2.7 C
Pristina
Friday, November 29, 2024

Dëshmitarët:“Medicus” ishte rrethuar nga policia si nëpër filma

Më të lexuarat

Në seancën gjyqësore të së mërkurës në rastin “Medicus” kanë dëshmuar para trupit gjykues në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë edhe katër dëshmitarë të tjerë nga Tel-Avivi përmes videokonferencave.

Dy nga dëshmitarët ishin pranues të veshkave, ndërsa dy të tjerë kanë dëshmuar lidhur me transplantimin që iu është bërë familjarëve të tyre dhe për zbulimin e aktiviteteve që zhvilloheshin në klinikën “Medicus” nga ana e policisë. Dëshmitarët e kanë përshkruar eksperiencën e tyre në Kosovë dhe ndërhyrjen e policisë në klinikë “si nëpër filma”.

Dëshmitari i parë, një izraelit, i cili në vitin 2008, kur i ishte transplantuar veshka, kishte qenë 67-vjeçar, tregon se si kishte pasur probleme serioze me shëndetin. Ai nga viti 2007 kishte vërejtur komplikimet në shëndet dhe doktorët i kishin thënë se i kishte dy zgjidhje, ose duhej të niste dializën, ose ta bënte një transplantim të veshkës.

Ai fillimisht kishte gjetur një lidhje që transplantimi i tij të realizohej në Filipine, mirëpo diçka nuk kishte shkuar siç duhej dhe e kishte përjashtuar atë mundësi. Pasi që ishte i interesuar për transplantim, ai kishte rënë në kontakt me një person të quajtur Avigad. Më pas ai ishte takuar me Avigadin dhe një person tjetër të quajtur Zamir dhe ata e kishin njoftuar se ai mund ta merrte një veshkë të re në Kosovë për 79 mijë euro.

“Isha shumë i interesuar që të kryhej kjo punë dhe nuk u shtyva fare për çmim”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur, i cili fillimisht ia kishte dhënë Avigadit 10 mijë euro e pjesën tjetër e kishte paguar djali i tij në Prishtinë. Ishte nisur për në Stamboll së bashku me të birin e tij dhe me personin e quajtur Zamir. Në Stamboll i kishte bërë disa analiza të gjakut në klinikën e doktorit Yusuf Sonmez, dhe më pas kishte shkuar me djalin e tij në një hotel për ta kaluar natën. Të nesërmen së bashku me të dhe Zamirin ishin nisur për në Prishtinë, dhe ishin takuar edhe me një çift tjetër.

Një burrë i quajtur, sipas tij Leonit, po ashtu ka pasur nevojë që të bënte transplantim në mushkëri. Pas mbërritjes në “Medicus”, djali i tij, B.F. i kishte paguar 69 mijë eurot e tjera, përderisa ai ishte futur në sallën e operacionit. Pas operimit ai kishte qëndruar shtatë ditë në klinikë dhe ishte vizituar çdo ditë nga doktori turk Sonmez. Ndërkaq, lidhur me dhuruesin ka thënë se nuk i ka interesuar se kush është. Kur ai ishte kthyer në Izrael ishte interesuar që të merrte kompensim për pagesën e operacionit në agjencinë e sigurimeve “Makabi”. Mirëpo dokumentet e nevojshme që ai i kishte marrë nga “Medicus” nuk kishin qenë të nënshkruara dhe ata i kishin thënë se nuk do t’i rimbursonin mjetet për shkak se “dokumentet nuk i kishte në rregull”.

Ai kishte rënë në kontakt sërish me Avigadin dhe ai ia kishte sjellë përsëri dokumentet, mirëpo as ato nuk i kishin hyrë në punë. Kështu ai e kishte nisur një procedurë gjyqësore për këtë çështje dhe kishte arritur t’i merrte nga kompania e sigurimeve “Makabi”, 50 mijë dollarë. Ai ka thënë se nuk e konsideron veten si person të dëmtuar në këtë operacion. “Mua më është kthyer jeta”, ka shtuar ai. Nga 12 fotografi të 12 personave që prokurori ia ka treguar dëshmitarit të parë, ai e ka identifikuar vetëm doktorin Yusuf Sonmez, për të cilin ka thënë se e ka operuar.

Me kërkesë të trupit gjykues, këtij dëshmitari i është kërkuar që edhe biri i tij të vijë dhe të dëshmojë lidhur me udhëtimin dhe pagesat që i ka bërë për operacionin.

Dëshmitari i dytë, një izraelit i moshës mesatare, i cili po ashtu ishte marrës i veshkës, nuk e kishte pasur fatin e njëjtë me të dëshmitarëve të tjerë. Edhe ai kishte mbërritur në Kosovë përmes personave të quajtur Avigad dhe Zamir. Mirëpo qysh prej mbërritjes në Prishtinë i kishte acaruar raportet me doktorin Sonmez. Pyetjet e shumta nuk i kishin “konvenuar” dhe nuk i kishin pëlqyer doktorit turk dhe ai kishte vendosur që mos ta operonte fare dhe madje as parat të mos ia kthente.

Dëshmitari ka treguar se e ka trashëgimi në familje sëmundjen e veshkave dhe nuk kishte pasur zgjidhje tjetër përveç se të transplantonte veshkën. Ai ka treguar se vazhdimisht e kishte pyetur doktorin rreth gjendjes së dhënësit të veshkës së tij, kishte insistuar të takohej me të, e kishte pyetur rreth analizave të gjakut të dhënësit dhe rreth shumë çështjeve të tjera, derisa Sonmez i kishte thënë se ”ti nuk je duke më pëlqyer dhe nisu për në shtëpi”.

Pas shumë diskutimeve me Sonmezin, ai ishte futur në sallën e operacionit, mirëpo, sipas tij, diçka s’kishte shkuar mirë. “ Pasi përfundoi operacioni erdhi doktor Yusufi dhe më tha se unë jam në rrezik për jetën. Ai tha se trupi im nuk e ka pranuar veshkën e re dhe ky është një proces që ndodh shumë rrallë”, ka thënë dëshmitari, i cili dyshon se ka qenë faji i Sonmezit, i cili “ka mundur t’ia dëmtonte veshkën e re”.

Këtë gjë më pas ia kishte konfirmuar edhe Avigadi. Pasi që kishte qenë në rrezik për jetën, Sonmez e kishte futur për të dytën herë në operacion dhe pas tri orësh kishte arritur që t’ia rregullonte problemin. Për këtë operacion ai kishte paguar paraprakisht sa ishte në Izrael, dhe i kishte kushtuar 50 mijë euro dhe 80 mijë shekel, valutë kjo që përdoret në Izrael.

Tërë kjo kishte ndodhur në gusht të vitit 2008. Dëshmitari më pas ka shpjeguar se gjatë bisedave që kishte pasur me dhuruesin e veshkës së tij, për të cilin ka thënë se quhej Kurt, me prejardhje nga Rusia, ishte bindur se ai po e dhuronte me vullnetin e tij veshkën. Për atë kohë sa kishte qëndruar në klinikë i kishte parë edhe dy dhurues të tjerë, të cilët po ashtu kishin qenë nga Rusia.

Pas katër apo pesë ditësh ai me gruan e tij, që e kishte shoqëruar në Prishtinë, ishte kthyer në Izrael. Përderisa prokurori po ia shfaqte përmes kamerës fotografitë e 12 personave, ai e identifikoi vetëm doktorin Yusuf Sonmez dhe Avigadin. Ndërkaq, ka bërë të ditur se në celularin e tij e ka fotografinë e klinikës “Medicus”, si dhe të personit të quajtur Zamir, i cili ishte njëri prej aranzhuesve të ardhjes së tij në Prishtinë.

Dëshmitari i tretë dhe i katërti ishin i biri dhe vajza e personit të fundit, izraelitit i cili transplantoi veshkën në klinikën “Medicus”. Ata e kanë përshkruar rrugëtimin e babait të tyre deri në Prishtinë dhe më pas përballjen me policinë e Kosovës, e cila e kishin zbuluar se në “Medicus” bëheshin transplantime, dhe deri tek kthimi dhe vdekja e babait të tyre pas dy vjetësh në Izrael.

Dëshmitari i tretë, J.Sh. djali i marrësit të veshkës, i cili në atë kohë ishte 72 vjeç, tregoi se personi i quajtur Moche Harel e kishte aranzhuar udhëtimin e babait të tij, të cilin e kishin shoqëruar edhe ai dhe nëna e tij. Atij ia kishin dhënë 90 mijë euro për transplantim. J.Sh. ka treguar se para se të niseshin për në Prishtinë, Moche u kishte thënë atyre se Qeveria e Kosovës po e inkurajonte procesin e transplantimit dhe një gjë të tillë po e bënin edhe kompanitë e sigurimeve në Izrael.

Më 30 tetor 2008, kur kishin arritur në Prishtinë, edhe Moche i kishte shoqëruar që të tre. Nga aeroporti e deri në klinikën “Medicus” dëshmitari ka thënë se i ka dërguar djali i menaxherit të klinikës me një veturë të tipit “Mercedes”. Ai, nëna e tij dhe Moche ishin vendosur në hotelin “Afa” në Prishtinë, ndërkaq babai i tij në klinikë. Pasi babai i tij dhe dhuruesi e kishin nënshkruar një dokument, ishin futur në operacion.

Nga dita e operimit ai nuk e kishte parë më dhuruesin, i cili ishte një djalë 23-vjeçar nga Turqia. Babai i tij kishte qenë në gjendje të mirë shëndetësore ditën e operimit, mirëpo përderisa ai dhe nëna e tij po qëndronin në hotel, aty kishte ardhur një hetues policie. Ai e kishte pyetur nëse babai i tij po qëndronte në “Medicus” dhe në ishte operuar në veshkë. Më pas kishin shkuar në stacion policor dhe ishin marrë në pyetje për gjysmë ore. Ata e kishin shpëtuar nga policia edhe Moche Harelin, duke u thënë atyre se e kanë familjar.

“Pas marrjes në pyetje u kthyem në hotel, ndërsa Moche u largua nga hoteli. Të nesërmen shkuam në klinikë. Ishte si nëpër filma, e tëra e rrethuar me kombi të policisë dhe kishte shumë policë. Brenda ishte vetëm babai dhe një infermier mashkull që po kujdesej për të”, ka thënë J.Sh. Më pas babai i tij ishte transferuar në spital publik, në të cilin kishte qëndruar dy javë dhe ishte marrë në pyetje aty nga policia. J.Sh. ka bërë të ditur se edhe dhuruesi i veshkës së babait të tij ishte marrë në pyetje nga policia.

Kur prokurori ia tregoi fotografitë e 12 personave, ai arriti të identifikonte doktorin Yusuf Sonmez, Moche Harelin, Lutfi Dervishin, si dhe djalin e tij Arban Dervishin.

Për doktor Dervishin ka thënë se edhe ai ka marrë pjesë së bashku me Sonmezin në operacionin e babait të tij. Ndërkaq, motra e tij, M.Sh. ka bërë të ditur se pas kthimit në Izrael, babai i tyre kishte vdekur pas dy vjetësh. Sipas saj, ai kishte pësuar sulm në tru, e sa i përket veshkës ajo ka thënë se veshka e tij ka qenë pothuajse në rregull.

Seanca gjyqësore e radhës pritet të mbahet të enjten, në të cilën është paralajmëruar se do të vazhdojnë të dëshmojnë dëshmitarë nga Izraeli./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit