Kryeimami Sahiti ka mbajtur takim me kryeimamët e këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës
Në prag të fillimit të muajit të bekuar Ramazan, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, ka mbajtur sot një takim me kryeimamët e këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Fillimisht kryeimami Sahiti falënderoi kryeimamët për punën dhe angazhimin e tyre që janë duke e dhënë gjithandej këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës, dhe më pas shpalosi para tyre platformën e aktiviteteve të Ramazanit, tëe miratuar më parë, në mbledhjen e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe qarkoren e Ramazanit të Kryesisë drejtuar të gjitha këshillave të BI-së.
Kryeimami Sahiti gjatë takimit kërkoi nga kryeimamët përkushtim edhe më të madh në punë, sidomos gjatë këtij muaji të bekuar, ngase ky është amaneti që e kemi marrë mbi supet tona, amaneti i kumtimit të drejtë të fjalëve të Zotit dhe mësimeve të Pejgamberit a.s..
Më pas, kryeimami Sahiti, theksoi nevojën e bashkëpunimit të kryeimamëve me imamët dhe xhematet e tyre në terren, për të plotësuar nevojat e besimtarëve.
“Bashkëpunimi dhe kordinimi institucional eshte çelësi i suksesit”, theksoi mes të tjerash kryeimami Sahiti.
Në kuadër të platformës së Ramazanit parashihet edhe vizita e xhemateve nga ekipa e ligjeruesve të përbërë nga Kryesia, Fakulteti i Studimeve Islame dhe Medreseja, të cilët me ligjërimet e tyre do të sjellin freski në mesin e besimtarëve.
Gjatë takimit u debatuan edhe çështje të tjera me interes, e sidomos në fushën e mësim-besimit, ku muaji Ramazan është një mundësi e artë për të shfrytëzuar për edukimin e brezave të rinj.
Në fund të takimit, kryeimami Sahiti u uroi muajin e bekuar Ramazan të gjithë kryeimamëve, duke u lutur për shendetin e tyre, të familjeve e të gjithë besimtarëve kudo që janë.