2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Hutim mes qytetarëve pas tërheqjes së Listës Serbe nga votimet në veri

Më të lexuarat

“Opinioni jonë nuk ekziston më. A mund të bëj diçka në jetën time dhe të mos pyeten autoritetet? Do të dilja [të votoja për shkarkimin e kryetarit]”, thotë Dejani për Radion Evropa e Lirë.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, njoftoi papritmas më 7 prill se mbështetësit e saj nuk do të marrin pjesë në votimet për zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Ky mesazh erdhi pasi, në mes të janarit, kjo parti, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, i nxiti qytetarët të nënshkruajnë një peticion për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave.

Kryetarët shqiptarë morën pushtetin atje, pasi Lista Serbe u bëri thirrje qytetarëve që t’i bojkotojnë zgjedhjet e prillit 2023, të cilat u organizuan pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës, në nëntor të vitit 2022 – edhe atëherë me iniciativë të Listës Serbe.

“Nuk më intereson fare Lista Serbe. Ajo ndryshon pesë opinione brenda pesë ditësh. Fillimisht bëjnë thirrje për votime, pastaj i bojkotojnë votimet [për shkarkimin e kryetarëve]”, thotë Marina nga Mitrovica e Veriut.

Ajo beson se qytetarët nga radhët e komunitetit serb në komunat e veriut duhet të dalin për të votuar për shkarkimin e kryetarëve aktualë, më 21 prill, pa marrë parasysh qëndrimet apo thirrjet e partive politike.

Zllatkoja dhe Peroja nga Mitrovica e Veriut, pas mesazhit të Listës Serbe se nuk do të marrë pjesë në procesin zgjedhor, nuk kanë vendosur ende nëse do të votojnë.

“Nuk e di se çfarë po bëhet, nuk e kam të qartë”, thotë Zllatkoja.

“Për mua është konfuze… së pari, pyetja ishte nëse do të shkojmë në zgjedhje, a do t’i bojkotojmë… pastaj nëse do të qëndrojmë në institucionet e Kosovës apo do t’i lëmë ato dhe pastaj peticioni. Nuk kam përgjigje”, thotë Peroja.

Organizatorët e peticionit nuk deklarohen

Zorani nga Leposaviqi është, po ashtu, i hutuar nga deklarata e Listës Serbe se nuk do të marrë pjesë në procesin e zëvendësimit të kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe.

“Fillimisht e kemi nisur me optimizëm me atë peticion… Tani që populli është përgatitur për të dalë në votime, diçka ndodh”, thotë Zorani.

Peticioni për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri u iniciua në bazë të një udhëzimi administrativ, të cilin Qeveria e Kosovës e përgatiti në shtator të vitit të kaluar, pas presionit të bashkësisë ndërkombëtare për organizimin e zgjedhjeve të reja në veri.

Në bazë të atij udhëzimi, nënshkrimet e qytetarëve u mblodhën nga një grup iniciator, i përbërë nga disa qytetarë, në secilën nga katër komunat në veri të Kosovës.

Anëtarët e këtyre grupeve deklaruan më herët se janë organizuar me iniciativë të vetën dhe se nuk lidhen me ndonjë parti politike.

Radio Evropa e Lirë u përpoq më 8 prill t’i kontaktojë anëtarët e grupeve iniciative, për të marrë përgjigje nëse do të vazhdojnë t’i ftojnë qytetarët të marrin pjesë në procesin e zëvendësimit të kryetarëve.

Megjithatë, shumica e tyre nuk u përgjigjën në telefon, ndërsa disa thanë shkurtimisht se nuk japin deklarata.

Që votimet për zëvendësimin e kryetarëve më 21 prill të ishin të suksesshme, do të duheshin 50 për qind plus një votë e qytetarëve nga numri i përgjithshëm i regjistruar në listën zgjedhore.

Pas kësaj, rezultati do t’i dërgohej presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për t’i shpallur zgjedhjet e parakohshme.

Akuza kundër Qeverisë së Kosovës

Më 7 prill, Lista Serbe, duke njoftuar se po tërhiqet nga procesi i zëvendësimit të kryetarëve në komunat në veri, tha se procedurat e planifikuara janë “të pamundura” dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka bërë gjithçka që votimet të dështojnë”.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha në një konferencë për media në Mitrovicë të Veriut se, sipas të dhënave zyrtare, në veri të Kosovës janë rreth 46 mijë votues me të drejtë vote, por se situata në terren ka ndryshuar, sepse në muajt e fundit, sipas tij, rreth 15 për qind e serbëve janë shpërngulur.

Kreu i Listës Serbe, Zllatan Ellek, dhe anëtarë të partisë së tij dhe qytetarë gjatë procesit të nënshkrimit të peticioneve për largimin e kryetarëve të Listës Serbe në Mitrovicë të Veriut më 17 janar 2024.
Kreu i Listës Serbe, Zllatan Ellek, dhe anëtarë të partisë së tij dhe qytetarë gjatë procesit të nënshkrimit të peticioneve për largimin e kryetarëve të Listës Serbe në Mitrovicë të Veriut më 17 janar 2024.

Në këtë mënyrë, ai aludoi se votimet më 21 prill nuk mund të jenë të suksesshme, sepse është e nevojshme që 50 për qind plus një nga numri i përgjithshëm i të regjistruarve në listat zgjedhore, të votojnë për shkarkimin e kryetarëve.

Aktualisht, në Kosovë është duke u zhvilluar procesi i regjistrimit të popullsisë, por Lista Serbe njoftoi më herët se nuk do të marrë pjesë në të.

Serbët kundër regjistrimit: A mund të ketë pasoja?

Regjistrimi i fundit në vitin 2011 nuk u mbajt në veri të Kosovës, ndërsa serbët në jug të Ibrit kryesisht e bojkotuan, me kërkesë të Beogradit zyrtar.

Në të njëjtën konferencë për gazetarë, Ellek tha se numri i shqiptarëve me të drejtë vote në komunat në veri, është duke u rritur.

REL-i kërkoi nga Lista Serbe që të ofrojë dëshmi për këto pretendime, marrë pasur parasysh se ato nuk i paraqiti në konferencën për media, por nuk mori përgjigje.

As Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për t’i komentuar pretendimet e Listës Serbe.

Bishevac: Qëndrim hipokrit i Listës Serbe

Millija Bishevac nga Zubin Potoku, udhëheqës i Lëvizjes Popullore Serbe – parti e sapoformuar e serbëve të Kosovës – tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se Lista Serbe “i ka poshtëruar qytetarët”, sepse ajo, së pari, e ka mbështetur shkarkimin e kryetarëve të komunave bazuar në peticion dhe votime, por se tani është tërhequr nga i gjithë procesi.

“Ky është qëndrim hipokrit i Listës Serbe dhe mendoj se ajo, si parti serioze politike, është dashur t’i parashikojë të gjitha këto. Kjo tani është një deklaratë konfuze”, beson Bishevac dhe shton se partia e tij nuk e ka përkrahur që në fillim shkarkimin e kryetarëve bazuar në Udhëzimin Administrativ të Qeverisë së Kosovës.

Bishevac, gjithashtu, thotë se shumë serbë janë shpërngulur nga veriu i Kosovës dhe se ka qenë e qartë qysh në fillim se procesi i votimit nuk mund të ketë sukses. Ai shton se, tani, ai proces është “i prirë të dështojë”.

“Është një qasje joserioze e Listës Serbe dhe e Beogradit zyrtar ndaj politikës. Populli është i zhgënjyer, e ka humbur vullnetin dhe, për këtë arsye, një numër në rritje i qytetarëve tanë po largohen nga kjo zonë”, thotë Bishevac.

Marinkoviq: Lista Serbe i ka humbur votuesit

Miodrag Marinkoviq, nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Afirmative Sociale në veri të Kosovës, vlerëson se Lista Serbe, gjatë vitit të fundit, ka bërë një sërë lëvizjesh të gabuara dhe, për pasojë, ka humbur mbështetjen e një pjese të qytetarëve.

Për këtë arsye, sipas tij, ajo edhe është tërhequr nga procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.

“Unë jam i sigurt se Lista Serbe dhe makineria logjistike e Partisë Përparimtare Serbe [partia në pushtet në Serbi] mund të mundësojnë që një numër i votuesve të vijnë nga Serbia dhe të marrin pjesë në këto votime. Por, nuk jam i sigurt se ky është fokusi i Partisë Përparimtare Serbe tani, sepse ajo po merret me zgjedhjet lokale në Serbi”, thotë Marinkoviq.

Ai konsideron se vendimi i fundit i Listës Serbe është i gabuar, sepse zëvendësimi i kryetarëve shqiptarë në komunat e veriut do të siguronte stabilizim të situatës, sipas tij.

“Vendimi që ata morën, nuk është i qartë as për mua dhe besoj as për banorët”, thotë Marinkoviq.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës, Valmir Elezi, i tha Radios Evropa e Lirë, ndërkohë, se ky institucion ka pranuar dorëheqjet e katër anëtarëve të komisioneve zgjedhore komunale nga Lista Serbe në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut.

Marinkoviq thotë se procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë, me tërheqjen e Listës Serbe, sigurisht që nuk do të shtyhet, por mund të jetë i pasuksesshëm.

Sipas Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, nëse votimi për zëvendësimin e kryetarëve nuk ka sukses, nisma e radhës mund të organizohet 12 muaj nga dita kur konstatohet se e kaluara ka qenë e pasuksesshme.
\REL\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit