Me lindjen e diellit në ditën e parë të muajit Shevval, ditës së zbukurimit dhe stolisë, i kthehet zemrës gëzimi e jetës bereqeti me ardhjen e kësaj feste të madhe, festës të Bajramit të Fitrit.
Kjo festë na shkakton gëzim sepse kemi arritur të përfundojmë agjërimin e 30 ditëve të Ramazanit me sukses dhe na e ka plotësuar Allahu këtë dhunri, duke na ndihmuar ta kryejmë një prej shtyllave kryesore të Islamit.
Kurora e këtij muajit ishte ky Bajram, ditë në të cilën Allahu besimtarëve të devotshëm u jep dhuratat dhe shpërblimet e Tija. Andaj në fillimin e kësaj dite dalin nga shtëpiat e tyre duke madhëruar Allahun me tekbire, vepër me të cilën ata e dëshmojnë dashurinë e madhe, e cila ua ka mbushur krejt zemrën, për Allahun dhe falënderimin e madh ndaj Tij.
Kjo ditë festive kërkon prej besimtarëve dhe besimtareve që të kujdesen për edukatën islame, të jenë fisnik e bujarë, të moralshëm e të ndershëm, të veshur me rroba të bukura dhe sipas rregullave islame, të buzëqeshur edhe të gëzuar, duke vizituar farefisin edhe duke u kujdesur për veprat e mira, duke këshilluar njëri tjetrin për tolerancë, paqe, zemërgjerësi e falje ndaj atyre që kanë gabuar ndaj tyre, u kanë bër5ë padrejtësi apo nuk i kanë kryer obligimet ndaj tyre, qofshin të afërt apo të largët:
﴿ وَلْيَعْفُوا وَلْيَصْفَحُوا أَلَا تُحِبُّونَ أَنْ يَغْفِرَ اللَّهُ لَكُمْ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ ﴾ [النور:22]
“… le t’i falin ata edhe të mos ua marrin për keq! Vallë a nuk doni ju që t’ju falë Allahu? Allahu është Falës Mëshirëplotë”. (En-Nur: 22).
Shkëmbeni selamin edhe përshëndetuni për dore.
Dita e falënderimit
Dita e Bajramit është një ditë e madhe në të cilën secili prej nesh duhet të falënderon Allahun për këtë sukes të arritur, agjërimin e 30 ditëve të Ramazanit edhe kalimin e 30 netëve në namaz të teravisë, si adhurime të veçanta të këtij muaji, pa e lënë pas dore faljen e pesë kohëve të namazit gjatë ditë në xhami me xhemat.
Ky angazhim edhe kjo mirësi është më e mirë se grumbullimi i pasurisë së dunjasë.
Allahu i Madhërishëm thotë:
﴿ قُلْ بِفَضْلِ اللَّهِ وَبِرَحْمَتِهِ فَبِذَلِكَ فَلْيَفْرَحُوا هُوَ خَيْرٌ مِمَّا يَجْمَعُونَ ﴾ [يونس:58].
“Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë”. (Junus: 58).
Gëzimi me këtë Bajram
Gëzimi ynë me këtë bajram manifestohet në forma të ndryshem edhe atë:
- I gëzohemi kësaj feste duke shkëmbyer uratat mes nesh, duke u përshëndetur dhe përqafuar, gjeste me të cilat e shtojmë dashurinë dhe afërsinë mes nesh.
- I gëzohemi kësaj feste duke veshur rroba të reja dhe duke falur namazin e Bajramit bashkarishtë në shenjë falënderimi për arritjen e Ramazanit.
- I gëzohemi kësaj feste duke i shfaqur tekbiret me të cilat madhërojmë Allahun edhe shfaqim me këtë veprim pasimin e Sunetit të Pejgamberit, ﷺ.
- I gëzohemi kësaj feste sepse Allahu na e plotësoj këtë muaj edhe na i shtoj dhuntitë e Tija.
- I gëzohemi kësaj feste sepse ai që e agjëroi Ramazanin i gëzohet iftarit në dynja dhe pret gëzimin me Zotin e vet në ditën e takimit me Te:
﴿ فَرِحِينَ بِمَا آَتَاهُمُ اللَّهُ مِنْ فَضْلِهِ ﴾ [آل عمران: 170].
“Janë të gëzuar për çfarë u ka dhënë Allahu nga dhuntitë e Tij”. (Ali Imran: 170).
- Festa e Bajramit është për të mëdhenj e për të vegjël sepse është një festë që përputhet me natyrën e pastër të njeriut.
Ndjenjat edhe emocionet në Këtë festë
Na përzihen ndjenjat edhe emocionet në këtë festë edhe atë në këtë formë:
- Ndjenjat e dhembshurisë
I kemi këto ndjenja për punët tona që i kemi bërë gjatë këtij muajit të madhërishëm edhe kemi brengën e pranimit, a thua vallë na janë pranuar, apo Zoti mos e bëftë, na janë refuzuar ato.
- Ndjenjat e shpresës.
Kemi shpresë se Allahu do i pranon veprat tona edhe përskej krejt mangësive që mund të kishim patur në to dhe se Allahu do na kaplon me Mëshirën e Madhe që e ka.
- Ndjenjat e gëzimit.
Është një festë në të cilën ne shprehim gëzimin tonë me Mëshirën e Allahut edhe shpërblimet e Tija të mëdha.
Na rrëfen Aisheja, radijallahu anha, se një ditë (ishte festë e bajramit) Ebu Bekri, radijallahu anhu, hyri tek shtëpia ime edhe unë kisha dy vasha të ensarëve të cilat këndonin. Reagoi dhe tha: a frylli i shejtanit në shtëpinë e Pejgamberit, ﷺ? Pejgamberi, ﷺ, tha: o Ebu Bekër çdo popull ka festën e vet, e kjo është festa jonë. Buhariu dhe Muslimi.
- Ndjenjat e dëshirës.
Dëshira edhe shpresa e madhe që Allahu do largon brengat e muslimanëve të përvuajtur, do e përfundon katrahurën e muslimanëve të shtypur anë e mbanë botës, do u del në ndihmë muslimanëve që u nëpërkëmbet nderi i tyre, u shkelën shenjtërit e tyre, qofshin ata në Palestinë (Gazza), në Siri, në Irak, në Jemen, në Burma, e gjetiu.
- Ndjenjat e besimit.
Besimi i thellë edhe i paluhatshëm se këto këmbë që kanë qëndruar gjatë në këmbë duke iu lutur Allahut dhe këto ballëra të cilat kanë qëndruar të përulura në tokë nuk do tradhtohen asnjëherë dhe se Allahu nuk do i zhgënjen dhe se do u jep edhe shpërblimin edhe fitoren edhe në dynja edhe në ahiret.
Mos lejoni tu mashtojë shejtani!
Ramazani është një shkollë e rëndësishmë në të cilën njeriu merr shumë mësime, por është edhe një trajnim i jashtëzakonshëm, në të cilën besimtari e mëson një stërvitje të veçantë, e ajo është vazhdimësia në vepra të mira, edhe nëse sasia e atyre veprave është e vogël.
Ramazani ishte një muaj i cili të ndihmoi të zbulosh veten tënde, të shohësh fuqinë e fshehur që kishe dhe gatishmërin që të dalësh triumfues nga egos edhe pasioneve tuaja.
Andaj me përfundimin e Ramazanit nuk domethënë që ti të përfundosh nga kjo qasje serioze edhe triumfuese ndaj egos edhe lakmive tuaja por të vazhdosh edhe ditët në vijim deri sa kjo qasje të bëhet kulturë edhe shprehi e jotja.
Nëse Ramazani ka përfunduar si muaj, Allahu, krijuesi i çdo gjëje, është Gjallë dhe nuk vdes kurrë edhe adhurimi ndaj Tij nuk përfundon deri sa nuk përfundon jeta jonë.
Mos lejoni të ju mashtroje shejtani pas Ramazani, sepse Ai Zot që i kënaqet veprave të mira në Ramazan, u kënaqet të njejtave edhe pas Ramazanit edhe Ai Zot që i hidhërohet gjynaheve në Ramazan u hidhërohet gjynaheve edhe pas Ramazanit.
Mos lejoni që pasi keni shijuar ëmbëlsinë e adhurimeve ti ktheheni hidhurinës së gjunaheve!
Mos harro se ai armik i cili ishte i lidhur një muaj në pranga, i paaftë për të lajthitur ty, tani pas Ramazanit do jetë edhe më aktiv edhe do mundohet me krejt kapacitetin që ka me të largu nga rruga e veprave të mira.
{قَالَ رَبِّ بِمَآ أَغْوَيْتَنِي لأُزَيِّنَنَّ لَهُمْ فِي الأَرْضِ وَلأُغْوِيَنَّهُمْ أَجْمَعِينَ*إِلاَّ عِبَادَكَ مِنْهُمُ الْمُخْلَصِينَ}( الحجر :39-40)
“Iblisi tha: “Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ju zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim, përveç robërve të Tu të sinqertë”. (el-Hixhër: 39-40).
{قَالَ فَبِعِزَّتِكَ لَأُغْوِيَنَّهُمْ أَجْمَعِينَ*إِلَّا عِبَادَكَ مِنْهُمُ الْمُخْلَصِينَ} (ص :82-83)
“Ai tha: “Betohem në Madhërinë Tënde se unë do t’i mashtroj ata të githë, përveç robërve të Tu të sinqertë”. (Sad: 82-83).
E pyetën Bishër El-Hafin për ata njerëz të cilët e shtojnë adhurimin në Ramazan e me përfundimin e Ramazanit e lënë këtë angazhim, u përgjigj e tha: sa njerëz të këqij janë ata që e njohin Allahun vetëm në Ramazan!
Veprat më të mira, janë ato të vazhdueshmet
Besimtari që ka shijuar ëmbëlsinë e adhurimeve në Ramazan edhe ka shijuar kënaqësin e besimit në Ramazan duhet të vazhdon në ato adhurime dhe vepra të mira edhe pas Ramazanit.
Na rrëfen Aisheja, radijallahu anha, se Pejgamberi, ﷺ, ka thënë: veprat më të dashura te Allahu janë ato të vazhdueshmet edhe nëse janë pak”. E Aisheja, radijallahu anha, kur e bënte ndonjë vepër i përmbahej asaj.
Buhariu dhe Muslimi.
Kujdes për Namazin
Prej detyrave shumë të rëndësishme që i ka muslimani karshi Zotit të vet është kujdesi i tij për namazin. Muslimani i vërtetë çdo herë duhet ta ketë lartë në listën e prioriteteve namazin dhe nuk duhet asnjëherë të lejon që ti ikë ndonjë namaz pa e falur gjatë ditës.
Xhabiri, radijallahu anhu, na rrëfen e thotë se kam dëgjuar Pejgamberin, ﷺ, duke thënë:
« إِنَّ بَيْنَ الرَّجُلِ وَبَيْنَ الشِّرْكِ وَالْكُفْرِ تَرْكَ الصَّلاَةِ »
“Mes njeriut edhe idhujtarisë apo mosbesimit është lënia e namazit”. Muslimi.
Kujdesi për lidhjet farefisnore
Nëse kjo festë është manifestim i gëzimit për adhurimet e kryera me sukses parashtrohet pyetja si ka mundësi të jesh i gëzuar në momentin kur ti nuk flet me farefisin tënd, nuk e viziton prindin tënd, nuk bisedon me mikun tënd, nuk ke komunikim me komshiun tënd?!
Bajrami është festë e dashurisë, afërsisë, vizitës, tolerancës edhe faljes.
Na rrëfen Enes ibën Malik, radijallahu anhu, se Pejgamberi, ﷺ, thotë:
« مَنْ أَحَبَّ أَنْ يُبْسَطَ لَهُ فِى رِزْقِهِ، وَيُنْسَأَ لَهُ فِى أَثَرِهِ، فَلْيَصِلْ رَحِمَهُ »
“Kush dëshiron ti shtohet furnizimi dhe ti zgjatet jeta le të vazhdon lidhjen farefisnore”. Buhariu dhe Muslimi.
Abdurahman ibën Aufi, radijallahu anhu, thotë se Pejgamberi, ﷺ, ka thënë:
Allahu thotë: Unë jam Allahu edhe Unë Jam Rahmani ( i Gjithëmëshirshmi). Unë kam krijuar mitrën edhe i kam dhënë emri Tim, andaj ai që kujdeset për lidhjen farefisnore Unë kujdesem për te edhe ai që shkëput lidhjet farefisnore unë e shkëpus kujdesin Tim ndaj tij”. Tirmidhiu, sahih.
Na rrëfen Ebu Hurejre, radijallahu anhu, se një njeri erdhi te Pejgamberi, ﷺ, edhe i tha: kam farefis, unë kujdesem për ta, e ata më bojkotojnë, unë u bëj mirë e ata më bëjnë keq, unë sillem but me ta e ata sillen ashpër ndaj meje! Pejgamberi, ﷺ, i tha: nëse është situata kështu siç thua ti atëherë ti je duke u hudhur zjar atyre edhe do kesh ndihmën e Allahut me ty ndaj tyre derisa ti do jesh në këtë gjendje. Muslimi.
Festat e besimtarëve në Xhennet
Hafidh ibën Rexhebi, rahimehullah, thotë:
Festat e besimtarëve në Xhennet janë ditët ku ata do vizitojnë madhërinë e Tij, Allahun e Plotëfuqishëm, të cilët gjatë këtyre vizitave do nderohen me nderime të jashtëzakonshme nga Bujaria e Tij, do u shfaqet atyre dhe do e shikojnë Atë, e kjo do jetë dhurata më e madhe edhe më e dashur e tyre edhe kjo është shtesa që përmendet në ajetin Kuranor:
﴿ لِلَّذينَ أَحسَنُوا الحُسنى وَزِيادَةٌ ﴾ [يونس:26]
“Ata që bëjnë vepra të mira, do kenë shpërblime të mira, madje edhe më tepër”. (Junus: 26).
I dashuruari nuk ka festë më të madhe se sa afërsinë me të dashurën e vet!
Allahu na i pranoftë adhurimet dhe lutjet tona!
Allahu na i faltë gabimet tona!
Allahu u dhashtë fitore muslimanëve kudo që janë!
Allahu na gëzoftë në këtë festë me triumfin e muslimanëve në Gazza!
Bekir Halimi