2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Mashtrimet e tmerrshme të Izraelit që dhe Perëndimi i kupton: radhën e ka Rafah…

Më të lexuarat

Amoraliteti ulëritës i një shteti që gënjeshtrat i ka si “buka që ha”

Marc Owen Jones*

Të dielën, përpara nisjes se një pushtimi të planifikuar izraelit në Rafah, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dha një intervistë për ABC-në, një kanal televiziv në Shtetet e Bashkuara. Ai adresoi paralajmërimet e bëra nga zyrtarët perëndimorë, përfshirë ato të amerikanëve, se kjo do të shkaktonte vdekje të mëdha në civilë.

“Këtë do ta bëjmë duke garantuar një kalim të sigurt për popullatën civile në mënyrë që ajo të mund të largohet”, tha Netanyahu.

I pyetur nga drejtuesi i emisionit, Jonathan Karl, se ku supozohet të shkojnë 1.4 milionë palestinezë, ai përgjigjet: “Në zonat që kemi pastruar në veri të Rafah-s. Ka shumë zona aty. Por po përpilojmë një plan të detajuar për këtë”.

Netanyahu dukej i jo bindës në fjalët e tij.

Një ditë më parë, zëdhënësi i qeverisë izraelite, Eylon Levy, foli për radio LBC-në me bazë në Londër. Dhe ai po ashtu nuk dukej aspak bindës. Kur u pyet katër herë nga drejtuesi i emisionit, Matt Frei, se ku supozohet të shkojnë palestinezët në Rafah, Levy nuk arriti të përgjigjej. Gjithçka që arriti të thoshte në pak fjalë ishte: “Epo, ka hapësira plot në Rripin e Gazës. Ndërsa një opsion tjetër është që agjencitë e OKB-së të punojnë sëbashku me ne për evakuimin e civilëve drejt zonave të hapura.” Por pyetja se ku janë ato zona të hapura mbeti pa përgjigje. 

Arsyeja pse Netanyahu dhe Levy nuk mund t’i përgjigjen një pyetjeje të thjeshtë është sepse të dy e dinë mirë se ushtria izraelite nuk ka ndërmend t’i mbrojë palestinezët, siç nuk ka bërë deri më tani. Ata e dinë se asnjë vend nuk ka qenë i sigurt për palestinezët dhe se askund nuk do të jetë i sigurt për ta kur të fillojë pushtimi i Rafah-s. Ata gjithashtu e dinë se, qëllimi final i Izraeli është t’i dëbojë palestinezët nga Gaza, jo t’i mbajë aty.

Nuk ka vend të sigurt në Gaza

Që prej fillimit të luftës së Izraelit në Gaza, qeveria izraelite e ka ngritur pragun e dezinformatave. Askund nuk ka qenë kjo gjë më e dukshme sesa në pretendimet se ushtria izraelite po krijon një “kalim të sigurt” për popullin e Gazës apo se po përpiqet t’i mbrojë ata.

Katër muajt e fundit, vdekjeprurës kanë dhënë prova të mjaftueshme për këtë.

Në fillim, Izraeli i tha popullit të Gazës se jugu do të ishte i sigurt. Kur ata filluan evakuimin, autokolonat u bombarduan rrugës. Ata po ashtu u bombarduan kur arritën. Kur civilët nuk bombardoheshin përgjatë “rrugëve të sigurta të evakuimit”, ata qelloheshin nga snajperët ose ndaloheshin e zhdukeshin me forcë.

Kur ushtria izraelite pushtoi atë pjesë që më herët konsiderohej si “zonë e sigurt” në Khan Younis, ajo u tha civilëve të qëndronin në spitale dhe strehimore. Snajperët e ushtrisë qëlluan njerëzit që përpiqeshin të arrinin në spitale dhe strehimore. E më pas i bombarduan.

Kur ushtria izraelite u tha palestinezëve të largoheshin nga Khan Younis, ajo i vuri në shënjestër ndërsa po iknin.

Disa palestinezë arritën në Rafah, një tjetër “zonë e sigurt”, vetëm për t’u thënë se nuk është më e sigurt. Tani njerëzve u thuhet të ikin nga Rafah drejt “zonave të hapura”. Të tjera “zona të hapura”, si Mawasi, ku njerëzve u ishte thënë më parë të shkonin, janë shënjestruar vazhdimisht.

Gjatë gjithë këtij procesi ku u thuhet njerëzve që të evakuohen vetëm për t’i vrarë më pas, ushtria dhe qeveria izraelite vazhduan të bënin deklarata në anglisht dhe të jepnin intervista për mediat perëndimore duke pretenduar se po merrnin masa për të “mbrojtur civilët”. Si kur flitej për “rrugë e pasigurta të evakuimit”, ashtu edhe për “hartat konfuze të evakuimit“, ata kanë bërë ç’ishte e mundur për të mbuluar të vërtetën se nuk ka në fakt vende të sigurta në Gaza.

Ata vazhduan t’i përhapnin këto gënjeshtra edhe pasi agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare – si Save the Children, Mjekët pa Kufij (Medecins Sans Frontieres, ose MSF), Amnesty International, etj – të gjithë ranë dakord se nuk ka asnjë vend të sigurt në Gaza.

Edhe mediat perëndimore – duke përfshirë The New Yorker, revistën Time dhe Deutsche Welle – filluan të dallonin dezinformatat e Izraelit dhe raportuan realitetin se nuk ka vend të sigurt në Gaza.

A duhet t’i besohet asaj ushtrie që vrau më shumë se 28,000 palestinezë dhe shkatërroi ose dëmtoi më shumë se 60 për qind të shtëpive në Gaza, se ajo do të garantojë një “kalim të sigurt” tani?

Hamasi i Shrodingerit

Në të kaluarën, ashtu si në këtë luftë, Izraeli ka fajësuar vazhdimisht Hamasin dhe grupet e tjera të armatosura palestineze për vrasjet e civilëve. Ai ka pohuar vazhdimisht se luftëtarët palestinezë dhe komandantët e tyre përdorin popullatën civile si “mburojë njerëzore”.

Por këto pretendime nuk përputhen plotësisht me të dhënat që vetë ushtria izraelite ka bërë publike. Në janar, Izraeli pretendoi se kishte vrarë 10,000 luftëtarë palestinezë (9,000 në Gaza dhe 1,000 brenda Izraelit), se kishte plagosur 8,000, arrestuar 2,300 dhe eliminuar dy të tretat e regjimenteve të Hamasit. Ai ka thënë gjithashtu se kishte “goditur” 30,000 objektiva në Gaza.

Nëse ushtria izraelite – më e moralshmja në botë sipas vlerësimit të saj – “shënjestron” vetëm caqet ushtarake, do të mendohej se të paktën 30,000 luftëtarë do të ishin vrarë ose plagosur.

Dhe nëse vazhdojmë me pretendimin e Netanyahut se, për çdo civil palestinez të vrarë, është eliminuar një luftëtar palestinez, atëherë na rezulton një numër vdekjesh të cilin inteligjenca izraelite do ta refuzonte. (Kjo e fundit me sa duket ka përdorur brenda vendit numrat e Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të cilat qeveria izraelite vazhdimisht i ka vënë në dyshim).

Me fjalë të tjera, të dhënat e ushtrisë izraelite konfirmojnë se ajo po godet objektiva civile dhe se Netanyahu po gënjen për raportin e vdekjeve civilë-ushtarakë në Gaza.

Por ka një tjetër kontradiktë në narrativën zyrtare izraelite që këto të dhëna po zbulojnë.

Hamasi, sipas vlerësimeve izraelite, kishte të paktën 30,000 luftëtarë para luftës. Nëse besojmë pretendimet e ushtrisë izraelite se e ka spastruar Hamasin nga zonat që ka pushtuar në Rripin e Gazës dhe se Rafah është “fortesa e fundit e Hamasit”, atëherë kjo do të thotë se të paktën 10,000 kanë qenë në Rafah në janar kur palestinezëve akoma u thuhej se ky qytet është zonë e sigurtë.

Nëse, siç i pëlqen Izraelit të pretendojë, Hamasi përdor mburoja njerëzore, atëherë Izraeli thjesht po pranon se po e shtyn popullsinë civile në zonat ku ata do të jenë në shënjestër sepse Hamasi është atje.

Në këtë luftë kundër realitetit rezulton se Izraeli mund të thotë në të njëjtën kohë se po evakuon civilët në siguri, ndërkohë që pretendon se Hamasi i përdor ata si mburoja njerëzore. Në një farë mënyre, Hamasi është njëkohësisht kudo dhe askund.

Pas këtyre gënjeshtrave fshihet formula  e të vërtetës reale me të cilën vepron Izraeli: Ku shkon Hamasi, shkojnë civilët, ku shkojnë civilët, shkon Hamasi. Për të mposhtur Hamasin, ne duhet të largojmë edhe civilët.

“Nakba është siguri”

Nuk është sekret se qeveria izraelite ka planifikuar dhe lobuar që palestinezët të dëbohen drejt Gadishullit të Sinait. Që në fund të tetorit, doli një dokument nga Ministria izraelite e Inteligjencës, në të cilin përvijohej qartë deportimi i popullatës palestineze të Gazës drejt territorit egjiptian.

Netanyahu menjëherë e hodhi poshtë këtë dokument duke e konsideruar thjeshtë si “ide në letër”, duke u përpjekur të minimizojë përmbajtjen e tij. Por duhet të pyesim veten se çfarë kishte në mendje ai kur ngeci te fjalët “shumë zona” gjatë intervistës në ABC. A janë planet e pronave të paluajtshme që po hartohen për zhvillimin e vendbanimeve të reja hebreje në Gazën e rrënuar, apo ka të bëjë me konferencën ku ministrat e tij morën pjesë e ku bënin thirrje për rivendosjen e izraelitëve në rripin e Gazës?

Gjatë katër muajve të fundit, më shumë se dy milionë palestinezë janë shtrydhur gjithnjë e më shumë në jug më afër Egjiptit. Ndërkohë, retorika e “sigurisë” dhe “evakuimit” nga ana e ushtrisë dhe qeverisë izraelite ka shërbyer për të mbuluar në mënyrë të leverdishme drejtimin që po merrte e gjitha kjo.

Urdhrat e Izraelit për zhvendosje kanë qenë një farë performance për komunitetin ndërkombëtar në përpjekje për të treguar se Izraeli është në përputhje me detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar.

E njëjta gjë është e vërtetë për hartat e tyre të evakuimit, hedhjen e fletëpalosjeve, goditjet “precize” dhe “zonat e sigurta”. Të gjitha këto janë pjesë e “teknologjive të gjenocidit” të projektuara për ta bërë një Nakba tjetër më të lehtë për Izraelin dhe më të pranueshme për aleatët e Izraelit dhe komunitetin ndërkombëtar.

Në fakt, ata janë pjesë e kësaj mbulese, e cila e ndihmon presidentin amerikan Joe Biden ta banalizojë fushatën gjenocidale të Izraelit duke e konsideruar: “pak të tepruar”.

Në luftën kundër realitetit, e vërteta bie viktimë e ideologjisë politike, ndërsa dezinformimi bie ndesh me dezinformata të tjera.

“Lufta është paqe. Liria është skllavëri. Injoranca është forcë.” Shtojini këtij citati nga klasiku i Xhorxh Oruellit, 1984, edhe këtë: “Nakba është siguri”, pasi ky është realiteti që u është imponuar palestinezëve në Gaza. /Tesheshi.com/

*Dr Marc Owen Jones është Profesor i Asociuar i Studimeve të Lindjes së Mesme dhe Shkencave Humane Dixhitale në Universitetin Hamad bin Khalifa në Katar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit