4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

DËSHTIMI – Nga Justinian Topulli

Më të lexuarat


Edhe pse jetojmë në një epokë të skajshmërisë individualiste, trashëgojmë në mendësinë tonë një kulturë tejet kolektiviste, aq sa për dështimet tona personale bëjmë përgjegjës gati përherë të tjerët, shoqërinë dhe mjedisin social që na rrethon. Sigurisht që njeriu është edhe produkt i kulturës shoqërore ku ai jeton, por është pikërisht ai që përzgjedh me lirinë e tij se kujt do t’i ngjajë në jetë dhe si do të sillet me të. Kështu që në fund të fundit vetë individi është përgjegjës për veten e tij dhe i vetëm do të dalë para Zotit, për të dhënë llogari, ndaj dhe për dështimet dhe sukseset tona në jetë nuk mund të bëjmë më shumë të tjerët përgjegjës sesa veten tonë.


Por dështimi më i madh në jetë, apo dështimi për të cilin flas nuk ka lidhje fare me dështimet në biznes, martesë, karrierë apo diçka tjetër, për të cilat na jepen leksione natë e ditë nga gurut modernë të suksesit, që predikojnë rrugën për në ‘parajsën’ e suksesit të adhuruar.
Dështimi më i madh apo ndoshta i vetmi dështim, që ja vlen të quhet dështim, është dështimi i marrëdhënies me Zotin, çdo gjë tjetër është kalimtare dhe e përkohshme në këtë jetë dhe pa ndonjë vlerë para kësaj gjëje.


Është e dhimbshme të shohësh njerëz që rendin kuturu në jetë pa prezencën e Zotit në jetën e tyre, por është akoma më e dhimbshme të shohësh ish besimtarë e besimtare, që dështojnë në marrëdhëniet e tyre me Zotin, që largohen plotësisht ose pjesërisht nga adhurimi i Tij, dhe këtë e tregon qartë mungesa e shenjave të dukshme, që i kanë shoqëruar dikur ata.
Në doktrinën islame termat musliman dhe besimtar shkëmbehen dhe zëvendësojnë njeri-tjetrin, por shpesh vijnë edhe me kuptime të ndryshme. Kështu që kur ato nuk zëvendësojnë njëra-tjetrën vijnë me kuptime specifike, ku me musliman nënkuptohet nënshtrimi i dukshëm ndaj Zotit, përmes zbatimit të shtyllave të Islamit, gjë që mund ta kryejë edhe një hipokrit, ndërsa me termin besimtar (mu’min) nënkuptohet nënshtrimi i brendshëm, i cili e përfshin brenda termin musliman dhe e tejkalon atë. Pra besimtar -sipas këtij kuptimi- është ai që jo vetëm i përulet Zotit në mënyrë të dukshme për njerëzit, por këtë adhurim ai e kryen me bindjen e shpirtit nga thellësia e zemrës.


Kështu që në Islam ka një lidhje organike të patjetërsueshme mes imanit të brendshëm dhe islamit të jashtëm, që do të thotë se është e mundur që dikush të sillet si hipokrit duke u sjellë si musliman, përmes adhurimeve të dukshme islame, por është e pamundur që ai që është besimtar me shpirt t’i mungojnë adhurimet e jashtme islame. Dhe sigurisht kjo aksiomë përfshin në radhë të parë dhe mbi të gjitha, ata që e kanë njohur Islamin dhe i janë dorëzuar më parë Allahut. Pra është absolutisht e pamundur, që dikush të braktisë praktikat e dukshme të Islamit dhe të pretendojë se është në po të njëjtën nivel besimi të brendshëm apo edhe më shumë, është thjesht vetëmashtrim për këdo që e pretendon atë.
Dhe sigurisht mjafton fjala e Zotit këtu për këdo që refuzon të pranojë këtë të vërtetë:
“Beduinët thanë: “Ne kemi besuar.” Thuaju: “Ju ende nuk keni besuar, prandaj thoni “U dorëzuam”, sepse besimi nuk ka hyrë ende në zemrat tuaja. Nëse i bindeni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Ai nuk ju pakëson asgjë nga veprat tuaja. Allahu është Falës e Mëshirëplotë”. Besimtarë janë vetëm ata që i besojnë Allahut, të Dërguarit e Tij, e pastaj nuk luhaten, por luftojnë me pasurinë dhe me jetën e tyre në Rrugën e Allahut. Këta janë besimtarët e vërtetë. Thuaju: “Vallë, ju do t’i tregoni Allahut për fenë tuaj, ndërkohë që Allahu di ç’ka në qiej dhe ç’ka në Tokë dhe kur Allahu Di gjithçka?!” (el-Huxhurat: 14-16)
“Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që, kur përmendet Allahu,
u frikësohet zemra dhe, kur u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi. Ata kërkojnë mbështetje vetëm te Zoti i tyre. Ata të cilët e përkryejnë namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne. Këta janë besimtarë të vërtetë.” (el-Enfal: 2-4)


Kështu që tek shoh njerëz që dikur faleshin dhe agjëronin, apo e tregonin islamin e tyre përmes mbulesës, dhe sot i kanë braktisur këto adhurime, nuk mundet kurrsesi të mos pranojë se po shoh njerëz që kanë dështuar në marrëdhënien e tyre me Zotin. A është ky një dështim i më hershëm në shpirtin e tyre, apo një mungesë e kahershme e këtij besimi, apo një dështim i përkohshëm… këto janë gjëra që sigurisht vetëm Krijuesi mund t’i dijë, por sido që të jetë mbetet dështim. Ndaj dhe dhimbja që duhet të ndjejë një besimtar për një ish besimtar tjetër, në këtë drejtim, duhet të jetë më e madhe sesa për çdo gjë tjetër.
“Zoti ynë, mos lejo që zemrat tona të devijojnë, pasi na drejtove! Na dhuro mëshirën Tënde! Pa dyshim, Ti je Dhuruesi i madh.” (Ali Imran: 8.)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit