1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

SHBA-ja dënon sulmin në strehimoren e OKB-së në Gazë

Më të lexuarat

Uashingtoni ka dënuar granatimet vdekjeprurëse në një strehimore të Kombeve të Bashkuara në Rripin e Gazës dhe më 24 janar përsëriti thirrjet se civilët duhet të mbrohen gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Më herët gjatë së mërkurës, drejtori i Agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë tha se dy predha tankesh goditën një ndërtesë ku po strehoheshin 800 persona në qytetin jugor të Han Junisit. Si pasojë e këtij sulmi raportohet se janë vrarë nëntë persona dhe 75 të tjerë janë plagosur.

“Ne dënojmë sulmin e sotëm në qendrën e trajnimit të OKB-së në Han Junis”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel.

“Më keni dëgjuar që e kam thënë edhe më parë, e keni dëgjuar edhe sekretarin [amerikan të Shtetit, Antony Blinken] që ka deklaruar më herët, civilët duhet të mbrohen dhe natyra e mbrojtur e ndërtesave të OKB-së duhet të respektohet”, shtoi ai për gazetarët.

I pyetur nëse SHBA-ja ishte në kontakt me Izraelin lidhur me sulmin, Patel refuzoi të japë detaje të bisedave, por tha: “ne synojmë të vazhdojmë të kemi biseda të tilla me Qeverinë izraelite dhe të ngremë këto situata të rënda dhe të vështira”.

“Punëtorët humanitarë duhet të mbrohen në mënyrë që ata të vazhdojnë t’iu japin ndihmë humanitare civilëve”, tha Patel.

Drejtori i Agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, Thomas White, tha se dy predha tankesh goditën një qendër të trajnimit të agjencisë, që është shndërruar në strehimore për palestinezët që po i ikin luftimeve.

Ai shkroi në X – që më herët njihej si Twitter – se punëtorët e agjencisë nuk kanë arritur të shkojnë në zonën ku ndodhi sulmi, për shkak se rrugët janë të bllokuara.

Një sulm i ngjashëm ndaj një ndërtese të OKB-së la të vrarë gjashtë persona, njoftoi kjo agjenci e OKB-së më herët gjatë javës.

Ushtria izraelite një ditë më parë njoftoi se ka rrethuar Han Junisin, që gjendet në jug të Gazës. Ndërkaq, të mërkurën tha se në këtë qytet po zhvillohen beteja të ashpra me luftëtarët e Hamasit.

Që nga nisja e ofensivës izraelite në Gazë, mbi 25.000 palestinezë janë vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e udhëhequr nga Hamasi. Kjo ministri nuk bën dallimin midis civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, por ka thënë se shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë.
REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit