etj. Kudo në media transmetoheshin spote me lajmërime të tilla. Kryetari i PS-së rrinte vazhdimisht në televizion. Ai u drejtohej njerëzve herë duke dhënë shfaqje me dajre, herë duke udhëtuar me autobus. Kryetari i PS-së u drejtohej emocioneve të njerëzve dhe nxiste tek ata pasione irracionale kur e quante kryetarin e PD-së “plaku me antiplumb”, njeriu që vrau në Gërdec, ai që vrau në 21 janar etj. Kjo gjë prodhoi padyshim një turmë tek mbështetësit e tij. Ata vazhdimisht në rrjetet on line ishin me njëri-tjetrin, shanin dhe lavdëronin njëlloj, urrenin dhe dashuronin njëlloj. Në këtë moment kryetari i PS-së thjesht kalëronte mbi këto emocione dhe mund t’i përdorte ato si të donte për sundimin e tij. Edhe më vonë, p.sh. kur në PS doli një kundërshtar si Blushi, kryeministri Rama përdori turmën, ushqeu emocionet e saj. Më vonë kryetari i PS-së as që pyeti më nëse ka rregulla apo jo organizata, nëse duhet t’i respektohen këto rregulla. Gjithçka udhëhiqej nga ai dhe turma të cilët ushqenin dhe drejtonin njëri-tjetrin. Turma në PS e krijuar nga kryetari funksiononte saktësisht si një fraksion siç thoshte Madison-i. Ajo kishte dhe ka të njëjtin pasion dhe impuls, ka interes të përbashkët dhe është kundër interesit të grupeve të tjera. Ajo e ka shkatërruar PS-në si organizatë që duhet të ishte demokratike. Zëra apo grupe kundërshtare aty nuk mund të ketë.

Të njëjtën metodë përdor Kryeministsri Rama vazhdimisht, pa ndalur edhe për çështjet e qeverisjes së sotme. Ai ushqen turmën, nxit pasione dhe emocione irracionale tek turma, kur hyn dhe komenton vetë në rrjete sociale, kur kundërshton ndonjë komentues. Ai ushqen turmën kur sulmon gazetarët si kadrinj, ai ushqen turmën kur sulmon opozitën, ai ushqen turmën kur prish ndërtime, ai ushqen turmën kur i pyet njerëzit në pyetësor mbi vendimet që duhet të marrë qeveria.

Kryeministri Rama është vazhdimisht në një proces turmëkrijimi siç turma nga ana e saj është në një proces sundimi apo ndikimi të kryeministrit i cili, duke pasur nevojë dramatike për turmë, duhet edhe të bëjë gjëra që do turma. Në këtë kuptim vendi nuk ka më dhe nuk mund të ketë kurrë qeveri që kontrollohet nga parlamenti, gjykata të pavarura, prokurori që heton në mënyrë të pavarur dhe sigurisht as medie të pavarura.

Nga ana tjetër opozita e drejtuar nga Berisha është gjithashtu në një proces të pandalshëm të krijimit dhe ushqimit të turmës dhe në një proces të pandalshëm për pasojë të shkatërrimit të saj si një orgazëm demokratik.

Në vjeshtën e vjetshme Berisha iu drejtua anëtarëve të PD-së me qëllimin e qartë që të nxiste emocione, të ushqente pasione irracionale në mënyrë që ata të trupëzoheshin si turmë. Ai filloi të sulmojë ish-kryetarin e PD-së, ta akuzojë për të shitur, ta akuzojë për korrupsion, për besëprerje dhe të nxisë kësisoj emocione të forta. Nëpërmjet televizioneve dhe rrjeteve sociale këto emocione përforcoheshin pa mbarim deri sa qartësisht u formua një turmë apo një fraksion në kuptimin madisonian. Berisha këtë fraksion e mblodhi dhe e quajti kongres dhe tha se kjo është partia e vërtetë. Opinioni publik që krijoi Berisha përmes lëvizjes së tij u përhap shpejt duke e bërë kështu të pashmangshme turmën. Vetë Berisha thoshte vazhdimisht që populli vendos, baza e vendos, baza është gjithçka etj. Berisha pra bëri gjithçka kundër asaj që thoshte Madison i cili kërkonte institucione që të vonojnë vendimmarrjen, kërkonte mjetet që “të ftohin” turmën. Lëvizja e Berishës ishte dhe është ende një sundim i pastër turme dhe padyshim një shkatërrim i vërtetë demokracie. Frika më e madhe e mendimit perëndimor për shkatërrimin e demokracisë tek lëvizja e Berishës është realizuar plotësisht. Kjo frikë është realizuar në mënyrë po kaq të plotë edhe tek partia që drejton Kryeministri Rama.

Edhe Rama, edhe Berisha thonë se dëgjojnë popullin, se populli di dhe vendos, se populli është ai që duhet të vendosë. Edhe Rama edhe Berisha ushqejnë emocionet dhe nxisin pasione tek turma në mënyrë që ta përdorin turmën dhe të sundojnë përmes sundimit të turmës. Edhe Rama edhe Berisha kanë krijuar fraksione që kanë interes të përbashkët, emocione të përbashkëta dhe impulse të përbashkëta. Edhe Rama edhe Berisha nuk e duan dhe e kanë zhdukur mundësinë që të ketë një shtresë literati. Përkundrazi ata kujdesen që ajo të mos ekzistojë.

Edhe më herët, edhe në vitet kur Rama ishte në opozitë dhe Berisha në pushtet sërish është synuar dhe është arritur krijimi i turmës, sundimi i turmës dhe shkatërrimi i demokracisë. Edhe në vitet kur Nano ishte në pushtet dhe Berisha në opozitë ka qenë po e njëjta gjë. Sot ka ndryshuar vetëm shkalla dhe mundësitë shumë më të mëdha që ekzistojnë për të prodhuar turmë. Këto mundësi kanë të bëjnë me televizionet e shumta, por sidomos me rrjetet sociale të cilat janë në një lloj mënyre si të lindura enkas për të krijuar turmë.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit