“Është një gjenocid. Mijëra fëmijë kanë vdekur dhe mijëra janë zhdukur. Ushtarët nuk po vdesin. Gratë dhe fëmijët po vdesin në spital. Nëse ky nuk është gjenocid, unë nuk e di se çfarë është gjenocidi”, tha Lula
Presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, ka deklaruar edhe një herë se ushtria izraelite po kryen “gjenocid” në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
“Është një gjenocid. Mijëra fëmijë kanë vdekur dhe mijëra janë zhdukur. Ushtarët nuk po vdesin. Gratë dhe fëmijët po vdesin në spital. Nëse ky nuk është gjenocid, unë nuk e di se çfarë është gjenocidi”, tha Lula në një ngjarje në Rio de Janairo.
Presidenti brazilian gjithashtu bëri thirrje për krijimin e një shteti palestinez “të lirë dhe sovran”.
Ai foli edhe për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke theksuar se, “Sot, ai nuk përfaqëson asgjë, nuk merr asnjë vendim, nuk bën asgjë për paqen. Ka shumë hipokrizi sot në botë dhe shumë pak politikë. Ne nuk mund ta pranojmë atë që po ndodh në Gaza dhe nuk mund ta pranojmë luftën në Ukrainë”.
Lula tha se vendet me të drejtën e vetos nuk po veprojnë në mënyrë demokratike.
Ai kujtoi se rreth 30 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën në sulmet në Gaza që nga tetori i vitit 2023.
“Është e pamundur që njerëzit të mos kuptojnë se çfarë po ndodh në Gaza”, u shpreh ai.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga grupi i rezistencës palestinez Hamas. Lufta izraelite që pasoi ka vrarë mbi 29.500 palestinezë dhe ka shkaktuar një shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme.
Lufta izraelite në Gaza ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së territorit palestinez mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Për herë të parë që nga krijimi i tij në vitin 1948, Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në Gaza. Një vendim i përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.